Ish-kreu i FMN-së: Agjentë francezë më ndiqnin prej disa javësh.
Ish-kreu i Fondit Monetar ndërkombëtar, Dominik Shtraus Kahn, i cili do të kandidonte për socialistët francezë në vend të Fransua Holandesë, për herë të parë komentoi mbi skandalin seksual që e mbërtheu në Nju Jork, se ishte një kurth i aleatëve të Nikolas Sarkozi.
Kahn ka akuzuar aleatët politikë të Sarkozisë për orkestrimin e skandalit, në të cilin ai akuzohej për sulmin ndaj një pastrueseje hoteli. Ai deklaroi se anëtarët e partisë UMP të Sarkozisë u angazhuan në mënyrë që të frenonin përpjekjen e tij për Presidencën franceze, duke përdorur truke të pista.
Në deklaratën e tij më të fortë deri tani, Kahn pretendonte se incidenti i seksit ishte në fakt një marrëdhënie konsensuale, por ishte “formuar nga ata me një axhendë politike, duke e kthyer në një skandal tentim dhunimi”. Kahn shtoi se “unë nuk besoja se ata do të shkonin kaq larg”.
Edhe pse Kahn pranon se ka pasur marrëdhënie seksuale me një grua në suitën presidenciale të hotelit “Sofitel” në Nju Jork, në maj të vitit të kaluar, ai është i bindur se armiqtë e tij politikë orkestruan rrëzimin e tij nga FMN-ja dhe shpresat presidenciale. Pas punësimit të një agjencie private me detektivë, e cila ka analizuar kamerat e sigurisë në hotel, të dhënat kryesore të kartës, si dhe të dhënat e telefonisë celulare, Kahn beson se ai ishte duke u ndjekur nga agjentë të zbulimit francez, që disa javë përpara arrestimit të tij në Nju Jork. Kritikët e tij i kanë cilësuar këto si spekulime paranoje, por 63-vjeçari Kahn beson se figura-hije, të lidhura me partinë e Sarkozisë, kishin përgjuar thirrjet e tij telefonike dhe kishin detyruar Nafissatou Diallon ta akuzonte për përdhunim. Në një intervistë që do të botohet të hënën, pak ditë para votimeve vendimtare, të cilat do të tregojnë nëse Sarkozi mund të jetë sërish në Presidencë, Shtraus Kahn tha: “Ndoshta kam qenë politikisht naiv, por unë thjesht nuk besoja se ata do të shkojnë aq larg … Unë nuk mendoj se ata mund të gjenin gjë që mund të më ndalonte mua”, theksoi ai.
© Panorama.alZgjedhjet
Sondazhet në Francë ende i japin pak përparësi kandidatit socialist Fransua Holande, i cili është shprehur në mbështetje të disa ligjeve kundër emigracionit, të miratuara nga qeveria e Sarkozisë. Holande ka deklaruar se do të mbajë ende në fuqi ligjin e mosmbajtjes së burkës islamike në publik, por do të rrëzojë disa marrëveshje europiane që ka nënshkruar Sarkozi. Ky i fundit është zotuar se do të luftojë më shumë emigracionin ilegal, duke kërcënuar sërish Europën me mbylljen e kufijve, për të fituar mbështetjen e francezëve.











