“Ka urrejtje ndaj shtresës së mesme”- Lapaj për tatimin mbi të ardhurat për profesionet e lira: Politika fiskale duhet të jetë e drejtë, jo disa të nënës e disa të njerkës

Apr 24, 2024 | 21:49
SHPËRNDAJE

Kreu i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ Adriatik Lapaj, ka folur për tatimin e profesioneve të lira, ku është shprehur se shteti ndërtohet me tatime dhe taksa dhe nuk është kundër kësaj, por sipas tij politika fiskale duhet të jetë e drejtë.

lapaj

Lapaj tha në studion e emisionit ‘Open’ se ndryshimet e ligjit çdo vit bëjnë që bizneset dështojnë të bëjnë një plan dhe të punojnë me ndershmëri.

Ndër të tjera ai tha se këto ligje dhe ndryshime bëhen sepse ka një urrejtje ndaj shtresës së mesme.

“Kam shumë shpenzime, vetëm naftën sikur të zbrisja janë 2 milionë lekë të reja. Nuk na e njohin naftën. Ato shpenzime që na njohin janë qira zyre nga këto histori. Po jap disa shpjegime për njerëzit. Mendoj se shteti ndërtohet me tatime dhe taksa. Kur themi tatime dhe taksa nuk duhet të trembemi. Duhet të trembemi se ku shkojnë tatimet dhe taksat tona. Kur bëjmë këtë diskutim në apriori, nuk duhet që dikush të kuptoje së jemi kundër mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat, por politika fiskale duhet të jetë e drejtë, jo ca të nënës ca të njerkës.

Problemi i parë që shoh është paqëndrueshmëri. Nuk mund t’u shkosh 29 mijë familjarëve që edhe pse nuk ta kishin thënë duhet të paguash 12 milionë lekë të vjetra. Po jap vetëm një fakt të miopisë në politike. Që nga miratimi i ligjit deri më sot janë bërë ligje të reja 29 herë në këtë fushë. Si mundet një biznes të shkojë dhe të punojë me ndershmëri kur ligji ndryshon çdo vit. Nuk bën dot një plan biznesi. 11 vjet në pushtet, 12 herë ndryshon të njëjtin ligj.

Ka një teknikalitet që i ndajmë në aktivitetin tregtar në persona fizik dhe juridik. Personi fizik përgjigjet edhe me pasurinë e vet. Nëse unë dështoj, ti më sekuestron edhe shtëpinë. Personi juridik përgjigjet deri në kufijtë e kapitalit.

Për sa kohë personi juridik e ka detyrimin më të kufizuar logjikisht paguan më shumë tatim ndaj shtetit. Shih çfarë kanë bërë mjeshtrit.

Për personin fizik, deri në 14 milionë lekë paguan 15%, për 14 milionë lekë e sipër, 23%, kurse personi juridik paguan vetëm 15%. Pse bëhen këto ligje? Ka një urrejtje të pashpjegueshme ndaj trurit, mendjes, ndaj njerëzve që lexojnë dhe sakrifikojnë. Ka një urrejtje të pa shpjegueshme ndaj shtresës së mesme”, tha Lapaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura