
Erjon Bogdani nuk do të jetë në Kombëtare për miqësoren ndaj Gjeorgjisë, e cila është edhe prova e parë e trajnerit Xhani de Biazi në krye të pankinës së Shqipërisë. Sulmuesi i Sienës ka sqaruar dje për “Panorama Sport” se ka refuzuar ftesën e trajnerit me dëshirën e tij. Në fakt, u mendua se pas dëmtimit të para pak ditëve Bogdani do e kishte të pamundur të grumbullohej me Kombëtaren. Gjithsesi, ai konfirmon se nuk ka ndonjë problem fizik. “Unë kam folur vetë me trajnerin De Biazi dhe i kam kërkuar që të mos më grumbullojë për ndeshjen miqësore ndaj Gjeorgjisë. Për momentin jam Ok dhe dëmtimin në pulpë e kam kaluar plotësisht. Po përgatitem për ndeshjen me Palermon dhe dua që të bëj një paraqitje sa më të mirë. Mendoj se për miqësoren ndaj Gjeorgjisë trajneri do të shikojë disa lojtarë të rinj, të cilët i ka ftuar. Në këto kushte, ramë dakord që unë të mos bëhesha pjesë e ekipit për këtë miqësore. Sigurisht, ky është një test shumë i rëndësishëm për De Biazin, pasi ai kërkon të shikojë grupin dhe lojtarët e ardhur rishtaz. Unë do të jem gati për përfaqësuesen sa herë që të kërkohet ndihma ime. E kam thënë që derisa të jem mirë fizikisht, do të vazhdoj të kontribuoj për Kombëtaren”, është shprehur golashënuesi më i mirë i kuqezinjve. Bogdani është në planet e De Biazit për eliminatoret e Botërorit 2014. Sulmuesi ishte në dilemë, nëse do të vazhdonte me Kombëtaren, apo do të hiqte dorë prej saj, duke luajtur vetëm në klube. Gjithsesi, ai vendosi t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së drejtuesve të FSHF-së dhe stafi teknik me në krye De Biazin.











