Shpërthime të forta kanë goditur kryeqytetin e Jemenit të mërkurën, ku anëtarët e federatës së fiseve më të fuqishme në vend janë përleshur me besnikët e Presidentit Ali Abdullah Saleh për ta larguar atë nga pushteti. Të paktën 39 njerëz raportohet të kenë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Kriza po përkeqësohet. Qeveria dhe fiset po luftojnë për kontrollin e ndërtesave të ministrive kryesore në kryeqytet, ndërsa shtëpia e kreut të fisit “Hashid”, Sheik Sadeq al-Ahmar, vazhdon të sulmohet. Të shtëna janë dëgjuar në të gjithë Sanaan. Shumë banorë i kanë dëgjuar thirrjet e qeverisë dhe i kanë braktisur shtëpitë e tyre për të qenë më të sigurt jashtë kryeqytetit, i cili është kthyer në një fushë të vërtetë beteje. Presidenti i Jemenit, Saleh, është një nga aleatët më të fort të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit, por ai nuk është mbështetur nga krerët e fiseve.











