
Gjatë jetës së tyre mund të jenë urryer, mund të jenë ndikuar nga njëri-tjetri, i kanë përkitur kohërave të ndryshme…, por një mbrëmje ata mund t’i kemi të gjithë së bashku, në të njëjtën skenë. Mjafton një “Ëndërr vere” për të pasur më të mirat e kompozitorëve që vijnë nga anë të ndryshme të globit, Francë, Austri, Spanjë, Amerikë, Rusi… Sot në mbrëmje, mexosopranoja Vikena Kamenica dhe pianistja Merita Tërshana Rexha rikthehen së bashku në një duo-koncert në skenën e Universitetit të Arteve. Dy artistet (të dyja kandidate për çmimet “Kult” 2012″) i kemi parë së bashku një vit më parë në “Udhëtim dimri” me një program 24 këngësh nga poeti gjerman Wilhelm Muller, të kompozuara nga Franz Schubert në 1827. Ndërsa sot vijnë me një “Ëndërr vere”, me një program më të butë, më intim, që rrok vepra nga autorë si Schubert, Massenet, Tchaikovsky, Saint-Saens, Gershwin. “Janë pikërisht ato “çoroditje” të bukura, ëndërrimtare, që pothuajse çdokush nga ne i kalon në net të nxehta vere!”, thotë mexosopranoja Vikena Kamenica. Për Kamenicën, kjo është me të vërtetë një periudhë ëndërrimesh. Ajo tashmë është një nënë e re, e gëzuar me një vajzë prej gjashtë muajsh. Dhe qysh atëherë, dita e saj ndahet mes vajzës dhe provave në studio, pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit apo në Universitetin e Arteve. Një vrap i vazhdueshëm, i lodhshëm, por me sa duket edhe frymëzues, përderisa brenda një kohe të shkurtër mexosopranoja jo vetëm u ngjit në skenë, u shfaq nëpër show televizivë, por vjen edhe me ide të reja e punë individuale, që kërkojnë një impenjim të dyfishtë. “Nuk kam arsye të ankohem”, thotë ajo, ndërsa çliron energji pozitive në çdo qelizë të qenies së saj.
Ndërsa në sezon vere aktivitetet kulturore rrallohen, ju vini me një koncert, ka një nxitje për të?
Ky koncert lindi më shumë se natyrshëm, ndryshe nga çdo projekt tjetër. Vjen pas atyre bisedave tona artistike, ku së bashku me Meritën diskutojmë shumë shpesh mbi shijet personale në autorë të ndryshëm. Duke parë një program shumë të ri, me detaje, na erdhi ideja që atë çka ne na jepte kënaqësi, ta ndanim dhe me një publik artdashës mbi muzikën klasike dhe autorët e saj.
Ç’do të sillni me këtë “Ëndërr vere” dhe pse ky titull?
Ky repertor ka atë larminë që kalohet shpejt nga një ndjesi në një tjetër, me dëshira te ëmbla dhe ndjenja të forta, ku për sa i përket stinës në të cilën ne e finalizojmë, na erdhi natyrshëm dhe titulli i tij “Ëndërr vere”. Janë pikërisht ato “çoroditje” të bukura, ëndërrimtare, që pothuajse çdokush nga ne i kalon në net të nxehta vere!
Kujt i drejtohet ky koncert, meqenëse profili juaj artistik është i gjithanshëm?
Absolutisht i bazuar mbi autorë klasikë dhe ata që kanë bërë repertorin lirik, por jo mbi skena të forta operash. Nga këta kemi dashur të prekim më intimen e krijimtarisë së tyre… E kemi ndarë programin në dy pjesë, në kompozitorë para dhe pas shekullit 20, ku në këtë pjesë të dytë s’do të mungojnë dhe autorë amerikanë, spanjollë etj…
Sërish në dyshe me pianisten Merita Rexha Tërshana, ç’ju bën bashkë?
Tashmë është një njohje e gjatë shoqërore dhe e konsoliduar gjithashtu profesionalisht. Tek Merita si muzikante gjej një forcë e mbështetje të madhe, që më dhuron siguri dhe sodisfaksion artistik. Është nga njerëzit që vlerësoj shumë për punën, talentin, pasionin dhe atë vlerë njerëzore të saj, qe e bën të plotë figurën e të qenët artist.
Koncerti
“Ëndërr vere”
Vokal: Vikena Kamenica
Piano: Merita Rexha TërshanaProgrami:
Schubert
Massenet
Tchaikovsky
Saint-Saens
Hahn
Albeniz
Weill
Chapi
Stolz
GershwinSalla e madhe e Universitetit të Arteve
7 qershor, ora 19:00
ALMA MILE
© Panorama.al











