Kaka, te Milani nëse nuk e ka vendin të sigurt te Reali

Aug 15, 2011 | 11:48

Rikardo Kaka mund të bëhet futbollist i Milanit në këtë merkato verore. Por, në fillim braziliani duhet të kuptojë se çfarë do të ndodhë nëse ai qëndron te Reali i Madridit dhe çfarë planesh ka Hose Murinjo për të. Mesfushori ka kohë në takimet e Superkupës dhe dy sfidat e para të kampionatit. Dilema e Kakasë është nëse duhet që të qëndrojë te “galaktikët”, si pasanik, apo të ulë rrogën dhe të kthehet sërish te kuqezinjtë. Nëse po, shanset që ai të sigurojë një vend në përfaqësuese rriten. Në konferencën për shtyp portugezi tha se mesfushori nuk do të luajë në dy takimet e Superkupës. Në sulm i avancuar do të jetë Benzema, ndërsa nga pas do të luajnë Kristiano Ronaldo, Ozil, Di Maria ose Koentrao. Nisur nga kjo, probabiliteti për t’u rikthyer është i madh. Dhe kuqezinjtë shpresojnë. Në 6 sezone te Milani, Kaka ka arritur shumë dhe ato momente i mungojnë. E vetmja pengesë është kostoja e operacionit, siç ka deklaruar edhe në ditët e mëparshme administratori Adriano Galiani. Por, nëse braziliani vendos që të ulë rrogën e të huazohet te Milani, ëndrra e tifozëve mund të shndërrohet në realitet. Megjithatë, Kaka ka të tjera opsione për të marrë në konsideratë. Një nga këto është klubi i “Los Angeles Galaxy”, që është i gatshëm që të dhurojë një super rrogë. Por, nëse ai zgjedh SHBA-në, shanset që ai të tregojë veten për në Botërorin 2014 në Brazil janë të pakta. Kështu, transferimi mund të realizohet pak ditë para përfundimit zyrtar të merkatos. Tifozët kuqezinj janë në pritje të “Mister X” dhe nëse Rikardo Kaka do të vinte, do të ishte blerja e sezonit.

© Panorama.al

Te lidhura