Grupi i armatosur qëllon policinë, konflikti mes autobusëve e furgonëve.
Rivaliteti për biznesin e transportit urban Kamzë-Tiranë shkaktoi dje një përleshje me armë mes një grupi personash të armatosur në Kamzë. Policia, e cila mori një telefonatë, ndërhyri në vendngjarje, por personat e armatosur qëlluan edhe ndaj forcave të rendit pa shkaktuar viktima. Përfaqësues të linjës së furgonëve dhe autobusëve të licencuar mësohet se kanë qenë palët në konflikt. Udhëtarët që prisnin të udhëtonin për në Tiranë u terrorizuan në kryqëzimin e Bathores dhe përgjatë Bulevardit Blu të Kamzës, ku ishin grumbulluar persona me armë në duar. Incidenti ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit të djeshëm, kur një autokolonë automjetesh luksoze, “Hummer”, “Mercedez ML” e “Rexhina” bllokoi rrugën për disa minuta, madje prej saj u qëllua me armë edhe në drejtim të policisë. Në pamundësi për të bindur “me të mirë” personat e përfshirë në konflikt që të ndërprisnin konfliktin, forcat e policisë së Komisariatit Nr. 5 kërkuan mbështetjen e forcave speciale RENEA, FNSH dhe grupit të operacioneve speciale për të përballuar situatën. Policia tha dje zyrtarisht se arriti të zgjidhë situatën mes pronarëve të linjave urbane, edhe pse ata nuk nguruan të qëllonin me armë edhe në drejtim të forcave të policisë. Sipas burimeve zyrtare, u ndaluan 19 persona, disa prej të cilëve u arrestuan e të tjerët ndiqen në hetim të lirë. Gjithashtu u sekuestrua një arsenal armësh, nga shotganët, kallashnikovët, pistoletat e tipave të ndryshëm, e deri te thikat e shkopinjtë e bejsbollit. Ndërsa mësohet se konflikti mes përfaqësuesve të linjave urbane ka nisur prej rreth një jave për shkak të konkurrencës, që linja e autobusëve e quan të pandershme, duke qenë se është e pajisur me licencë për kryerjen e këtij shërbimi. Ndërsa, sipas të shoqëruarve, furgonët transportojnë udhëtarët nga Kamza drejt Tiranës në mënyrë të paligjshme e të padrejtë.
INCIDETI
Dhjetëra persona të armatosur me armë zjarri, thika, shkopinj bejsbolli dhe dërrasa e nisën mëngjesin e djeshëm duke kërcënuar shoferët e furgonëve të linjës Kamzë-Tiranë, në mënyrë që të mos marrin pasagjerë. Sipas tyre, udhëtarët duhej të përdornin autobusin për të lëvizur në qendrën e kryeqytetit, duke qenë se është një shërbim i licencuar. Forca të shumta policie, fillimisht nga Komisariati Nr.5, më pas edhe nga komisariate të tjera, si dhe forcat speciale RENEA, FNSH dhe Skuadra e Operacioneve Speciale të Tiranës kanë shkuar në vendin e ngjarjes, pranë kryqëzimit të Bathores, për të zgjidhur situatën e tensionuar. Por, personat e armatosur nuk kanë ngurruar të qëllojnë me armë zjarri edhe drejt forcave të policisë. Fatmirësisht asnjë prej plumbave nuk ka goditur automjetet dhe efektivat e rendit, duke sjellë më pas shoqërimin e të dyshuarve dhe sekuestrimin e armëve. “Gjatë operacionit blic për të kapur të dyshuarit dhe parandaluar ndonjë përplasje me armë midis tyre, punonjësit e policisë kanë gjetur pas kontrolleve të ushtruara një sërë armësh si, “Shotgan”, “Kallashnikov”, pistoleta “Miniblow”, “TT”, “Makarov” dhe armë të tjera të ftohta”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
TE NDALUAR
1. Lim Osmani
2. Zef Leka
3. Vladimir Pjetri
4. Rrok Paluca
5. Alban Nikolli
6. Gervin Osmani
7. Altin Palushi
8. Albert Osmani
9. Jetmir Prenga
10. Arlind Mara
11. Eduart Sokoli
12. Erjon Mëhilli
13. Bardhok Osmani
14. Hysni Vukaj
15. Kujtim Kola
16. Ferit Ndreu
17. Dritan Osmani
18. Petrit Abazi
19. Tonin Zefi
SEKUESTRUAR
3 shotgan
2 automatikë “Kallashnikov”
3 pistoleta
1 pistoletë imituese
shkopinj bejsbolli
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











