Javë tersi, humbin Ujkani, Lala e Sadiku

Feb 27, 2012 | 12:59

Samir Ujkani pësoi tre gola në ndeshjen e djeshme në Katania, por përsëri është vlerësuar nga analistët italianë me notë mesatare 6. Sipas mediave, që të tre golat kanë qenë pasiguri e mbrojtjes, ndërsa portieri shqiptar ka neutralizuar të paktën tri raste të tjera të pastra të vendësve. Armando Sadiku luajti si titullar në tranfertën e Lokarnos ndaj FC Vaduz, por nuk mundi të shpëtojë ekipin e tij nga humbja (2-0). Lojtari e pati të pamundur që të depërtonte në mbrojtjen e ngjeshur të vendësve. Ndërsa Altin Lala nuk luajti asnjë minutë në takimin e djeshëm ndaj Dortmundit. Mesfushori ishte pjesë e 18-shes së Hanoverit, por nuk u përdor nga trajneri Slomka. Ndërkaq Hanover u mund bindshëm nga kampionët në fuqi me rezultatin 3-1, falë golave të Levandowskit (dopietë) dhe Perisiç, ndërsa për miqtë shënoi Ja Konan.

Serie A: Inter, krizë pa fund, mundet edhe Roma
Nuk ka fund kriza e Interit. Edhe këtë javë skuadra zikaltër është mundur në kampionat nga Napoli, duke shënuar kështu rezultat negativ, të pestin radhazi. Napolit i mjaftoi goli i Lavecit për të siguruar tri pikët. Ditë e mbrapshtë edhe për Romën, e cila u shkatërrua në Bergamo 4-1 nga Atalanta. Por më shumë se humbja te verdhekuqtë mbizotëron një atmosferë mbytëse, kjo edhe për shkak të sherrit para takimit mes De Rosit dhe Kjaer. Për këtë arsye, De Rosi u pezullua nga trajneri Luis Enrike. Në takimet e tjera, Kaljari u mund 1-2 në shtëpi nga Leçe, ndërsa Novara e Samir Ujkanit u mund në transfertë 3-1 nga Katania. Nuk ka shkuar mirë këtë javë edhe për Çezenën, e cila u mund minimalisht nga Kievo. Sakaq, Udineze fitoi në fushën e Bolonjës 3-1, ndërsa Lacio largoi përkohësisht krizën e rezultateve, duke fituar 1-0 në “Olimpiko” ndaj Fiorentinës.

© Panorama.al

Te lidhura