Kombëtarja shqiptare ka mbërritur dje në Tiranë, pas një udhëtimi tejet të lodhshëm. Trajneri Kuzhe ka qenë dukshëm i pakënaqur nga fakti që shumica e titullarëve të skuadrës e “braktisën” para për ndeshjes miqësore me Argjentinën. Sapo ka mbërritur në Aeroportin e Tiranës “Nënë Tereza”, trajneri i përfaqësueses shqiptare ka ndaluar përpara mediave, duke dhënë përshtypjet e tij rreth kësaj miqësoreje. Ndryshe nga herët e tjera, ai ka paralajmëruar lojtarët kryesorë të skuadrës, duke lënë të nënkuptohet se refuzimi i tyre nuk mund të kapërdihet lehtë dhe se këtë do ta mbajë vëth në vesh. “Duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se për ne ishte një ndeshje e vështirë, por ne e respektojmë kundërshtarin. Në 15 minutat e para u munduam të rezistojmë. Do më pëlqente të kisha ekipin e parë, por edhe të rinjtë u përshtatën shumë shpejt”, ka thënë ai fillimisht.
Paralajmërimi. I pyetur nëse do të ketë ndëshkime për titullarët, Josip Kuzhe u përgjigj: “Jo, nuk do të ketë as ndëshkime dhe as dënime. Unë kam një memorie të mirë dhe nuk do i harroj ata që braktisën ekipin në sfidën me Argjentinën”, është shprehur Kuzhe. Në këtë mënyrë “veteranët” Lala, Bogdani, Duro, por edhe të tjerët, si Cana, Salihi, Dallku dhe Curri, janë të paralajmëruar. Këtu bën përjashtim Ervin Skela, i cili për shkak të një fatkeqësie familjare, nuk mundi të udhëtonte dot, ashtu si edhe Teli me Agollin, të cilët u treguan të gatshëm që të luanin, por klubi i tyre azerbajxhanas, Karabak, nuk i lejoi.











