
Një tjetër çmim për shkrimtarin Ismail Kadare. Por kësaj here për sensin e tij të humorit të zi dhe ironisë kafkiane. Drejtori i Javës Ndërkombëtare të Letërsisë dhe Artit Humoristik, “La Risa de Bilbao”, shkrimtari Juan Bas, ka deklaruar se tema e edicionit të sivjetshëm do të jetë humori si armë kundër barbarisë, në cilëndo formë që ajo shfaqet. Edicioni i tretë i këtij festivali do të zhvillohet nga data 2-7 tetor dhe ka zgjedhur si këndvështrim të këtij viti humorin si “një armë sa mbrojtjeje, ashtu edhe sulmi” kundër “barbarisë në formën e totalitarizmit, terrorizmit, margjinalizim kulturor…” dhe në formën më të përgjithshme “gjithçka që çon në shkatërrimin e kulturës dhe të qytetërimit”. Sipas Bas, këtë vit çmimi i festivalit do t’i akordohet shkrimtarit shqiptar, fitues i çmimit “Princi i Asturias” dhe kandidat për çmimin “Nobel”, Ismail Kadare, që përmes një “humori të zi dhe kafkian” ka denoncuar “barbarinë në Shqipëri”. Sipas organizatorëve, Kadare do të jetë i pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimit dhe do të flasë përpara publikut, bashkë me shkrimtaren Carmen Posadas. Në këtë edicion, i cili është më “modest” se ai i një viti më parë, me një buxhet prej 350.000 eurosh, do të zhvillohen edhe tri sesione mbi temën “Dialogu mes shkrimtarëve”.
Në dialogun e parë, historiani Paul Preston dhe novelisti Lorenzo Silva do të flasin mbi “Humori nën bomba”, duke u përqendruar në periudhën e bombardimit mbi civilët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në luftën civile spanjolle, pasi koincidon me 75-vjetorin e bombardimit të Guernikës nga trupat gjermanë.
Poeti Andres Trapiello dhe filozofi Fernando Savater do të flasin mbi “humorin kundër barbarisë” dhe shkrimtarët baskë Jon Juaristi dhe Bernardo Atxaga mbi “Kompromisin e autorit nën barbari”. Gjatë ditëve të festivalit nuk do të mungojnë edhe ekspozitat me karikatura, promovimet e librave etj.











