Jorgo Papingji ishte vetëm 8 muajsh kur babai i tij u arrestua nga nazistët! Si e mori familja lajmin se Perikli Papingji nuk doli i gjallë nga kampi Mat’hauzen

Jun 10, 2024 | 13:51
SHPËRNDAJE

ILIR ÇUMANI ILIR ÇUMANI

Sot, është dita e lindjes e njërit prej poetëve më domethënës të poezisë së muzikuar në historinë e Festivaleve të Këngës në RTSH.

Në 50 vitet e fundit, ai ka dhënë një kontribut shumë të vlertë në pasurimin dhe modernizimin e fondit arkivor të trashëgimisë në fushën e muzikës dhe të këngës së lehtë shqiptare, dhe jo vetëm. Si sot, më 10 qershor të vitit 1942, lindi mjeshtri i metrikës së vargut, i fabulave dhe baladave, Jorgo Papingji, poeti më i dashur i shumë shqiptarëve, i cili dy muaj më parë u largua fizikisht nga jeta.

Perikli Thoma papingji1
Perikli Papingji, babai i Jorgo Papingjit

Duket se në fëmijërinë e largët, fati nuk ka qenë edhe aq bujar me Jorgon Papingjin, sepse në rrethana aspak të zakonshme ai mbeti një i mitur jetim. Ishte vetëm 8 muajsh kur në vitin 1943, babai i tij, Perikliu, u arrestua së bashku me 308 burra të Vlorës, në periudhën kur Gjermania naziste kishte pushtuar jo vetëm Shqipërinë, por një pjesë të rëndësishme të Evropës. Atëkohë, ai u deportua dhe u internua në njërin prej kampeve më famëkeqe të përqendrimit dhe të shfarosjes masive në Mat’hauzen të Austrisë, i ngritur enkas gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetëm në vitin 1945, përmes Kryqit të Kuq u mor vesh lajmi se ai nuk mundi të dalë më i gjallë prej andej.

Perikli Thoma papingji jorgo papingji1
Jorgo gjashtëmuajsh me të atin, Perikliun, në Vlorë, nëntor, 1942

Mungesa fizike e figurës qendrore të babait në familjen Papingji, e bënë Jorgon një fëmijë të rritur para kohe. Jeta e përballi me sakrifica të mëdha, edhe pse i mbështetur nga një nënë e dhembshur dhe e përkushtuar. Por, nga ana tjetër, kjo e bëri edhe më të fortë në karakter, me ambicie të mëdha për jetën, për të ardhmen, duke studiuar dhe punuar shumë për t’u bërë ai që sot e njohim të gjithë, një prej emrave më të bukur të artit dhe kulturës sonë kombëtare.

Magdhalini Papingji1
Magdhalini Papingji, nëna e Jorgo Papingjit

Ndoshta kjo rrethanë ishte një arsye më shumë, që u bë shtysë tek unë për ta përjetuar me ndjesi të pashpjegueshme përgjegjësinë e realizimit të botimit të këtij libri të veçantë. Është një përmbledhje me poezi të muzikuara dhe të përzgjedhura nga i gjithë korpusi i krijimtarisë së tij, si njëri prej autorëve më të zëshëm dhe mjaft domethënës në historisë e Festivaleve të Këngës në RTSH dhe jo vetëm, mjeshtërit të fjalës dhe teksteve të muzikuara, Jorgo Papingji.

Ideja për të vijuar nismën e botimit me këtë autor, pas botimit dhe publikimit të krijimtarisë së poetes të mirënjohur Zhuliana Jorganxhi, e ka ravijëzuar edhe më tej mendimin dhe bindjen time se, përpjekje të tilla nuk janë thjesht dhe vetëm një tekë dhe shije personale e një individi apo grup individësh, as edhe një ngasje apo kënaqësi e çastit që të jep dëshira për t’u marrë me një proces të tillë pune që rrek hulumtimin, përzgjedhjen dhe publikimin e tyre.

Asesi jo! Kjo sipërmarrje s’ka të bëjë as edhe me ndonjë sprovë, e ndërkohë, vlen më shumë se kaq; ngase nisma si këto vijnë natyrshëm, si një përpjekje dhe nevojë e ngutshme që lidhen domosdoshmërish me identitetin tonë kulturor, me të shkuarën, me të tashmen dhe të ardhmen e muzikës shqiptare.

Ka të bëjë me rrugëtimin dhe sfidat që ndërthuren me ruajtjen e përvojës më të mirë, ato synojnë të përcjellin nga njëri brez tek tjetri mushtin e traditës, kulturës dhe zakoneve aq të vyera, jo vetëm të artit muzikor shqiptar në tërësi, por veçmas edhe të një nënlloji degëzimi të këtij arti, i panjohur më parë, i munguar nga çdo studim e litarti, i panjohur më parë, i munguar nga çdo studim e literaturë bashkëkohore, siç është edhe poezia e muzikuar…

Sepse kënga në vetvete, ndryshe nga të gjitha llojet e nënllojet e artit në përgjithësi, ka një ndikim të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë në shijet estetike dhe edukimin e publikut të gjerë. Ajo lidhet me mesazhet dhe emocionet, ndërvepron organikisht në marrëdhëniet dhe sjelljen e njeriut në jetën e përditshme.

Përmes tingujve dhe ndjesive që përcjell metrika e fjalës e harmonizuar brenda vijës melodike, kënga përçon një emocion të shumëfishtë. Ajo frymëzon dhe të bën të meditosh për më idealen, për atë që është më e paprekshme dhe e shenjtë, që është njerëzore, e bukur, njëkohësisht edhe qiellore e hyjnore.

Kënga, më së shumti të bën të meditosh dhe të reflektosh për të gjitha gëzimet dhe vrundujt që të sjell jeta në përballje me sfidat e saj, në mbrojtje të dashurive të mëdha e të pastra, por njëherësh, të bën të mendosh edhe për luftën e përhershme që duhet të bësh për të shpëtuar jetën, dashuritë e humbura e mbase edhe të pakthyeshme, të sotmen dhe të ardhmen.

Është po kaq e vërtetë që kënga ndikon fuqishëm në ringjalljen dhe ripërtëritjen e ëndrrave të vrara, përmes përpjekjeve më sublime që bën njeriu çdo ditë dhe çdo çast për të rilindur shpresat e mëdha, me qëllimin final: arritjen e ngadhnjimit në të gjitha betejat me të keqen, kundër dhimbjes, kundër urrejtjes, kundër gjithçkaje që na duket e pamundur dhe e paarritshme…

Një këngë, kur pëlqehet, e dëgjon dhe e pranon ashtu siç është dhe pa e kuptuar e bën pjesë të jetës tënde. Sepse kur muzika dhe teksti trupëzohen harmonikisht me njëratjetrën, kthehet në “ushqim” shpirtëror të pashmangshëm, ajo ngjizet që herën e parë kur e dëgjon, ngase të miklon dhe të mbetet në buzë duke e kënduar përgjithmonë… . Kjo është magjia që ka muzika!

Kënga, si nënlloj i artit muzikor ngjan si një krijimtari e vogël, por njëherësh është edhe një transmetues i fuqishëm dhe i shpejtë i kumteve dhe mesazheve humane, i emocioneve, ndjesive dhe përjetimeve që natyrshëm përcillen tek njeriu. Si të thuash, është një mjet i pazëvendësueshëm i komunikimit shpirtëror, i ndërveprimit emocional, nga më të përhapurit.

Muzika, në të gjitha kulturat e kombeve dhe popujve të tyre, përgjatë gjithë historisë së njerëzimit nuk ka njohur dhe nuk njeh kufij gjeografikë, e padyshim, mjeshtërit e kësaj “zeje” artistike me origjinë mijëravjeçare, kanë pasur dhe kanë pjesën më të madhe të barrës për të realizuar krijime sa më të bukura e të qëndrueshme, për t’i dhënë sa më shumë oksigjen, shpirt, frymë dhe jetë këngës së vërtetë.

Që ajo të jetojë sa më gjatë, duke na shpërfaqur në të përditshmen tonë të gjitha dimensionet reale të marrëdhënieve njerëzore, zakonet dhe traditat më të mira të mënyrës së jetës që kanë bërë paraardhësit tanë, por edhe për vazhdimësinë e jetës që përcillet në ditët e sotme. Me gjasa, kështu do të ndodhë edhe me brezat e ardhshëm.

Një prej “zejtarëve” profesionistë të kësaj mjeshtërie aristokrate, padyshim është edhe Jorgo Papingji. Me krijimtarinë e tij të begatë, ishte dhe mbetet një mjeshtër elegant i metrikës së vargëzuar, një tekstshkrues mjaft inteligjent dhe i përkorë i mijëra teksteve të muzikuara të këngës së lehtë shqiptare dhe atyre tradicionale e popullore.

Jorgo Papingji, në të njëjtin rrugëtim me sivëllezërit e gjeneratës së tij si, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Zhuliana Jorganxhi, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Fatos Arapi, Betim Muço, Agim Isaku, Gjok Beci, Arben Duka, Koçi Petriti, Agim Doçi etj., sollën së bashku një frymë novatore në muzikën e këngës së lehtë shqiptare. Duke ruajtur një kadencë të thjeshtë, qartësisht të kuptueshme, ata vendosën standardet më të epërme të këngës bashkëkohore dhe asaj moderne, me plot shije, estetikë e mendim, dhe elegancë.

I shfaqur me një talent mjaft befasues e mbresëlënës në mesin e viteve ’70-të, ai mund të konsiderohet padyshim po aq i suksesshëm dhe ngjashëm si dy pika uji me tekstshkruesin e famshëm italian, Giulio Rapetti, i njohur me pseudonimin artistik “Mogoli”, i cili, atëkohë i dha shpirt këngës bashkëkohore dhe asaj moderne italiane, duke e dominuar skenën e Festivaleve të Sanremos me tekste të bukura e të pavdekshme, të kënduara nga këngëtarët e famshëm italianë si Lucio Battisti, Adriano Çelentano, Domenico Modugnio, Toto Cutugno, Massimo Ranieri, Lucio Dalla, Gianni Morandi etj.

Formimi akademik i Jorgo Papingjit në shkencat ekzakte, fizikë – matematikë, në pamje të parë duket sikur nuk ka asnjë lidhje me fushën ku lëvroi për afro gjysmë shekulli të gjithë talentin e tij të praruar e të begatë. Përkundrazi!

Ndoshta ky fakt e ndihmoi të ishte mjaftueshëm i vetëpërmbajtur e racional, shpeshherë edhe i kursyer në atë që dinte të bënte më mirë, duke qëndruar larg tipologjive të njohura të krijimeve propagandistike, të dallueshme nga klishetë skematike e shtampat e përgjithshme indoktrinuese të një arti të rekomanduar dhe të kontrolluar.

Si një “sizmograf” i ndjeshëm, Papingji, si pak prej të ngjashmëve të tij, pati aftësinë për të kuptuar të gjitha forcat dhe kahjet e dinamikave që po merrnin zhvillimet socio-politike të vendit. Që në krye të herës, ai u kthye në një pelegrin dhe lajmëtar të shpresës për ringjalljen kombëtare përmes fjalës dhe muzikës.

Kjo e shpjegon edhe më qartë arsyen pse krijimtaria e tij ishte kaq ndikuese, kaq përfaqësuese, e përqasur me nevojat shpirtërore dhe shijet e publikut të gjerë. Poezia e tij është e vërtetë, e sinqertë, e thjeshtë, e pastër, e kuptueshme dhe komunikuese e drejtpërdrejtë.

I spikatur jo vetëm si një lirik që shkroi kaq shumë për dashurinë, Papingji ishte edhe një mjeshtër i rafinuar i baladave sociale, ngase ishte një vëzhgues mjaft i vëmendshëm i fenomeneve dhe problemeve të shumta të jetës së përditshme që kalonte dhe i përjetonte me dhimbje shoqëria.

jorgo papingji4

Periudha tejet e zgjatur e tranzicionit shqiptar, që dukej se nuk do të kishte fund, shkaktoi mjaft konflikte sociale dhe politike që sollën drama dhe plagë të rënda e të dhimbshme për gjithë shoqërinë.

I shqetësuar për fatet e saj dhe të vendit, poeti qëmtonte detaje, ndërtonte fabula të fuqishme mbi të cilat krijonte vargje që përcillnin kumte tronditëse, por edhe frymëzuese; ato të magjepsnin, jo vetëm për thjeshtësinë dhe vërtetësinë e tyre, por edhe për mesazhet e qarta të cilat mbeten gjithmonë aktuale.

Kjo e shpjegon edhe faktin pse krijimtaria e tij arriti kulminacione të reja, duke qenë nga më prodhimtarët, i pranishëm në shumicën e ngjarjeve kulturore të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, tekstet e tij ishin të preferuara për t’u muzikuar nga mjaft kompozitorë dhe interpretë të këngës.

Metrika e vargëzimit në tekstet e tij, ka brenda shpirtin e lirë të një bohemi avangardë, të poetit të përvuajtur e të pagjumë, mendimin e shqetësuar të intelektualit dhe edukatorit zemërdhembshur. Brenda qenies së tij qëndron gjithmonë e strukur angështia dhe klithma e pazhurmë e Njeriut të shqetësuar për Njeriun… Atje vibron së brendshmi në gjithë qenien e tij ofshama e një dhimbjeje të pamatë, prej mungesës së dashurisë, gëzimit dhe lumturisë të një fëmijë të vetmuar, pa ngrohtësi dhe pa një vatër familjare…

Ti që ditë për ditë/ e ëndërrove fëmijërinë,/ fëmijërinë s’e preke kurrë./ Ti që fale moshën/ për të mbajtur gjithë shtëpinë,/ ti u bërë foshnjë-burrë…

Kush më mirë se Jorgo Papingji mund ta ndjejë këtë dhimbje, këtë dramë të madhe sociale që mbajnë sot mbi shpatullat e tyre të njoma shumë prej fëmijëve të pafajshëm?!

Sa tronditëse aq edhe demaskuese vijnë këto vargje. Ato akuzojnë haptazi një realitet shoqëror që mban të fshehur brenda vetes një fenomen që ende vjen në kohët e sotme si reminishencë e së kaluarës, që lidhet me ftohtësinë, vrazhdësinë, indiferencën, përjashtimin social…

Dashurinë nuk e kam njohur, / dashurinë te njerëzit e kërkoj, / kërkoj një dorë që ta shtrëngoj,/ një dorë që t’i besoj…../ Unë mëshirën nuk e dua/ dhe nga njerëzit, jo nuk e kërkoj./ Kërkoj një dritë të më ndihmojë/ dhe rrugën time ta ndriçoj…

Poeti nuk lë jashtë kësaj tabloje të shëmtuar një sistem të tërë, të cilit i mungojnë rregullat dhe shtyllat kryesore të kohezionit social për të marrë në mbrojtje fëmijët, ata që janë më të ekspozuar dhe më të pambrojtur nga dramat dhe plagët e reja sociale.

Ndaj edhe apelon për më shumë dashuri e dinjitet për jetën. Ai e përbuz mëshirën si një prej shkaqeve që nuk e zgjidh problemin, ngase mëshira nuk i shëron plagët, por veçse i mban gjithmonë të hapura kur ato nuk mjekohen siç duhet.

Teksa merresha me procesin e strukturimit të librit, në pjesën e përmbledhjes së kujtimeve për Jorgon nga shumë miq e kolegë dhe dashamirës të tij, kuptova se sa shumë gjurmë të thella paska lënë ky magjistar i fjalës së këngëzuar në jetën e gjithsecilit prej nesh, sa shumë dashuri dhe gazmend ka në këto gjurmë…

jorgo papingji3

Padyshim, janë breza e breza të tërë që janë rritur dhe e kanë përjetuar mrekullisht talentin dhe befasinë që përcillte fjala e tij përmes këngës, veçanërisht në një kohë aq të zymtë ku të gjithëve na mungonte shumëçka, por jo gjithçka… Sepse ja ku ishin ata, “murgjërit” e heshtur dhe të mençur të fjalës, të cilët mbanin ndezur dritën e pishtarit të shpresave të mëdha, që na i mjekonin dita-ditës vragat e zbrazëtirave shpirtërore të atyre viteve, duke na i mbushur zemrat tona me aq shumë dashuri, ngrohtësi e shpresë.

Rrallëkush si Papingji dhe sivëllezërit e tij ndikuan ndjeshëm dhe kaq shumë në shijet estetike të së bukurës, të së mirës, tek pjesa më e madhe e njerëzve të zakonshëm, duke e humanizuar dhe pasuruar shoqërinë me idealet më të pastra, me aspiratat dhe dashurinë e madhe për jetën, për të ardhmen, për familjen, Atdheun, tokën ku u lindëm, u rritëm dhe ku do të prehemi.

Është një jetë e tërë, që përmes fjalës së tyre të këngëzuar, është shkruar dhe arkivuar një pjesë e rëndësishme e historisë së popullit, e një kombi sa vital aq edhe energjik, që në ashtin dhe kurmin e vet kanë mbetur të gdhendura si dëshmi të kohës që jetuam, të gjitha përpjekjet, sfidat e mbijetesës dhe të ekzistencës për të qenë gjithmonë të lirë, të pavarësuar dhe të prosperuar, të begatuar dhe po aq krenar sa ç’janë të gjitha kombet e zhvilluara dhe të qytetëruara kudo në botë.

Papingji, me krijimtarinë e tij kaq të pasur me metafora dhe simbolika të fuqishme, ishte dhe do të mbetet një poet i pakohë… Ai u rrit jetim pa baba, por u bë mrekullisht ATI më i dashur dhe më shembullor i FJALËS së këngëzuar… Eh, çfarë pasurie të madhe le pas Poet…!

jorgo papingji5

IKJA E NJË POETI QË NUK PATI KOHË TË VDESË….

– Requiem –

Po thonë se Jorgo Papingji e dha frymën e fundit dhe trupin ia lëshoi tokës. Por, më besoni miq, poeti nuk ka vdekur! Ai nuk vdes, sepse poetët si ai nuk dinë të vdesin kurrë… Le të themi më mirë se, nuk kanë kohë të vdesin…

Ngase poetët e vërtetë vijnë në këtë jetë si shërbestarë dhe misionarë të së mirës, të së bukurës. Ata janë dishepujt e urtë dhe të mençur të shpresave dhe dashurive të mëdha, por janë edhe mbartës stoikë e të qenësishëm të shqetësimeve e dhimbjeve të mëdha njerëzore. Ata nuk dinë të jetojnë kurrë për veten e tyre, jetojnë për të tjerët, për jetën, për njerëzit, jetojnë për të shkuarën, për të tashmen dhe për të ardhmen.

A nuk ka ndodhur kështu edhe me mjeshtrin e fjalës së kënduar, Jorgo Papingji!? Nuk ka fëmijë dhe të rritur, grua apo burrë, gjysh apo gjyshe flokëbardhë që të mos e njohë poetin, këtë magjistar të fjalës të këngës. Ai hyri natyrshëm pa trokitur dhe pa zhurmë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, duke zënë vend në çdo sofër familjare. Sa bukur e jetove jetën, poet! Në vargjet e tua kishte vetëm dashuri, shpresë, dritë dhe jetë!

Ndaj edhe nuk ke vdekur, sepse nuk dite kurrë të vdesësh! Udhëtove pafundësisht në të gjithë universin e kësaj bote që të rrethonte, gjithë gazmend, ndaj vazhdo dhe jeto miku im, ashtu siç vetëm Ti di të jetosh!

Në “Ditën e Poezisë”, një poet zgjodhi të shkruajë elegjinë e fundit hokatare të ikjes së tij fizike, si për të na kujtuar se asgjë në këtë botë nuk duhet marrë seriozisht, përfshirë edhe vdekjen… Ndaj, të gjithëve ne, bashkëkohësve të poetit që e jetuam prej dekadash mesazhin dhe kumtin e fjalës së tij, na takon t’i themi “Jo” largimit të Jorgo Papingjit nga bota e të gjallëve! Të më falësh mik, por zemra nuk më bindet të nxjerr nga goja fjalën: Lamtumirë!

Të paktën vetëm sonte, le të themi: “J0…”! Kështu e thua edhe ti në një nga vargjet e tua, POET…!”

*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura