Kamerat në rrugë, në 2011 15 subjekte shkelën ligjin

Jun 7, 2012 | 14:15
Komisionerja Flora Çabej

Gjatë vitit të kaluar, 15 institucione publike dhe private kanë shkelur ligjin teksa kanë regjistruar me video në kundërshtim me udhëzimin e nxjerrë nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Komisionerja Flora Çabej raportoi dje në Komisionin e Ligjeve lidhur me punën e vitit të kaluar. Ajo u shpreh se kamerat në ambientet publike kanë qenë problem për këtë institucion. “Ka qenë një nga shqetësimet tona dhe në 2009-n jemi asistuar nga ish-komisioneri i autoritetit çek. Në bashkëpunim me të hartuam edhe udhëzimin që është i botuar në Fletoren Zyrtare dhe që e kemi amenduar. Kamera është një lloj përpunimi i të dhënave personale. Edhe Kuvendi ka njoftuar që përpunon të dhëna personale nëpërmjet kamerave. Lidhur me këto ne kemi vënë edhe një afat kohor për sa kohë duhet të ruhen këto imazhe. Kemi vënë kritere strikte për personat që do t’i kenë këto të dhëna”, u shpreh Çabej kur u pyet nga deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, lidhur me këtë problematikë. Në raportin që i është dërguar Kuvendit thuhet se 5 institucione publike dhe 10 private kanë filmuar në mënyrë të paligjshme. Komisionerja tha në mbledhjen e djeshme se gjatë vitit të kaluar janë vendosur 27 gjoba për institucionet që nuk kanë zbatuar ligjin. “Janë paraqitur mbi 65 raste ankesash pranë zyrës sonë dhe për këtë janë dhënë sqarime. Janë shqyrtuar saktësia dhe informimi mbi të dhënat që përpunohen nëpërmjet sistemit TIMS nga Policia lidhur me publikimin e të dhënave personale në faqen e QKR-së, lidhur me çregjistrimin e biznesit, personit fizik nga QKR-ja. Janë inspektuar 43 kontrollues, nga të cilët 33 në aktivitete private dhe 10 në aktivitet publik. Janë vendosur në vitin 2011 27 gjoba, shifër e dyfishuar në krahasim me vitin 2010”, u shpreh Çabej. E pyetur nëse këto gjoba janë vjelë nga institucioni që drejton, komisionerja theksoi se “kemi pasur raste kur gjobat janë paguar në mënyrë vullnetare për ata kontrollues që kanë qenë fort të ndërgjegjshëm dhe që e kanë mirëkuptuar ligjin, ndërsa për të tjerët vendimi ka marrë formë të prerë. I jemi drejtuar gjykatës, janë lëshuar urdhrat e ekzekutimit dhe janë duke u ekzekutuar nga Zyra e Përmbarimit”.

Udhëzimi për kamerat
Në udhëzimin e nxjerrë nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale thuhet se materialet që regjistrohen me kamerat e rrugës duhet të ruhen dy muaj dhe më pas të fshihen. “Periudha e mbajtjes së të dhënave nuk duhet të kalojë kufirin maksimal të afatit të lejuar, për përmbushjen e qëllimit të video-survejimit. Të dhënat e mbajtura me anë të sistemit të video-survejimit do të ruhen për një periudhë deri në dy muaj dhe pas kalimit të kësaj periudhe të dhënat do të fshihen. Përjashtim nga ky rregull bëjnë regjistrimet e bëra nga Policia në përputhje me legjislacionin e veçantë”, thuhet në udhëzim.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura