Do të vazhdojmë edhe kësaj rradhe të merremi me opozitën dhe Edi Ramën sepse jemi krejt të kthjellët se aty duhet bërë shqyrtimi i thellë i ndërgjegjes dhe maturisë politike për të mbarsur zgjidhje, alternativa, e jo provokuar kriza e pusi.
Duket qartë si drita e diellit në çdo akt, fjalë, veprim, taktikë e strategji të tij, se Edi Rama është më shumë i ndërgjegjshëm për pushtetin që nuk ka, sesa për pushtetin që ka. Për shkak të kësaj gjendjeje psiko-politike në të cilën ndodhet ai prej vitesh, opozita ka reshtur së frymëzuari e së besuari se mund të frymëzojë dhe gjithçka ka bërë, ka qenë zhytja në beteja radikale e kaotike-politike dhe elektorale që kanë kumtuar e kërkuar që gjithkush të bashkohej përtej të majtës e së djathtës për të kaluar nëpër të vetmen rrugë. Janë bërë beteja sublime duke konsumuar skajin më të lartë vleror të vetësakrifikimit në grevë urie, për qëllime e kauza të padenja për këtë akt. Janë bojkotuar për një periudhë kohe parlamenti e institucionet, janë zhvilluar mijëra protesta të stisura me mbushje bulevardi e sheshi, jo nga besimi i njerëzve, por nga mirëorganizimi i strukturave partiake. Madje, kemi mbërritur deri te përleshjet e forta të 21 Janarit 2011, ku u synua, provokua dhe u arrit prodhimi i 4 të vrarëve që nëpërmjet tyre të stisej vazhdimi i kauzës. Të tëra këto, në fund fare janë përmbyllur me darka e takime sekrete me Ilir Metën, duke zhvleftësuar çdo gjë është ndërtuar me aq mund e trill nga opozita e pas vitit 2005. Gjithçka, mori vlerën e një kalkulimi banal numrash dhe intrigash brendaelitore, pikërisht sepse opozita e Edi Ramës nuk prodhon dot zgjim, shpresë, frymëzim, nxitje për ndryshim. Kjo opozitë nuk beson dot as vetë në kapacitetin dhe mundësitë e saj për të frymëzuar e fituar, e jo më të ngjallë besim te njerëzit e thjeshtë, qytetarët. I kornizuar ngushtësisht nga ndjesia dhe ndërgjegjësimi për pushtetin që nuk ka, Edi Rama nuk vepron dot si lider i opozitës, por si një njeri që duhet të bëhet patjetër kryeministër. Ai nuk e kupton, nuk e dallon, nuk e ndjen dot fare pushtetin e jashtëzakonshëm që ka lideri i opozitës. Ai as i kupton, as i dallon, e as ka ndonjë lloj ndërgjegjësimi për detyrat e përgjegjësitë që i lindin si lider i opozitës për shkak të këtij pushteti që ka. Jo, ai e ndjen si padrejtësi faktin që është lider i opozitës. Ndaj edhe veprimtaria, ligjërimi, taktikat e strategjitë e tij, udhëhiqen vetëm nga ky ndërgjegjësim për pushtetin që nuk e ka, e njëkohësisht nga nënçmimi për detyrën që mban. Edi Rama, është shndërruar ditë pas dite në një nopran politik, që i përngjan së shumti atij modelit të rëndomtë të ‘tranzicshqiptarit’ i cili, pasi vjen në qytet, pëson shok kultural, e kur fillon punë kamarier, ndërsa e pyesin ç’punë bën, përgjigjet: ‘Për momentin jam kot për qejf kamarier, por shumë shpejt do bëhem deputet.’ Erdhi si artist, si ‘outsider’ dhe ndërsa punon si lider opozite, i shokuar kulturalisht nga ‘qyteti politik’, kur e pyesin ç’punë bën, përgjigjet: ‘Për momentin jam kot për qejf, kryetar i PS, por shumë shpejt do bëhem kryeministër.’ Sjellje dhe ndërgjegjësim i tillë, bën që Edi Rama të mos e kryejë dot kurrë mirë dhe me pasion detyrën që ka. Ai është më shumë i prirur të sillet si kryeministër që do të bëhet, sesa si lider i opozitës. Ngërçi i tij psiko-politik kthehet në një ngërç të opozitës e si rrjedhojë në një ngërç të sistemit tonë demokratik, por edhe të mbarëvajtjes së punëve në vendin tonë. Sjellje dhe ndërgjegjësim i tillë karakterizohet nga frika, mosbesimi, mosbashkëpunimi, bllokimi, arlekinizmi. Edi Rama ka frikë nga gara dhe konkurrimi, sepse ai e ndjen si padrejtësi kalimin nëpër këtë proçes, ngase ai duhet të ishte, duhet të jetë kryeministër patjetër. Plot modesti e sigurisht pa pretenduar vërtetësi apo autoritet shkencor, nëse i lexojmë dhe analizojmë drejt shenjat e ligjërimit, veprimtarisë, taktikave dhe strategjive politike të Edi Ramës në këto vite, ardhja e tij në ‘qytetin politik’ sipas mendjes së tij, duhet të ketë qenë një fat i madh për vetë ‘bashkëqytetarët e këtij qyteti’, kësisoj, ata duhet ta kuptojnë se nuk ka asnjë arsye që ta detyrojnë Edi Ramën që të kalojë nëpër proçese të lodhshme konkurimi dhe garash, të cilat kërkojnë shumë punë e kokëçarje për të frymëzuar njerëzit, për të ofruar zgjidhje e alternativa, për të prodhuar shpresë dhe besim. Sepse, sikurse ai vetë thoshte nëpër fushatat e tij elektorale, Edi Rama është fuqia e ndryshimit, me pak fjalë vetë Edi Rama është kumti, vetë Edi Rama është zgjidhja, e pra Edi Rama është ‘Shpëtimtari’, të tjerat nuk kanë pikë rëndësie…
Edi Rama në gjithë këto vite ka hyrë në beteja politike apo gara elektorale për shkak të rregullave që ka ‘qyteti politik’ në një vend demokratik, por në asnjë rast nuk është sjellë si ‘i brendshëm’. Gjithmonë është sjellë si ‘Shpëtimtar’ ose ‘Kurban’. Ka shpikur Djallin me brirë tek kundërshtari i tij politik Sali Berisha dhe të gjitha problemet, fajet, ligësitë i sheh vetëm tek ai. Epo nuk ka faj, Sali Berisha është kryeministër, duke mbajtur peng padrejtësisht një detyrë që duhet ta kryente Edi Rama. Ai që ka atë që nuk e ka Edi Rama, patjetër që duhet të jetë ‘Djalli’, përderisa Edi Rama është ‘Shpëtimtari’.
Pa i hyrë historisë e analizës së të gjitha betejave politike dhe elektorale të Edi Ramës në këto vite, tashmë që kemi parashtruar kuptueshmërinë dhe pikëveshtrimin që kemi ne për veprimtarinë e tij politike, po përqendrohemi tek beteja më e re politike në të cilën sjelljet e Edi Ramës nuk kanë ndryshuar fare, por mbarëvajtja e punëve në Shqipëri rrezikohet rëndë.
Ngase Edi Rama nuk po bën detyrën e tij si lideri i opozitës, porse po vazhdon me këmbëngulje të sillet si kryeministër që duhet të bëhet, proçesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës ka pësuar krisje e deformime të mëdha.
Së pari, i mbytur nga dyshimet, mosbesimi, frikërat, ‘kompleksi i garës’ dhe ‘kompleksi i kurbanit’, Edi Rama ka shpikur këtë teorinë e legjitimim-moslegjitimim të proçesit. Nuk paraqet alternativë, refuzon propozimet e PD, nuk imponon emër nga PS, kërkon proçes kur nuk konkuron, kërkon konsensus kur nuk mbështet personalitete e vlera që mund të konkurojnë si fillim për ta gjetur këtë konsensus, e paskëtaj pse jo, për të fituar me garë, dmth, çaprazpolitikë e mirëfilltë. Nuk ka marrëzi dhe mendim më apolitik e ndoshta më qesharak sesa ky që dëgjohet nga politikanë të PS apo nga analistë pranë PS, të cilët sugjestionojnë vetveten dhe ndoshta publikun me teorinë se gjoja, nëse PS paraqet kandidat të sajin në konkurimin për president, atëherë vetvetiu legjitimohet proçesi i zgjedhjes së Presidentit duke përfituar nga kjo Sali Berisha. Këtu për ta bërë sa më intriguese lojën trushplarëse për apartçikët e partisë dhe militantët mendimpakë, ngrihet edhe fabula e blerjes së deputetëve dhe hapjes se pazareve në Kuvend. Çaprazolitika e mosbesimit ka zënë rrënjë edhe në aksionin politik të moslegjitimimit. Edi Rama si kryeministër që do të bëhet, nuk pranon që lojën ta drejtojë ai që është kryeministër padrejtësisht. Edi Rama, nuk i beson asgjëje që del nga apo bashkë me Sali Berishën, i cili është kryeministër padrejtësisht. Edi Rama mund të bëjë pazar me këdo, kurdo, madje edhe duke ngrënë ngjala me Ilir Metën, por vetëm Sali Berisha nuk ka të drejtë, sepse Sali Berisha e humbet këtë të drejtë në momentin që mban padrejtësisht detyrën që duhet ta mbante Edi Rama. Edi Rama nuk pyet as për Kushtetutë e as për ligje, për Edi Ramën një proçes është legjitim ose jo, vetëm atëherë kur merr apo nuk merr pjesë Edi Rama në të.
Po nëse Sali Berisha, ky ‘Djalli me brirë’, që nuk e meriton t’i besohet sipas opozitës, sepse bën shumë hile e pazare, ia del mbanë ta zgjedhë presidentin me ndihmën e hileve dhe pazareve, ose jo, por gjithësesi sipas ligjeve e Kushtetutës?
Ah po, nëse ndodh kjo, atëherë do e kapim Sali Berishën me presh në duar, sikurse e kapëm në 2009, sikurse e kapëm në 21 janar, sikurse e kapëm në 8 maj, e kështu, e kështu me radhë. Edi Rama duke qenë se nuk punon dot si lider opozite, sepse ai shumë shpejt duhet të bëhet kryeministër, ka zgjedhur rrugën e vetme të pusive dhe frëngjive të kotësisë për të provokuar a prodhuar kriza ose shantazh. Mosbesimi i tij tek Sali Berisha, e shtyn drejt strategjisë për bllokimin e proçesit me bojkot ose dëmtim, apo ratifikim hileqar të zgjedhjes së njëanshme të presidentit nga Sali Berisha, akt ky që do ta kapte në gabim flagrant Sali Berishën dhe do të shënonte fundin e tij, sepse ndërkombëtarët do ta ndëshkonin rëndë këtë politikan të pandreqshëm, etj, etj. Vini re, Edi Rama nuk e beson dot se ai vetë mundet që ta mundë Sali Berishën as me konkurim vlerash dhe alternativash, e as me hile shejtani të vogël, por ai shpreson që Sali Berisha të gabojë rëndë e më rëndë, në mënyrë që ndërkombëtarët t’ia heqin detyrën e mbajtur padrejtësisht Sali Berishës dhe t’ia japin atij që i takon, dmth, Edi Ramës.
Shkurt, Edi Rama nuk është i interesuar në zgjedhjen e presidentit, por në rënien e kryeministrit. E logjikisht, Edi Rama, jo se nuk e ka për zemër, porse duke mos bërë detyrën si lider i opozitës, duke u sjellë si kryeministër që duhet të vijë, ai lë pas dore, nuk kujdeset, shpërfill, e ndoshta dëmton padashur e pa e ditur, mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri si edhe shanset për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
Le t’ia ndriçojmë mendjen Edi Ramës duke ia thënë të vërtetën: Nëse funksionon dhe bazuar në këtë çaprazpolitikë të opozitës për ta provuar gabim me bojkot a krizë, Sali Berishën, ky i fundit e zgjedh presidentin në mënyrë të njëanshme, por kushtetuese, atëherë pa asnjë diskutim, proçesi do të jetë legjitim, presidenti/ja do të jetë legjitim/e, por nuk do të jetë as proçesi i duhur për të mirën e Shqipërisë, e ndoshta as presidenti/ja /ie duhur për të mirën e Shqipërisë. Sali Berisha mund të gabojë, por gabimi i tij do të vazhdojë të përpunohet dhe zhvillohet apo tejkalohet nëpër lojërat dhe ekuilibrat e realpolitikës apo gjeopolitikës. Nëse ndodh kështu, atëherë vërtetë mund të ndodhë që Sali Berisha të dëmtohet, por e sigurtë është që më e dëmtuara, e dëmtuara rëndë do të jetë Shqipëria.
Apo nuk ka rëndësi, nëse me dëmtimin e Sali Berishës, dëmtohet edhe Shqipëria, sepse rëndësi ka që të vijë Edi Rama?
E megjithatë e vërteta vijon edhe ca më tutje se kaq. Shpresa e Edi Ramës për ndonjë ndëshkim të Sali Berishës nga ndërkombëtarët në vjeshtën e këtij viti apo shqiptarët në 2013, mund të mos rezultojë edhe aq efikase. Gabimi i zgjedhjes së presidentit në mënyrë të njëanshme nga shumica qeverisëse, mund të barazvleftësohet me strategjinë e bojkotit, apo krizës së nxitur nga opozita, kështu që mund të hyjmë sërish në një qerthull kaosi, pamaturie, pakuptueshmërie dhe tranzicioni grotesk.
Së dyti, Edi Rama refuzon ta mbështesë Fatos Nanon, sepse nuk i beson Fatos Nanos. Edi Rama ende pa qenë kryeministër, është më shumë i ndërgjegjësuar për pushtetin që nuk e ka kryeministri. Paradoksalisht ai duke menduar si kryeministër që do të vijë, nuk i beson Fatos Nanos, sepse Edi Rama nën këtë kontekst psiko-politik edhe po të jetë kryeministër do të jetë më i ndërgjegjësuar për pushtetin që nuk e ka kryeministri, por e ka presidenti. Mbi të gjitha, Edi Rama nuk e mbështet Fatos Nanon në vetëofrimin e këtij të fundit për president, sepse Edi Rama nuk mund t’i lejojë Fatos Nanos atë që nuk ia pranon vetes, dmth, konkurimin, garën. Edi Rama ka shumë frikë nga modeli i politikanit konkurues dhe garues. Fatos Nano është vetëofruar për të pasur mundësinë që të kandidojë për president, duke e bërë të qartë se ai është i gatshëm të konkurojë dhe sprovohet qoftë në mundësinë për të qenë president konsensual, gjë që do të dëshmonte maturinë e klasës politike shqiptare, qoftë në mundësinë për të fituar me një garë të lirë e të ndershme, gjë që do të dëshmonte maturinë e demokracisë shqiptare. Fatos Nano është politikan protagonist e parësor i Shqipërisë së pas viteve ‘90, shumë i spikatur dhe tepër i fortë për të qenë i vetëofruar, për të legjitimuar proçesin e Sali Berishës për zgjedhjen e Presidentit. Fatos Nano ka kërkuar nga PS si fillim, e nga të tjerë në bashkërendim, mundësinë për ta fituar këtë betejë si konsensual, si garues, ose për ta humbur me dinjitet. Nuk ka asnjë kuptim që PS e dyshon ish-kryetarin e saj. Nuk bën asnjë logjikë mbajtja pezull si një emër ndër të shumtët, që mund të ofrojë PS në koshin e madh të konsensusit apo mosmarrëveshjes. Fatos Nano është vlerë dhe aset i jashtëzakonshëm për PS, por i arritshëm dhe pikëtakueshëm edhe nga të gjitha palët e tjera politike. Proçesin e nisi Fatos Nano. I vetmi politikan që bëri një fushatë të matur, me deklarimet e vizionin e tij, por edhe me takimet e tij me të gjithë kryetarët e partive politike shqiptare dhe me faktorë ndërkombëtarë, në këta muaj ka qenë Fatos Nano. I vetmi që ulet me gjithkënd, pa dyshime, por plot mirëbesim e mirëkuptim në tryezën e dialogut të matur dhe frytsjellës është Fatos Nano. E sigurtë është që nëse PS propozon e mbështet Fatos Nanon, atëherë edhe Sali Berisha do ta ketë të vështirë të paraqesë një kundërkandidat me këto kapacitete politike, konsensuale dhe vlerore. I vetmi kundërshtar i denjë i Fatos Nanos në këto vite ka qenë vetë Sali Berisha. Ata kanë ditur të humbasin dhe fitojnë mbi njëri-tjetrin, sikurse kanë ditur ta respektojnë e nderojnë njëri-tjetrin, duke bërë edhe marrëveshje të rëndësishme për të mirën e vendit. Gjithashtu e sigurtë është se nëse PS propozon e mbështet Fatos Nanon, atëherë edhe Sali Berisha do ta ketë të vështirë të mos inkurajojë e lejojë një garë të lirë e të ndershme në Kuvend, ku le të fitojë më i miri. Fatos Nano, ka hyrë në këtë vetëofrim me qetësinë se nëse fiton ai, fitojnë të gjithë, nëse humbet ai, humbet vetëm ai. Edi Rama nuk humbet asgjë po humbi Fatos Nano. Përkundërazi, një humbje e PS me kandidatin Fatos Nano, do të ishte fitore e mëpasme e Edi Ramës dhe PS. Kur humbasin bashkë edhe mund të fitojnë bashkë. Ngërçi që ka Edi Rama dhe PS me dyshimet, mospranimin, pengimin, anashkalimin, tejkalimin e Fatos Nanos, hap vetëm shtigje të pashëndetshme dhe ogurkëqija për PS dhe Shqipërinë.
Edi Rama kërkon konsensus, sepse nuk do Fatos Nanon dhe do të rrëzojë Sali Berishën. Edi Rama bën mirë të mbjellë mirëbesim tek të tijtë në PS e më tutje në opozitë, duke bërë në plotësi dhe me përgjegjshmëri e pasion detyrën e liderit të opozitës, në mënyrë që të mbjellë mirëbesim në kuvend, institucione, bashkëpunime, marrëveshje, zgjedhje e ndoshta pse jo edhe në fitore nëpërmjet garës e konkurrimit. Shqipërisë sot nuk i duhet një president konsensual. Shqipërisë i duhet një president i mirëbesimit. Nën këtë klimë kaq të rëndë, plot dyshime e mosbesim, nevojitet një proçes që nis me mirëbesim, zhvillohet me mirëbesim, e që pikëtakohet me një njeri që ushqen mirëbesim. Kur secili të kryejë mirë detyrat që ka, atëherë janë kushtet për të mbjellë mirëbesim për të shkuar më përpara. Të mbjellim mirëbesim sot, që të korrim zhvillim të shëndetshëm dhe një Shqipëri Europiane nesër.
© Panorama.al












