Serbia ka detyrim ta njohë Kosovën, për të shënuar aktin e parë të heqjes dorë nga doktrina që ka pjellë krimet. Kështu ka deklaruar shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, gjatë një interviste për “Blue Sky”.Sipas Kadaresë, mosnjohja e Kosovës nga Serbia do të thotë mospranim i lirisë së një populli tjetër. Në librin e tij “Mbi Krimin në Ballkan”, Kadareja shkruan se heshtja botërore për krimet e kryera nga Serbia ndaj popujve të tjerë në Ballkan e ka bërë Serbinë që të përfitojë nga kjo heshtje. “Ka rreth njëzet vite që po përsëritet ky mesazh. Një pjesë e letrave që publikohen në këtë libër janë shkruar përpara njëzet vitesh. Kam kritikuar heshtjen botërore, në kohën që Kosovën nuk e zinte në gojë askush dhe, më pas, heshtjen shqiptare për krimet. Që të mos ketë keqkuptime, duhet të them se natyrisht që është folur dhe shkruar për krimet”, tha Kadare, duke shtuar se në librin e tij janë përmendur shembuj të tillë. Por sipas tij, krimet e përshkruara janë ende të pakta, në krahasim me tmerret që kanë ndodhur. “Në qoftë se bota do të merrte vesh të vërtetën e plotë, Serbia nuk do të guxonte të fryhej sot si gjel, por do të rrinte kokulur. Dhe kjo, përveçse do të hidhte dritë mbi të vërtetën e Kosovës, do të ishte në të mirën e gjithë rajonit, duke përfshirë këtu edhe të mirën e vetë Serbisë”, ka theksuar Kadare. Shkrimtari i madh ka komentuar edhe një letër të ish-kryeministrit të Serbisë, Vuk Drashkoviç, të cilën ai ia ka dërguar në vitin 1987. Letra, e publikuar çerek shekulli më parë, dëshmon se si është projektuar krimi, si do të kryhet ai krim, së fundi si do të përmbyset e vërteta, duke e hedhur fajin mbi shqiptarët. “Nuk më ka habitur asnjëherë letra e Drashkoviçit. Ajo është në logjikën e projektit serb. Siç është shpjeguar në libër, ajo që më ka habitur kanë qenë sulmet nga krahu shqiptar. E, sidomos nga disa shqiptarë të Kosovës”, vlerësoi Ismail Kadare.
“Drama e Kosovës ka qenë një çështje e madhe për moralin europian dhe atë botëror. Ish-kryeministri britanik, Toni Bler, shkruan se nga Kosova ka njohur më mirë shumë gjëra, duke përfshirë dhe vetveten. Është e habitshme se vetëm Serbia, ajo që do të duhej të nxirrte mësimin kryesor, e refuzon një gjë të tillë. Do të doja që Europa, gjithë bota, të thellohej më shumë se ç’do të thotë mosnjohje e Kosovës nga Serbia. Kjo mosnjohje nuk është një aksident diplomatik, por është shumë më keq”, theksoi Kadare. “Serbia, jo vetëm ka detyrim ta njohë Kosovën, por duhej të ishte ndër shtetet e para që ta kryente këtë akt. Serbia ka bërë krime në Kosovë. Njohja e Kosovës do të ishte akti i parë i heqjes dorë nga doktrina që i polli këto krime. Mosnjohja e Kosovës do të thotë një shpallje publike, se Serbia nuk heq dorë nga një e kaluar që s’e nderon”, tha Kadare, duke shtuar se me këtë shpallje, me këtë përkëdhelje të krimit të vet, Serbia synon të hyjë në Europë. “Me mosnjohjen, më shumë po pengon vetveten sesa Kosovën”, tha në fund Kadare.
Tadiç paralajmëron “hapa të pazakontë” për Kosovën
Presidenti serb, Boris Tadiç, ka vlerësuar se janë të nevojshëm “hapa të pazakontë” në politikën e Serbisë ndaj Kosovës, duke shtuar se ekziston shansi për një zgjidhje të re. Sipas tij, mënyra se si Beogradi zyrtar e ka trajtuar çështjen e Kosovës në të kaluarën ishte në kundërshtim me interesat e serbëve dhe të popullit serb. “Rruga ime është një punë e qetë dhe e vazhdueshme, për të provuar që të lëvizim gjërat dhe për të ndryshuar qasjen tonë në Kosovë hap pas hapi. Kjo vlen edhe për çdo gjë tjetër, kjo vlen edhe për kulturën e dialogut politik”, tha Tadiç për mediat serbe. “Deri kohët e fundit, nuk kemi guxuar të flasim për disa mënyra të reja ndaj Kosovës, sepse ka ekzistuar vetëm një qëndrim i paluajtshëm”, ka vlerësuar presidenti serb, duke shtuar se tani janë bërë hapa jokonvencionalë, që krijojnë mundësi për një zgjidhje të re. Ndërkohë, Borko Stefanoviç, kreu i ekipit negociator të Serbisë për bisedime me Kosovën, ka arritur në pjesën veriore të Mitrovicës. Stefanoviç ka hyrë pa lejen e institucioneve të Kosovës dhe u takua me udhëheqësit e bllokuesve të rrugëve, si dhe me përfaqësuesit e strukturave paralele serbe, të cilat veprojnë në veri të Kosovës dhe Mitrovicës. Zyrtarë të policisë së Kosovës kanë theksuar që policia nuk ka asnjë informacion se ku gjendet Stefanoviç.











