Kadare: Të ruhet integriteti territorial i Kosovës

Feb 10, 2012 | 13:25

Për shkrimtarin e madh Ismail Kadare copëtimi i Kosovës, këmbimi i territoreve dhe të tjera si këto janë ide të rrezikshme dhe si të luash me zjarrin për destabilizimin e rajonit. Në një intervistë dhënë për “Presheva Jonë”, Kadare pajtohet plotësisht me komunitetin ndërkombëtar dhe i bashkohet zërave të tyre për paprekshmërinë e kufijve.

“Këto janë gjëra janë jo vetëm të ndjeshme në Ballkanin e përzier, por edhe të rrezikshme për perspektivën e rajonit pas gjithë atij mundi, pas gjithë atij investimi energjie nga ndërkombëtarët për promovimin e paqes dhe vënies së stabilitetit në rajon, pas gjithë atyre vuajtjeve dhe tmerrit që kishte përjetuar Ballkani këto vitet e fundit”- thotë ai.

Sipas tij duhet ruajtur integriteti  territorial i shtetit të Kosovës dhe cdo pretendim të  lëvizjeve të kufijve apo copëtim të Kosovës nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Nisur nga historia, vuajtjet e popullit të  Kosovës, sot nuk është duke u bërë aq sa duhet për këtë pjesë të Evropës. Cdo angazhim për Kosovën nuk mjafton kurrë, sepse ajo e meriton shumë e më shumë…”- thotë Kadare.

Sipas tij. “situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme ku popullata e atjeshme, shqiptarët etnik në këto troje, ende në këtë shekull ballafaqohet me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, sikur viset tjera të Ballkanit, duhet të jetë kah Evropa, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar”.

© Panorama.al

Te lidhura