Janari, buxheti më keq se në 2011

Feb 25, 2012 | 10:38

Ministria e Financave

Kriza tkurr të ardhurat, mblidhen 14 milionë USD më pak. Suficit 1.5 miliardë lekë.

S’ka fushatë elektorale, investimet 4 herë më të ulëta.

Frazat mohore se Shqipëria “nuk ka krizë, apo se jemi prekur pak” tani bien poshtë. Shifrat e Ministrisë së Financave reflektojnë krejt të kundërtën. Treguesit fiskalë për janarin e këtij viti tregojnë se në arkën e shtetit kanë shkuar më pak para, plot 14 milionë dollarë më pak se në janar të 2011-ës. Të ardhurat për muajin e parë të vitit kanë qenë 25.5 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë këto të ardhura ishin 27 miliardë lekë. Fakti që në buxhet kanë shkuar më pak para, është reflektimi i qartë i situatës së vështirë ekonomike që po kalon biznesi dhe i konsumit të ulët në vend. Të ardhurat nga TVSH-ja janë më pak se një vit më parë, dhe po kështu edhe të ardhurat nga akcizat apo taksa mbi biznesin e vogël. Një tjetër tregues që përforcon krizën është edhe kujdesi i qeverisë për të shpenzuar. Krahasuar me një vit më parë, shpenzimet kapitale janë shumë më të ulëta. Kuptohet që krahasimi me një vit më parë duhet të bëhet duke pasur parasysh edhe efektin që kishin zgjedhjet elektorale të majit. Në vlerë, qeveria ka shpenzuar për janarin 1.7 miliardë lekë krahasuar me 6.2 miliardë lekë që ishte vlera e këtyre investimeve një vit më parë. Për 2012-n qeveria ka shpenzuar 4.5 miliardë lekë më pak. Por, nga ana tjetër, qeveria ka shpenzuar më shumë para për administratën dhe për shpenzimet operative apo të mirëmbajtjes. Përkundër gjithë këtyre, kujdesi i qeverisë ka qenë që të ruajë balancën e saj duke na dhënë në fund të janarit një suficit 1.5 miliardë lekë. Edhe një vit më parë, në janar, qeveria kishte një suficit 1.6 miliardë lekë.

Treguesit fiskale, janar 2012

© Panorama.al

Te lidhura