Sapo është kthyer nga Bangladeshi dhe ka filluar ta shohë botën ndryshe. Duhet kapur koha dhe duhet dhënë sa më shumë në shërbim të të tjerëve.Balerini shqiptar Kledi Kadiu, ambasador i UNICEF në fushatën “Unë si ty- Kurrë armiq për ngjyrën”, ishte dje në Tiranë. Jo për ndonjë shfaqje, por për të realizuar një emision televiziv për baletin shqiptar. Prej një viti ai drejton në kanalin “Rai5” programin “Step”- “Passi di danza”, i cili i kushtohet tërësisht baletit. Edicionin e dytë të këtij programi Kledi dëshiron ta hapë pikërisht me një emision për baletin dhe balerinët shqiptarë. Për këtë arsye erdhi në Tiranë, ku xhiroi në ambientet e Akademisë së Dancit, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, zhvilloi intervista, ndërkohë që në studio do të ketë disa nga emrat më në zë të baletit në Europë, si Altin Kaftira, Eno Peçi, Anbeta Toromani, Hektor Budlla etj. Gjatë këtij qëndrimi të shkurtër, Kledi na tregon për ndjesitë që provoi në këtë kthim në kohë, në vendet ku ai ka mësuar dikur.
Nuk keni ardhur në Tiranë për ndonjë shfaqje baleti, por për të realizuar një emision televiziv, na tregoni pak më shumë për të..?
Tanimë “Step” është në edicionin e tij të dytë. Në edicionin e shkuar zhvilluam 16 puntata, ku kishim të ftuar specialistë, kritikë, balerinë me famë kombëtare dhe ndërkombëtare, jo vetëm italianë. Kanali më i ri televiziv i “Rai”-t (“Rai5”) i kushtohet tërësisht kulturës dhe baleti ka vendin e vet. Për herë të parë kam bërë rolin e drejtuesit dhe të intervistuesit. Me këtë rast, kam pasur fatin që të intervistoj balerinën Carla Fracci, një nga zërat më me famë në Itali dhe në gjithë botën, Vittoria Ottolenghi, balerinën e parë të momentit, Eleonora Abbagnato dhe shumë drejtues teatrosh brenda e jashtë Italisë. Kjo, për të thelluar njohuritë mbi profesionin e balerinit. Në këtë hulli i propozova producentes që të zhvillonte një puntatë për baletin shqiptar. Duke qenë se unë vetë jam një përfaqësues i kësaj shkolle, le të mos flasim më për mua, por për baletin shqiptar në përgjithësi për balerinët e rinj e të vjetër.
Si u ndjetë në rolin e intervistuesit, dhe jo të të intervistuarit?
Është një fushë që lidhet me profesionin tim dhe nuk më është dashur të improvizoj, siç ndodh në Itali dhe ka filluar të ndodhë edhe në Shqipëri, kur dikush mund të bëjë edhe balerinin edhe gazetarin, edhe profesorin… Kam pasur një histori, një jetë, studim, i cili vijon ende dhe pata mundësi të takoj kolegët apo mitet e mi. Ishte shumë emocionuese, shumë e këndshme, më ka pëlqyer..
Kjo nuk do të thotë se do të ndryshoni faqe…?
Jo, jo unë ende vazhdoj të kërcej. Ky është një kontribut për baletin, por edhe një eksperiencë që më ndihmon mua që të pasuroj njohuritë dhe horizontet e mia si artist.
Keni ardhur bashkë me grupin e xhirimit, çfarë keni xhiruar?
Kemi shkuar në Akademinë e Dancit, ku kemi ndjekur momente nga përgatitjet e nxënësve. Kjo më dha mundësi që në klasën e meshkujve të shquaj shumë talente. Të thuash të drejtën, shkolla shqiptare ka lënë më shumë gjurmë me meshkujt balerinë. Mund të jemi rreth 20 në gjithë botën, ndërsa balerina janë vetëm dy, Oriada Islami në Amerikë dhe Anbeta Toromani në Itali.
Pse ndodh kjo?
Nuk e di, është si për zërat operistikë, ku ne kemi me shumicë zëra femërorë dhe shumë pak mashkullorë. Por duket se shkolla jonë vazhdon të ruajë karakteristikat e asaj ruse dhe ka lënë më shumë gjurmë te meshkujt.
Mund ta quani një kthim në kohë, atëherë kur ju studionit aty?
Po, është e vërtetë. Unë shkova të shihja të rinjtë, por tek ata pashë veten. Ishin ato ambiente, salla e stërvitjes, shkopi ku kam bëra prova për 8 vjet me mësuesin tim Ilir Kerrni.
Sa ka ndryshuar Akademia, jo thjesht në infrastrukturë, por dhe në mësimdhënie?
Infrastruktura nuk është shumë e rëndësishme për një balerin. Mjafton një sallë provash. E gjithë puna e balerinit është në mendje, te mënyra e të menduarit. Por, sigurisht duhet shumë punë dhe një mësues i zoti. Ne kemi qenë me fat që kemi mësuar nga brezi i vjetër i mësuesve, të cilët kishin studiuar në Moskë, Leningrad dhe kishin pasur gjithashtu mësues shumë të zotë e përgatitje shumë të fortë. Shkolla shqiptare ende jeton me trashëgiminë e saj. Si çdo sektor tjetër edhe danci ka pësuar evolucionin e vet. E rëndësishme është që baza të jetë e fortë dhe fatmirësisht ne këtë e kemi. Sigurisht ne nuk kemi parë kërcimin modern apo kontemporan, sepse kjo mungon disi, por kjo nuk do të thotë që gjërat këtu nuk shkojnë mirë. Përkundrazi, sepse kërcimi do të mbetet padyshim ai klasik. Të gjithë ata balerinë që kanë një formim të mirë klasik, më pas mund të bëjnë gjithçka.
Shumë koreografë thonë se nuk është më koha e klasikes…
Kjo është mënyrë të menduari. Një nga qëllimet e programit tim është që të ruajë edhe traditën, edhe repertorin. Jo vetëm në Shqipëri apo Itali, por në të gjithë Europën po kalojmë një periudhë sociale shumë të lëvizshme, kështu që do të ketë mendime nga më të ndryshmet. Jetojmë në një kohë kur improvizimi ka marrë rëndësinë e të studiuarit, ndaj është e rëndësishme se cilët janë ata që i gjenerojnë këto ide.
Ndërkohë, drejtoni edhe shkollën tuaj të dancit, si shkojnë punët aty?
Tanimë shkolla vazhdon aktivitetin normalisht. Është një shkollë private, nga e cila unë nuk kam pritshmëri shumë të mëdha. E rëndësishme është që nxënësit të mësojnë se çfarë është disiplina, respekti për mësuesit, vlera këto që do t’u jenë të dobishme në jetën e përditshme, sepse jo të gjithë do të bëhen balerinë, madje nuk do të bëhen të tillë, sepse kush do të bëhet balerin, duhet të shkojë në “Akademinë e Romës” apo në “Scalan e Milanos”. Baleti në Itali është një lloj dukjeje. Deri 10 vjet më parë, kur të pyesnin se çfarë profesioni ke dhe u thoshe balerin, të thoshin: “Ok, në rregull, po çfarë pune bën, çfarë bën për të fituar bukën e gojës”? Sepse puna e balerinit edhe sot nuk kuptohet si një profesion. Tashmë baleti është në modë falë televizionit, ku edhe unë me kolegët e mi shqiptarë kam kontribuar. Por nuk ka qenë kurrë në kulturën italiane danci si një punë, ashtu si këngëtarët lirikë. Sigurisht çdo vend i jep rëndësi dhuntive që ka.
Nëse do të krahasonit balerinët e rinj shqiptarë me ata italianë, sa ndryshojnë, apo mjafton talenti..?
Studimi është një nga periudhat më të rëndësishme për një balerin. Nëse ky rrugëtim 8-vjeçar do të shkojë mirë, atëherë balerini ka një jetë të sigurt përpara. Jo sepse jam shqiptar, unë flas mirë për baletin tonë, por është diçka që unë e them edhe në Itali. Baleti shqiptar do të jetë gjithnjë një gradë më lartë se ai italian. Vendet e Lindjes mbajnë flamurin jo vetëm në kërcim, por edhe në sporte. Sepse është mënyra ndryshe e të menduarit dhe kultura e rrënjosur. Por, unë mund t’ju flas për eksperiencën e djeshme që kisha në Akademi. Nëse do të krahasonim klasën shqiptare me një italiane, ndryshimi është shumë i dukshëm. Duke qenë një popull me krenari të theksuar, pak të ashpër, kjo reflektohet në të qenurit më shumë mashkullorë. Do të dallohej menjëherë një balerin që vjen nga Shqipëria apo një vend i Lindjes, me një që vjen nga Franca apo një vend tjetër i Perëndimit, të cilët duken ca më shumë femërorë. Ndikon edhe mendësia që kanë shqiptarët, sipas së cilës duhet të jenë gjithnjë numri 1. Dhe ne këtë e kemi si për mirë edhe për keq. Kjo na nderon, por nuk do të duhej të ishte kështu në të gjitha sektorët, si në politikë për shembull.
ALMA MILE
© Panorama.al











