
Droga e Lazaratit kapet në Greqi. Rreth 133 kg marijuanë janë kapur 70 km në brendësi të territorit helen.Bilanci flet për tre shqiptarë të arrestuar si trafikantë të marijuanës dhe mallin narkotik të sekuestruar. Ajo çka peshon në këtë ngjarje është se njëri prej të arrestuarve shqiptarë rezulton të jetë drejtues i një institucioni të rëndësishëm rajonal në Gjirokastër, ndërsa dy të tjerët janë, njëri nga Gjirokastra e tjetri nga Fieri. Në komunikatën e Policisë së Janinës nuk bëhen të ditur emrat e të arrestuarve, por vetëm mosha e tyre. Aksioni i policisë greke është zhvilluar mbrëmjen e së shtunës, në kilometrin 97 të rrugës “Egnatia” që të çon në drejtim të Selanikut. Agjentët e Policisë së Sektorit të Narkotikeve në Janinë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Dhelvinaqit, kanë kapur dhe më pas arrestuar tre shqiptarë, dy të moshës 31 vjeç, ndërsa tjetri, i cili mësohet se është dhe nëpunësi shtetëror, është 36 vjeç. Të tre shqiptarët, dy prej të cilëve nga Gjirokastra, akuzohen nga policia greke për trafik të lëndëve narkotike. Ata qarkullonin secili me automjet, duke mos rënë në sy të policisë dhe për t’iu shmangur kontrolleve të mundshme të policisë. Marijuana ishte mbuluar në brendësi të bagazhit të makinës që drejtohej nga njëri prej 31-vjeçarëve, ndërsa dy të tjerët qëndronin të baraslarguar, në sinkron njëri para dhe tjetri pas mjetit të mbushur me marijuanë, për të diktuar ndonjë ndjekje të mundshme të policisë dhe, për pasojë, shmangien e tyre në ndonjë rrugë sekondare. Mirëpo, policia greke, rrugëtimin e shqiptarëve me drogë e vëzhgonte që në origjinë. Pasi ka pikasur se dy makina po i afroheshin vrullshëm dhe duke dyshuar se mund të ishin policë të veshur civilë, 31-vjeçari fierak që transportonte marijuanën ka rritur shpejtësinë dhe, për pasojë, është përplasur me dy mjete të tjera që qëndronin parkuar anës aksit. Aty ai është kapur e së bashku me të edhe dy shokët e tij shqiptarë që e shoqëronin me makina në distancë. Gjatë kontrollit të kryer në automjetin që drejtohej nga 31-vjeçari, policia greke ka arritur të gjejë 84 pako të mbështjella në forma të ndryshme me letër ngjitëse, brenda të cilave kishte marijuanë të presuar. Sasia totale e marijuanës ishte saktësisht 132.2 kg, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Pasi janë vënë në pranga të tre shqiptarët, policia greke ka investiguar edhe origjinën e mjeteve me të cilat ata udhëtonin. Mjeti ku transportohej marijuana rezultonte i vjedhur në zonën e Peristerit qysh më 15 prill të këtij viti dhe ishte denoncuar nga pronari i tij, ndërkohë që targat që përdoreshin, ishin denoncuar të vjedhura në zonën e Larisas. Sipas burimeve policore greke, marijuana ka hyrë nga zona kufitare shqiptare, dyshohet nga Kakavija, ose nga kufiri i gjelbër në zonën e Gjirokastrës. Marijuana e Lazaratit ka pasur për pronar një 38-vjeçar nga Gjirokastra, dhe pasi është identifikuar me emër si pasojë e marrjes në pyetje të tre shqiptarëve të kapur, ai është vënë në kërkim.
Provat e bllokuara
Policia greke ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale tre automjetet, nëntë telefona celularë që disponoheshin nga të arrestuarit, si dhe një sasi prej 2375 eurosh. Materialet i kaluan Prokurorisë së Janinës për veprime të mëtejshme. Ky është rasti i dytë brenda 20 ditëve që Policia e Janinës kap drogë nga Shqipëria dhe arreston poseduesit e saj shqiptarë.
GJIROKASTER/ PIRO NASE
© Panorama.al











