Jepet masa për 5 të ndaluarit e Komunës Shalë

Aug 3, 2011 | 15:00
Foto Ilustruese

SHKODER- Gjykata e Shkodrës dha sot masën e arrestit për pesë shtetasit e arrestuar për pengim të zgjedhjeve të pjesshme më 31 korrik në Komunen Shalë, të Shkodrës.

Tre nga të arrestuarit morën nga 10 ditë burg, përktësisht Petrit Coli 39 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, komuna Rrethina Shkodër, i dënuar më parë, për veprën penale ” Vrasje me dashje në bashkëpunim”, Pëllumb Mollzati 38 vjeç dhe Mirash Rrethatori, 33 vjeç, banues në fshatin Gimaj, komuna Shalë, Shkodër, i dënuar më parë për veprën penale ” Armbajtje pa leje”.

Ndërsa për shtetasit Prek Kodra, 35 vjeç,  Kol Gjergji, 29 vjeç gjykata dha vendimin me detyrim paraqitje.

Arrestimi i këtyre shtetasve erdhi pasi ditën zgjedhjeve të pjesshme në momentin kur materialet zgjedhore kanë mbërritur me helikopter, në vendin e quajtur Breg Lumi, të Komunës Shalë, pikërisht sapo janë zbritur këto materiale zgjedhore, grupe të ndryshme personash, (ku mes tyre jane identifikuar dhe 5 shtetasit e arrestuar), janë vërsulur në drejtim të Komisionerëve, duke bërë kështu bllokimin e komisionerëve dhe të rrugë-kalimeve për tek qëndra e votimit, pasi nuk ishin dakord me komisionerët e caktuar për zgjedhjet vendore në komunën Shalë, Shkodër.

Për pasojë, nga konfliktimi i simpatizantëve të PS-së dhe PD-së, zgjedhjet e pejsshme në Komunën Shalë u anulluan.

© Panorama.al

Te lidhura