Pas 33 vitesh regjimi të Presidentit Ali Abdullah Saleh, jemenasit po votojnë më në fund për të zgjedhur pasuesin e tij. Sipas gjasave, vendin do ta drejtojë zv/Presidenti Abdrabbuh Mansour Hadi, kandidati i vetëm në zgjedhje. Prej më se një viti, në Jemen janë mbajtur protesta të ashpra kundër regjimit të Saleh, i cili e ka mbajtur me “kthetra të forta” në më shumë se tri dekada drejtimin e vendit më të varfër të Gadishullit Arabik. Gjatë votimit janë regjistruar disa incidente, mes të cilave edhe sulme në qendrat e votimit, ku ka humbur jetën një person. Të hënën Presidenti Saleh, i cili nënshkroi marrëveshjen për tërheqjen e tij nga detyra pas zgjedhjes së Presidentit të ri, u bëri thirrje jemenasve që të votonin për Hadin, për të garantuar një tranzicion paqësor të pushtetit.











