
Një linjë veshjesh intime prej 50 modelesh, që mbajnë firmën e stilistes Jona Muça, kanë gjetur treg në Gjermani. Veshje komode, por edhe sensuale, për të gjitha moshat, femra e meshkuj. Hera e parë që një stilist shqiptar çan në tregun e huaj me veshje origjinale dhe me emër të personalizuar.
Për Jonën është më e thjeshtë të stilojë një koleksion të tërë sesa të flasë për mediat. Për të, kjo është puna që di të bëjë më mirë dhe çdo arritje ajo e quan thjesht dhe vetëm rezultat të punës së saj. S’ka asgjë për t’u çuditur. Por kur bëhet fjalë që emri i saj të figurojë mbi mijëra veshje të destinuara për tregun gjerman, e ka të pamundur t’i shmanget mediatizimit. Stilistja Jona Muça ka fituar të drejtën e realizimit të një linje veshjesh intime, të cilat janë destinuar për tregun gjerman. Janë plot 50 modele veshjesh, duke filluar që nga adoleshentët tek mosha e tretë. Promotor i kësaj nisme është USAID, i cili ka ndërmarrë një projekt për të ndihmuar prodhuesit dhe stilistët shqiptarë. Prodhuesit e veshjeve do të jenë gjithashtu shqiptarë. Bëhet fjalë për “Bella Confex” në Shkodër, e cila deri më tani ka operuar në tregun shqiptar e italian vetëm me veshjet intime. Mjaftoi që përfaqësuesit e USAID të shihnin disa modele të Jonës në faqen e saj në facebook, që të vendoste që stilistja do të ishte pikërisht ajo, edhe pse nuk kishte stiluar më parë veshje të tilla. “Na kërkuan 50 modele për 15 ditë. Iu vumë punës familjarisht, bashkë me vajzën, djalin e bashkëshortin dhe arritëm të paraqisnim 50 ide për grupmosha të ndryshme. Do të ndiheshim me fat sikur të na pranonin vetëm 5 syresh, por ata i pëlqyen të gjitha. Përfaqësuesit amerikanë të USAID ishin aq të entuziazmuar, saqë kërkuan të vizitonin atelienë time”, thotë Jona me një modesti të pashembullt. Sipas stilistes, të gjitha modelet do të realizohen nga ajo e mbi to do të shumëfishohen mijëra të tjera. Ndryshe nga shumë të tjerë që dinë të heqin vetëm viza mbi letër, Jona jo vetëm vizaton, por edhe i zbërthen modelet e saj, i pret e i qep vetë, deri në detajin e fundit. Të dish të qepësh e të presësh, për të është e domosdoshme për një stilist. Jo më kot përfaqësuesi i USAID-it do ta quante një “specie në zhdukje”.
Modele e materiale

Nëse stilistja dhe prodhuesi do të jenë shqiptarë, materialet do të prodhohen jashtë, enkas për modelet e Jonës. Materialet janë të ndryshme, që nga pambuku komod, që u rri për shtat të gjitha moshave, tek mëndafshi e dantella për një veshje më seksi. Veshjet nuk do të jenë vetëm bardhë e zi, Jona është kujdesur që të ketë ngjyra, por edhe dizenjo interesante. Me modelet e Jonës do të vishen që nga 12-vjeçarët gjermanë, tek ata mbi 50. Linja është parashikuar si për femra, ashtu edhe për meshkuj. Gjithçka do të jetë e kuruar deri në detaj, jo vetëm sepse kjo është mënyra e të punuarit të Jonës, por edhe sepse prej saj varet edhe ecuria e koleksionit dhe bashkëpunimi i mëtejshëm. Kjo është hera e parë që një linjë veshjesh kaq e gjerë mban një emër shqiptar dhe për Jonën, kjo nuk është thjesht një arritje personale.
Punë në familje

Ajo thotë se nuk do t’ia kishte dalë dot mbanë nëse nuk do të kishte edhe ndihmën e familjes së saj. “Është bukur të punosh në grup, sepse secili sjell ide dhe shije që u përshtaten moshës. Kështu vajza, Frensi, sjell freskinë e moshës 20-21-vjeçare, mënyrën se si ajo dhe bashkëmoshatarët e saj duan të vishen e se si ndihen më mirë. Ndërsa Arioni sjell frymëzimin e një djali të ri, imazhin që ai ka për femrën që do të donte të kishte në krah, mënyrën se si ai do të donte të ishte e veshur… Kështu arritëm të krijonim 50 modele dhe ato të pëlqeheshin e të dukeshin të vërteta”, thotë stilistja, e cila tashmë ka ndërtuar një emër mjaft të mirë në Shqipëri. Jona Muça jo vetëm që vesh një pjesë të mirë të artistëve shqiptarë, por ka edhe një bashkëpunim të ngushtë me televizionin “Klan”, ku realizon veshjet e të “Dielës shqiptare”, por edhe të shumë këngëtarëve të festivalit “Kënga Magjike”, apo spektakleve të tjera të këtij ekrani.
ALMA MILE
© Panorama.al











