Versioni ekzistencial i historisë së perandorit romak Kaligula, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar. Si pjesë e Festivalit Teatror të të Rinjve, vjen në skenë drama “Kaligula” e autorit Albert Kamy (Albert Camus) me regji të Esmeralda Stafës. Kjo vepër, e shkruar nga Kamy kur ai ishte ende në moshë të re, është pjesë e triptikut të quajtur “Cikli i absurdit”. Ajo vjen si një vepër e shkatërrimit dhe vetëshkatërrimit. Kaligula i hidhëruar nga vrasja e së motrës, njëkohësisht e dashura e tij, kthehet në një tiran gjakatar, duke refuzuar çdo lloj ndjenje humane. Roli kryesor, ai i Kaligulës, luhet nga aktori fitues i çmimit “Aktori më i mirë”, Eni Shehu, ndërsa rolet e tjera vijnë nën interpretimin e Cubi Metkës, Emiljano Palalit, Arjola Bashos, Pjerin Vlashit etj. “Kaligula” vjen me muzikë të Bojken Lakos dhe skenografi të Blerina Hoxhës, përgjatë tri netëve, duke filluar nga sot, në orën 19:00.
© Panorama.alHistoria e themeluesit të FBI-së vjen në Tiranë
“J. Edgar”, filmi që sjell historinë e themeluesit të FBI-së, po shfaqet në kinema “Millenium”. Karriera dhe jeta personale e J. Edgar Hoover rrëfehen në 137 minuta, nën drejtimin e regjisorit Clint Eastwood dhe interpretimin e aktorit Leonardo di Caprio. Në krah të personazhit të tij, që ishte gjithnjë në kërkim të sekreteve të të tjerëve, kishte shumë pak njerëz që u besonte: sekretares Helen Gandy (interpretuar nga Naomi Watts), krahut të tij të djathtë, Clyde Tolson (interpretuar nga Armie Hammer) dhe nënës së tij, pas së cilës ishte shumë i lidhur (Judy Dench). Vdekja e saj i la një nevojë të jashtëzakonshme dashurie. Filmi është shkruar nga Dustin Lance Black dhe ndjek karrierën e Hoover prej moshës 19-vjeçare deri në ditët e fundit të jetës. Por, përveç karrierës së këtij njeriu, filmi zbulon edhe jetën e tij private. Polemikat mbi prirjen seksuale të Hoover nuk janë lënë pa u komentuar gjatë konferencës për shtyp në AFI, ku është prezantuar filmi.Komedia e Milto Kutalit, në “Metropol”
Në këtë muaj të ftohtë shkurti, Teatri i Metropolit vjen me një komedi gazmore. A është gjithçka e drejtë në dashuri? Edhe vrasja!? Kjo është pyetja që shtrohet në komedinë “S’ka burrë që tradhton gruan time”, me regji të Milto Kutalit, që kthehet në sallën “Shekspir” gjatë tetë netëve, duke filluar nga sot. Është një komedi e lehtë, me situata komike, të cilat pasojnë njëra-tjetrën, në një trekëndësh dashurie të shkruar nga Samuel Bobrick dhe Ron Clark. Nën skenografinë e Kastriot Rroshit e muzikë të Albana Petrelës, vjen interpretimi i aktorëve Guri Koço, Armela Demaj, Florian Agalliu. Sipas regjisorit Kutali, komedia “S’ka burrë që tradhton gruan time” është më tepër një komedi situatash, sesa komedi karakteri, mesazhi i së cilës njihet mjaft edhe në realitetin shqiptar vitet e fundit.











