Trajneri Jup Hejnkes optimist, Arjen Roben e nis si titullar.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes mes 100 gazetarëve, trajneri Jup Hejnkes së bashku me mesfushorin Kros dhe sulmuesin Gomez i kanë dhënë kërcënimet e para rivalëve të Bazelit. “Mendoj se lojtarët me eksperiencë dinë të reflektojnë dhe të paraqiten ndryshe në sfida të këtij niveli. Kjo është në varësi të karakterit dhe ky tipar nuk i mungon Bajernit. Rëndësi ka që lojtarët të jenë të qetë dhe të nxjerrin në pah aftësitë e tyre. Kjo është detyra e secilit. S’kemi pse trembemi, Bazeli nuk është një ekip i panjohur për ne. Ata shkruan historinë ndaj Mançesterit, por ne nuk jemi “djajtë”. Të mos harrojmë që jemi Bajerni, dhe në mënyrë kategorike s’na lejohet për asnjë moment të kemi luhatje apo çekuilibër në skuadër, për më tepër të vëmë në dyshim kualifikimin”, nënvizoi Hejnkes. Trajneri Hejnkes e ka pasur të vështirë të dalë nga vetvetja. Duke mos pasur kontingjentin e nevojshëm, përsëri ai do t’i besojë të njëjtit formacion si ndaj Fraiburgut, por duke qenë se Robeni i ka dhënë më shumë ritëm ndeshjes së fundit, ai pritet të jetë titullar, ndërsa Tomas Myler rrezikon stolin. Trajneri ka hequr dorë nga skema klasike me dy sulmues. Kështu, me shumë gjasa do luajë me një “pykë” dhe me një treshe mesfushorësh me tipare totalisht sulmuese. Sakaq, Mario Gomez i ka marrë seriozisht këshillat e trajnerit dhe drejtuesve të Bajernit. “Fraiburgu ka qenë paralajmërimi i fundit për ne. Duhet të përqendrohemi në lojë dhe të japim maksimumin si e vetmja zgjidhje. Më vjen mirë që do takohem me ish-kolegun tim te Shtutgarti, por dhurata për Shtrelerin do ketë pas ndeshjes”,- deklaroi bomberi i Bajernit.
Haiko Fogël: Luajmë ndeshja e shekullit
Kampionët e Zvicrës kanë shumë ngjashmëri me Bajernin e Mynihut. Ata janë drejtuar dhe drejtohen nga ish-bavarezë. Trajneri Torsten Fink hodhi bazat, ndërsa ish-trajneri i të rinjve tek Bajerni, Haiko Fogël, po i jep ritëm asaj filozofie. Gjatë konferencës për shtyp, trajneri i Bazelit, Haiko Fogël, e ka cilësuar këtë sfidë si ndeshjen e shekullit. “Edhe pse luajmë në shtëpi, Bajerni mbetet sërish favorit. Këtë rol pati edhe Mançester Junajtid. Për mua do të jetë ndeshja e shekullit. Nëse arrijmë t’i ndëshkojmë ata, nuk e imagjinoj dot se çfarë mund të ndodhë”,- deklaroi tekniku Haiko Fogël.
Shaqiri-Hejnkesit: Më lejohet t’ju ndëshkoj?
Xherdan Shaqiri do jetë edhe protagonisti kryesor, ndaj është tepër i karikuar për të ndëshkuar bavarezët. Por para se të veprojë sipas dëshirës, ka telefonuar trajnerin Hejnkes duke i marrë leje. “Bajerni është favorit dhe neve na duhet t’i bëjmë sytë katër. Për mua do të jetë një ndeshje e veçantë, pasi ndodhem mes dy zjarreve. Do luaj kundër kolegëve të mi të ardhshëm, dhe nuk është e lehtë të jesh në pozicionin tim. Dua të shënoj një gol, madje për këtë i kam marrë leje edhe trajnerit Hejnkes, të cilin e pyeta: “Do më merrni inat, nëse do ju ndëshkoj me një gol? Ai qeshi dhe pohoi se nuk kishte ndonjë kundërshtim”, tha Shaqiri.











