Kamzë, dy të plagosur për ndërtimet pa leje

Jul 28, 2012 | 12:39

Përplasja e banorëve me Policinë Bashkiake të Kamzës gjatë një aksioni për prishjen e banesave pa leje ka shkaktuar plagosjen e dy vëllezërve. Incidenti ndodhi paraditen e djeshme dhe dyshohet se vëllezërit janë goditur me objekte të forta nga punonjësit e Policisë Bashkiake. Protesta e banorëve ndodhi gjatë kohës kur po zbatohej vendimi i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik për prishjen e disa ndërtimeve pa leje. Dy të plagosurit, Gentian dhe Agron Bori, u goditën me sende të forta duke pësuar plagë në kokë e pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas u dërguan me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Banorët pretendojnë se ndërtesat janë në proces legalizimi, ndërkohë që paralelisht ekziston një vendim i Inspektoratit Ndërtimor për prishjen e tyre. Deri tani mësohet se janë prishur 80 ndërtime pa leje që kishin zënë hapësirat publike.

© Panorama.al

Te lidhura