Interesi i mbarë botës është përqendruar tashmë te zhvillimet pas arrestimit të Nikolas Maduros. Teksa Maduro u shfaq para gjyqtarëve amerikanë në Nju Jork për të përsëritur se “jam ende president” dhe për t’u deklaruar, siç pritej, i pafajshëm, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se ka hapur “kutinë e Pandorës”, duke mbajtur në duar një situatë tejet të rrezikshme dhe të paparashikueshme.
Në Venezuelë, Delcy Rodríguez, e cila mori detyrën e presidentes së përkohshme të vendit, flet për “bashkëpunim” me SHBA-në, duke lënë të hapur derën për normalizimin e situatës. Në të njëjtën kohë, megjithatë, udhëheqësja e opozitës, María Corina Machado, deklaron se Rodríguez “nuk është e besueshme”, njofton se do të kthehet në Venezuelë “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe thekson se tranzicioni i ardhshëm i vendit duhet të ecë përpara.
Ajo lë të kuptohet se nuk përjashtohet as një përmbysje e dhunshme e Rodríguez nga opozita, e cila pretendohet se ka fituar zgjedhjet e fundit. Këto deklarata luajtën rolin e tyre në panikun e shkaktuar nga një alarm i rremë, kryesisht në Karakas.
Ndërkohë, teksa Donald Trump lëshon kërcënime ndaj kujtdo, bota pret se “kush do të jetë i radhës”. Trump deklaroi se SHBA-të “kanë nevojë për Groenlandën”, duke shkaktuar reagimin e ashpër të Danimarkës. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, paralajmëroi se nëse realizohet ky plan, të cilin presidenti amerikan e përsërit vazhdimisht, kjo do të shënonte fundin e NATO-s.
Në të njëjtën kohë, Trump ka “goditur kambanën” edhe për shumë të tjerë. Ai kërcënoi Delcy Rodríguez, duke thënë se “nëse nuk bën gjënë e duhur, do të paguajë një çmim shumë më të rëndë se Maduro”, si dhe Kolumbinë, Meksikën dhe vende të tjera. Këto zhvillime kanë nxitur edhe Izraelin, i cili kërkon “dritën jeshile” nga Trump për të kryer operacione kundër Iranit. Edhe qeverinë iraniane Trump e ka kërcënuar, në rast se derdhet gjak i protestuesve që kanë “pushtuar” thuajse Teheranin dhe qytete të tjera.
Ndërkohë, Maduro u paraqit dje për herë të parë në Gjykatën Federale të Nju Jorkut, ku ai dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, akuzohen për përfshirje në një komplot të supozuar të trafikut të kokainës dhe bashkëpunim me kartelë të drogës të cilat janë cilësuar si organizata terroriste. Ai deklaroi se ishte pafajshëm. Çifti përballet me akuza për narkoterrorizëm dhe posedim të paligjshëm armësh.
Sipas aktakuzës, për më shumë se 25 vite ata janë pasuruar duke bashkëpunuar me trafikantë ndërkombëtarë droge për të futur lëndë narkotike në SHBA. Duke folur në spanjisht, Maduro e quajti veten president të Venezuelës dhe u ankua se ishte arrestuar në shtëpinë e tij në Karakas, përpara se të ndërpritej nga gjyqtari.
Prokurorja e Përgjithshme amerikane, Pam Bondi, deklaroi se ish-udhëheqësi i Venezuelës do të përballet së shpejti me “tërë ashpërsinë e drejtësisë amerikane”. Momentet më të tensionuara erdhën në fund të seancës, kur një person nga publiku filloi t’i bërtiste Maduros në spanjisht se do të “paguajë” për gjithçka që ka bërë.
Maduro iu kthye dhe iu përgjigj se ishte “president i rrëmbyer” dhe “rob lufte”, përpara se të shoqërohej me pranga, pas bashkëshortes së tij, nga dera e pasme e gjykatës. Personi nga publiku, i cili po qante, u nxor jashtë sallës.
Donald Trump deklaroi se Maduro do të “kalojë një proces të vështirë gjyqësor”, megjithatë pritet që ndjekja penale të zgjasë me vite. Pyetja që shtrohet është se sa gjasa kanë prokurorët federalë amerikanë ta dënojnë njeriun që ka udhëhequr Venezuelën për 13 vite.
“E pafajshme, plotësisht e pafajshme”, tha Cilia Flores në spanjisht kur u pyet nga gjyqtari për qëndrimin e saj ndaj akuzave. “Jam presidenti i Venezuelës, u arrestova në shtëpinë time në Karakas bashkë me bashkëshorten time dhe do të shprehem për akuzat pasi t’i lexoj me kujdes vetë”, deklaroi Maduro në gjykatë.
Ai shtoi se e konsideron veten “rob lufte”. Kur gjyqtari e informoi se ka të drejtë për avokat falas nga shteti i Nju Jorkut, Maduro u përgjigj se nuk ishte në dijeni të kësaj mundësie.
Gjykatësi Hellerstein i informoi gjithashtu se kanë të drejtë të vizitohen nga përfaqësues të konsullatës së vendit të tyre, gjë që të dy e pranuan. Gjatë procedurës u bë e ditur zyrtarisht se arrestimi i Maduros dhe Flores kishte ndodhur më 3 janar, në orën 11:30 të paradites.
Maduro thuhet se e habiti gjyqtarin kur kërkoi të mbante shënimet e tij. “Dua të kërkoj që shënimet e mia të respektohen dhe të më lejohet t’i mbaj”, tha ai, me gjyqtarin që iu përgjigj: “Besoj se keni të drejtë t’i mbani”.
Avokati i tij, Barry Pollack, deklaroi se “në këtë fazë nuk po kërkohet lirimi me kusht”, por la të hapur mundësinë që kjo të ndodhë më vonë. Ai theksoi gjithashtu se Maduro ka probleme shëndetësore dhe do të ketë nevojë për kujdes të veçantë mjekësor gjatë ndalimit, duke vënë në pikëpyetje edhe ligjshmërinë e operacionit të arrestimit.
Sipas tij, mund të paraqiten kërkesa lidhur me statusin e Maduros si kreu i një shteti sovran, duke shtuar se “ekzistojnë çështje serioze mbi ligjshmërinë e rrëmbimit të tij ushtarak”.
Avokati i Cilia Flores deklaroi se ajo ka “nxirje në brinjë” dhe do të ketë nevojë për trajtim të përshtatshëm, me gjyqtarin që tha se kjo çështje mund të rregullohet me prokurorët.
Protesta jashtë gjykatës
Jashtë gjykatës ishin mbledhur dhjetëra shtetas venezuelianë që jetojnë në Nju Jork, me thirrje pro dhe kundër Nikolas Maduros. “Faleminderit, President Trump! Nuk di si t’ju falënderoj”, tha me lot në sy Carmen, 50 vjeçe, emigrante nga Venezuela. Të tjerë mbanin flamuj venezuelianë dhe pankarta me mbishkrime si “Lironi Presidentin Maduro” dhe “Jo luftë për naftën e Venezuelës”.
Duke dalë nga gjykata, Maduro iu përgjigj një protestuesi që i tha se “në emër të popullit të Venezuelës do të paguajë”, duke deklaruar: “Jam një president i rrëmbyer. Jam rob lufte”.
Më pas, çifti presidencial u fut në një automjet të autokolonës dhe u kthye në qendrën e paraburgimit në Brooklyn.
I pyetur nga NBC News për deklaratat e Maduros se ishte rrëmbyer, avokati i tij u përgjigj: “Mendoj se fjalët e Presidentit Maduro në gjykatë flasin vetë”.
© Panorama.al












