Shkrimtari i njohur i përgjigjet kërkesës së studentëve të Shkodrës.
“Ka gjasa që një ditë edhe unë mund të them se u mposhta në përpjekjet për të ndihmuar vendin tim”
Shkrimtari Ismail Kadare refuzon postin e Presidentit të Republikës. Me anë të një letre konfidenciale, shkrimtari me famë botërore, Ismail Kadare, ka refuzuar ftesën e bërë ditë më parë nga Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës për të qenë Presidenti i ri i vendit.
Studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi” i kanë kërkuar Kadaresë që t’i vijë në ndihmë vendit për të ndryshuar situatën e krijuar nga politikanët shqiptarë, si një figurë e denjë dhe përfaqësues i unitetit kombëtar. Në shkresën e tij, mjeshtri i letrave thekson se arsyeja që ka vonuar përgjigjen erdhi për faktin e mospranimit të kësaj kërkese. Kadare ka vlerësuar lart shqetësimin e studentëve për të ardhmen e vendit dhe, sipas tij, kjo zgjidhje nuk do të vonojë. “Së pari ju kërkoj ndjesë për vonesën e përgjigjes për letrën që më keni dërguar më 26 maj 2012. Dëshira për të vonuar një përgjigje zhgënjyese ka qenë arsyeja, jo fort e përligjur, ndoshta, për një gjë të tillë. Në të vërtetë letra juaj më dha një besim dhe kënaqësi të veçantë. Për fjalët tuaja fisnike, për vlerësimin e shkrimtarit, e nëpërmjet tij të artit, e sidomos për shqetësimin tuaj të bukur për vendin ku jetoni e për kombin të cilit i përkisni. Kur studentët e një kohe shqetësohen seriozisht për fatet e komunitetit, kjo është shenjë e sigurt se gjendja e shëndetshme, ajo që aq gjatë ka munguar, nuk do të vonojë. Ju keni të drejtë të zhgënjeheni me qëndrimin tim mospranues. Ka gjasë që një ditë unë vetë të them, ashtu si ju, se në përpjekjen për t’i dhënë një ndihmë vendit tim, unë nuk arrita dot dhe u mposhta. Ndërkaq, nuk përjashtohet e kundërta, që me mospranimin tim, kam ndihmuar ndoshta për atë që ju, e bashkë me ju gjithë të tjerët, ëndërrojnë me padurim: përparimin, normalizimin dhe europianizimin e Shqipërisë”, përfundon letra e shkrimtarit Ismail Kadare.
Kërkesa
Ditë më parë, Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës ka apeluar që të gjitha shoqatat studentore të përkrahin kërkesën dhe apelin e tyre, duke theksuar se në këtë periudhë të krizës dhe konfliktit politik në Shqipëri duhet të jetë një figurë unike dhe jo politike që duhet ta drejtojë Presidencën në të ardhmen. “Zoti Ismail Kadare, të nisur nga ndjenjat e larta patriotike dhe me synimin e vetëm për t’i ardhur në ndihmë si dhe sa mundemi vendit dhe qytetarëve tanë, ju shprehim mendimin tonë se ndërhyrja Juaj në këtë situatë të rëndë për fatin e demokracisë së vendit tonë është një domosdoshmëri urgjente. Nga ana tjetër ne shprehim konsideratën tonë të thellë se profili Juaj është profili i një Presidenti të Republikës së Shqipërisë. Jepuani këtë kënaqësi shqiptarëve të ndershëm dhe interesave të tyre kombëtare!”, thuhet në letrën drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare.
Lesi, letër Kadaresë
Kryetari i Partisë Lidhja Demokristiane, Nikollë Lesi, i ka dërguar një letër të hapur shkrimtarit Ismail Kadare për të pranuar postin e Presidentit të Republikës. Lesi, me anë të një shkrese të publikuar në media, thekson se shkrimtari i Kadare është simboli i bashkimit të kombit dhe, si i tillë, nuk mund të rrijë indiferent në një kohë që situata e acaruar politike rrezikon statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në BE.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











