Kryeministri i Japonisë, Naoto Kan, dha dorëheqjen dje nga detyra, pas kritikave se nuk e kishte menaxhuar mirë krizën e krijuar pas tërmetit dhe cunamit të 11 marsit. Kështu, vendi do t’u drejtohet zgjedhjeve të liderit të tij të gjashtë brenda pesë vitesh. Në qershor, Naoto Kan u shpreh i gatshëm të jepte dorëheqjen nëse Parlamenti do të kalonte tre pjesë kyçe të legjislacionit, të cilat u miratuan të premten. Partia Demokratike e Japonisë, që qeveris vendin, do të zgjedhë një lider të ri të hënën. Pasardhësi i Kan në krye të partisë do të bëhet edhe Kryeministri i ardhshëm i vendit. Kan e shpalli vendimin e tij për t’u tërhequr direkt në televizion.











