Josip Kuzhe u ka bërë presion të hapur boshnjakëve, duke theksuar edhe një herë se ai me “bandën” kuqezi kanë shkuar për të rrëmbyer tri pikët në tokën e nxehtë të Zenicës. “Bosnja është favorite, këtë as që e vë në dyshim. Unë mendoj se ju keni më shumë shanse për ta fituar ndeshjen, por kjo nuk do të thotë se ne jemi të trembur dhe kemi frikë nga ju. Absolutisht jo. Nuk kemi frikë, madje do të luftojmë për të fituar”, ka thënë Kuzhe, pas seancës së fundit stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja. Ai ka theksuar edhe një herë se nëse kuqezinjtë nuk do të pësojnë gol në 20 minutat e para, atëherë do të kenë realisht shanse për ta fituar ndeshjen dhe për të marrë tri pikët. “Unë mendoj se Bosnja ka më shumë presion se ne, pasi duhet të fitojë patjetër. Juve nuk ju intereson barazimi dhe ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Megjithatë, logjika më thotë se nëse nuk pësojmë gol në 20 minutat e para, Shqipëria ka shanse reale që ta fitojë ndeshjen. Unë kam në dispozicion një grup solid futbollistësh që e dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë. Bosnjë-Hercegovina është një skuadër me kualitete të mëdha, por ama, edhe ne kemi shumë potencial, ndaj, kurrsesi nuk mund të ndihemi inferiorë ndaj jush”, është shprehur trajneri i përfaqësueses shqiptare, para medias boshnjake, duke treguar besim të plotë te potenciali i përfaqësueses kuqezi, para një ndeshje shumë të rëndësishme.











