Josip Kuzhe ankohet: Kam një ekip rezervash

Aug 21, 2011 | 12:17

Kombëtarja e Shqipërisë po kalon një nga momentet më të vështira, për sa i përket pozitës së lojtarëve me ekipet e tyre.Lorik Cana nuk është aktivizuar aspak me Lacion të enjten në mbrëmje, kur mposhti Rabotniçkin e Shkupit me rezultatin 6-0, sfidë e vlefshme për eliminatoret e Ligës së Europës. Cana u transferua te klubi italian muajin e kaluar, por ambientimi i tij duket se nuk po kryhet shpejt, ose më saktë, nuk ka arritur ende të fitojë besimin e plotë të trajnerit Reja. Në ndryshim nga Lazio, te Kombëtarja e Shqipërisë Cana është lojtari kryesor. Gjithsesi, Loriku nuk është i vetmi përfaqësues i Shqipërisë që po kalon ditë të vështira para ndeshjes së rëndësishme të Kombëtares. Shqipëria pret më 2 shtator Francën në “Qemal Stafa”, në ndeshjen që zhvillohet në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2012”. Fakti që futbollistë kryesorë të ekipit kuqezi po qëndrojnë në stol, e ka shqetësuar jo pak trajnerin Josip Kuzhe. “Natyrisht që nuk është mirë që një pjesë e lojtarëve nuk po luajnë për skuadrat e tyre. Do të kisha dëshirë që të gjithë të ishin titullarë, por unë tashmë jam mësuar dhe jam pajtuar me faktin që lojtarët të cilët llogaris janë zëvendësues në klubet e tyre. Sikur ata të luanin rregullisht, paraqitjet e Kombëtares do të ishin më cilësore”, ka thënë Kuzhe për median kosovare. Një deklaratë kjo që tregon qartë pakënaqësinë e tij për formën dhe situatën që po kalon ekipi për momentin. Edhe pse disa prej futbollistëve bëjnë paraqitje të mirë me Kombëtaren, kjo nuk ndikon në pozitën që kanë në klubet respektive.
Aktivizimet
Ndërsa Cana nuk e ka nisur mirë aventurën me Lacion, nuk do të thotë që ai është një lojtar problematik. Kapiteni Altin Lala nuk është grumbulluar fare në ndeshjen e fundit të Hannoverit në Bundesligë dhe në atë që skuadra gjermane e luajti të enjten në kuadër të Ligës së Evropës. Me skuadrën nuk grumbullohet edhe sulmuesi Edmond Kapllani, që kundër Malit të Zi u aktivizua në pjesën e dytë. Sulmuesi është pjesë e Augsburgut dhe, në fakt, trajneri nuk ka deklaruar se është i pesti në listën për t’u aktivizuar, për sa u përket futbollistëve të repartit të avancuar. Klodian Duro e Ervin Skela nuk kanë ende skuadra. Duro kundër Malit të Zi u aktivizua në pjesën e dytë, ndërsa Skela nuk u ftua fare. Sulmuesi Erjon Bogdani është në kërkim të një skuadre të re, ndërsa sulmuesi Hamdi Salihi, ndonëse shënon rregullisht, nuk është çdo herë në formacionin e Rapidit të Vjenës. Jahmir Hyka, që kundër Malit të Zi ishte zëvendësues, të njëjtin trajtim e ka edhe te Luzerni zviceran. Zëvendësuesi tjetër, Elis Bakaj, nuk luajti në ndeshjen e fundit të Dinamos së Bukureshtit. Titullar te skuadrat e tyre janë: Samir Ujkani (Novara), Kristi Vangjeli (Aris), Armend Dallku (Vorskla), Debatik Curri (Gençlerbirligi), Gjergji Muzaka (Skënderbeu), Ansi Agolli e Admir Teli (Karabag), si dhe Ervin Bulku (AZAL Baku). Por, kampionatet e Italisë, Turqisë, Greqisë e Shqipërisë nuk kanë nisur ende, ndërsa kampionati i Azerbajxhanit, ku paraqiten Bulku, Agolli e Teli, vlerësohet i cilësisë së dobët.
Franca
Josip Kuzhe pret paraqitje të mirë kundër Francës, ndonëse forma e lojtarëve lë për të dëshiruar. Ai ka thënë se për ndeshje me francezët llogarit kryesisht lojtarët që janë paraqitur kundër Malit të Zi. “Nuk do të ketë shumë ndryshime. Kjo është ndeshja më e rëndësishme për ne. Me Malin e Zi u paraqitëm mirë dhe shpresoj se edhe me Francën do të kemi po ashtu paraqitje të mirë. Fitorja kundër Malit të Zi ka ngritur moralin te skuadra. Shpresojmë në rezultat pozitiv”, ka thënë Kuzhe.

Lista

Situata e futbollistëve
të Kombëtares me klubet e tyre
Rezerva
Lorik Cana (Lacio)
Altin Lala (Hanover)
Erion Bogdani (Çezena)
Hamdi Salihi (Rapid)
Jahmir Hyka (Luzernë)
Elis Bakaj (Dinamo B.)
Edmond Kapllani (Augsburg)
Emiljano Vila
(PAS Janina)
Isli Hidi (AEL Limasol)
TitullarE
Samir Ujkani (Novara)
Armend Dallku (Vorskla)
Ansi Agolli (Karabak)
Admir Teli (Karabak)
Ervin Bulku (Azal Baku)
Kristi Vangjeli (Aris)
Andi Lila (PAS Janina)
Gjergji Muzaka (Skënderbeu)
Ahmed Januzi (Vorskla)
Pa skuader
Ervin Skela
Klodian Duro

Sulmi, reparti më problematik

Si rrallëherë, reparti sulmues është bërë më problematiku, për sa i përket aktivizimit të lojtarëve me klubet e tyre. Erjon Bogdani nuk është më titullar te Çezena, madje po mendon që të largohet nga klubi italian. Hamdi Salihi nuk është më i paprekshëm në formacionin e Rapidit. Ardhja e trajnerit të ri në krye të austriakave ka bërë që shkodrani të provojë shpeshherë stolin. Në një situatë edhe më të vështirë është Edmond Kapllani. Ndërkohë, lojtarë që ndihmojnë sulmin, si Skela apo Bakaj, janë respektivisht pa skuadër dhe rezervë.

© Panorama.al

Te lidhura