Një ish-miss tashmë e përfshirë në jetën e ngarkuar të administratës. Juela Meçani, ish-zëdhënësja e qeverisë, zbulon ambiciet e saj për të bërë emër në politikë, dhe po ashtu për një rikthim në botën e televizionit. Në këtë intervistë për “Panorama Plus” flet për jetën e re pas divorcit nga bashkëshorti.
Jemi në fund të muajve të nxehtë, ku dhe me kë pushuat këtë verë, dhe cilat janë argëtimet e preferuara?
Pushimet i kalova në bregdetin e Vlorës, me motrën time dhe me shumë miq përreth. Pushime të thjeshta, me plazh dhe me ndonjë pjesëmarrje në netët e Vlorës kur kishte muzikë live, të cilën e preferoj.
Kanë kaluar dy vite që nuk jeni zëdhënëse e qeverisë, kohë kur normalisht ju bëri të ishit në qendër të vëmendjes mediatike. Si do e përshkruaje eksperiencën e mëvonshme të punës në Ministri?
Bën pjesë në natyrën time që të përshtatem shumë shpejt në çdo ambient pune dhe në çdo rol. Për mua është punë dhe, si të tillë, e marr me të njëjtin seriozitet dhe me specifikat e ndryshimet e veta. Jam ndier mjaft mirë që në fillim në Ministrinë e Punës, kam një bashkëpunim shumë të mirë me stafin atje dhe mbi të gjitha kjo Ministri përfshin disa fusha për të cilat kam një sensibilitet shumë të madh. Siç janë barazia gjinore ose dhuna në familje. Vëmendja mediatike i përkiste rolit tim dhe sigurisht roli ku jam është i një lloji tjetër, por kjo bën që të jetë një eksperiencë më shumë në formimin tim dhe e vlerësoj shumë si të tillë.
E zgjedhur si “Miss Fotozhenia” në spektaklin “Miss Albania 1993”, u tërhoqët nga Italia nga Kryeministri Berisha, që kërkoi të ishit imazhi i qeverisë. Patët kundërshtarë meshkuj apo femra në këtë përvojë tuajën?
Unë vija nga një eksperiencë gazetarie televizive disavjeçare në televizionin shqiptar, dhe mendoj se roli im pranë kabinetit të Kryeministrit ishte shumë i natyrshëm, ai i një gazetareje, imazhi televiziv, e diplomuar për Gazetari, pra brenda të gjitha kritereve për një zëdhënëse dhe këshilltare për mediat… Nuk mendoj se ka pasur kundërshtarë në këtë sens, dhe nuk jam në dijeni të kundërshtive për sa i përket rolit tim. Por sigurisht në karrierë dhe kur merr poste të tilla, ka njerëz që janë dakord e njerëz që nuk janë. Dhe ata që nuk janë, nuk dalin kurrë hapur ose përzihen me ata që janë pro teje, siç ndodh rëndom.
Dihet që një nga ambiciet tuaja ka qenë politika, mund të jetë emri juaj kandidaturë për deputetet në zgjedhjet e ardhshme?
Politika mbetet në ambiciet e mia dhe në interesat e mia. Në mënyrën time unë jam në politikë edhe tani si këshilltare, si dhe me angazhimin tim të fundit në zgjedhjet lokale, ku dhashë kontributin tim modest pranë Njësisë Nr. 5 në Tiranë. Nuk e kam zakon të parashikoj të ardhmen, di të them që do të jem përsëri shumë e lumtur të jap kontributin tim në zgjedhjet e ardhshme politike në Shqipëri. Mendoj se nuk ka eksperiencë më të mirë e formuese se angazhimi në zgjedhje, të mëson shumë, të jep një vizion më të qartë për shumë gjëra dhe dukuri në vend, të bën një panoramë reale të situatës, si dhe provon apo teston shumë popullaritetin e një personazhi politik apo publik.
Duke pasur lidhje të fortë me gazetarinë, keni aspiruar ndonjëherë të rishfaqeni në ndonjë ekran, dhe cili do të ishte formati i preferuar?
Ekrani më drithëron akoma, është në ADN-në time që kur isha 4 vjeç dhe kam dalë në një film televiziv për herë të parë. Do t’i rikthehesha me shumë dëshirë, nëse një format i mirë do të më përshtatej, pse jo një ditë do e bëj. Preferoj kaherë emisionet live dhe intervistat me personazhet e njohur tek për tek, ku të përpiqem të shfaq pjesë të fshehura nga bota e tyre.
Tashmë që i keni dhënë fund martesës, cili është ritmi i jetës suaj, si e menaxhoni kohën për të qenë nënë full time pranë vajzës suaj, dhe po ashtu femër në karrierë?
Sigurisht që pas angazhimit pranë Këshillit të Ministrave, ritmet nuk janë të njëjtat, kam më shumë kohë të merrem me bijën time Noemi, dhe të kujdesem për edukimin dhe shkollimin e saj, dhe kjo më gëzon shumë. Noemi është në një moshë delikate dhe ka sot nevojë për mua më shumë se në çdo kohë tjetër… Dhe këtë kohë ia jap me kënaqësi, ajo është më e shtrenjta për mua, është motivi i jetës sime. Të qenët femër kalon në plan të dytë pastaj, sepse unë ndihem e lumtur kur ajo është e lumtur, ndihem e bukur kur ajo ndihet e bukur, është një dashuri e pazgjidhshme. Bija ime është dhe një motivim më shumë në karrierën time, dua që një ditë të jetë krenare për nënën e saj, siç jam unë për të.
Vajza juaj i ka shfaqur prirjet e saj në jetë, cilat janë hobet e saj?
Vajza ime ka ide shumë të qarta, por ia lëmë kohës se çfarë do të zgjedhë në jetë, zgjedhje për të cilat nuk dua dhe do të përpiqem të mos ndikoj, por dukshëm i pëlqen letërsia dhe televizioni. Kësaj nuk i ka shpëtuar dot duke qenë e edukuar nga një nënë gazetare dhe nga dy gjyshër, që punojnë prej shumë vitesh në RTSH. Ka një fjalor shumë të gjerë e të pasur të shqipes dhe shkruan vargje shumë bukur për moshën e saj. Nuk do të më vinte keq të ishte gazetare dhe ajo.
Cila do të ishte një këshillë që mund t’i ja jepje asaj në lidhje me zgjedhjet që do bëjë në jetë, po në lidhje me njeriun që do të ketë në krah?
Si në punë, ashtu dhe në jetën e saj, këshilla më kryesore do të ishte që përpara se të priste nga të tjerët, duhet të japë maksimumin nga vetja, të ndihet mirë me veten, të dojë shumë veten, të luftojë që të ketë një formim akademik, si dhe të ketë një siguri ekonomike bazë. Këto bëjnë që të mos ketë nevojën e askujt. Të paraqesë e të mbrojë në pavarësi të plotë idetë dhe punën e saj. Sa për njeriun e jetës, të mos dojë askënd më shumë se veten dhe të quajë çdo eksperiencë një thesar që në jetë të ka mësuar diçka!
KLOTILDA HARKA











