Shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi ishte mesditën e sotme në News24 për të folur mbi librin e tij më të ri, që ka krijuar mjaft zhurmë ditët e fundit, “Jam Mysliman”.
Blushi thekson se e ka shkruar këtë libër si pasojë e rritjes në masë të një kontingjenti fanatikësh sipas tij islamikë që kërcënojnë liritë e shoqërisë sonë.
“Si është për një njeri që nuk jeton me fluturat të shkruajë për fluturat? Ska lidhje, imagjinata të çon ku të duash. Çështje imagjinate. Për më tepër i ngjaj skulptorit që merr baltë dhe krijon figurën e dikujt që e njeh. Edhe unë jetoj në Shqipëri dhe e njoh këtë terren. Nuk jam shkrimtar Australian apo afrikano-jugor, jam shqiptar. Edhe përshkruaj një terren shqiptar që i jep të drejtë çdo ditë gjërave që them.
Me pak fjalë libri është kundër një kontigjent fanatikësh që po sulmojnë liritë tona. Dhe ky kontigjent fanatikësh është sulur këto ditë duke më kthyer në një shënjestër. Edhe pa e lexuar librin. Unë habitem sepse libri quhet Jam Mysliman. Imagjino të quhej Nuk jam Mysliman. Janë pak qesharak në këtë rast.”
Blushi vijon më tej se ideja për romanin ka ardhur nga realiteti ku ai jeton në përditshmëri, pra ai shqiptar, duke vërejtur një pakicë jotolerante që imponon me çdo mjet mendimet e tyre mbi pjesën tjetër.
“Realiteti shqiptar. Përballem shpesh me fanatikët me njerëz që jetojnë në cepat e shoqërisë, me njerëz që jetojnë çdo ditë për të sharë e dhunuar këtu në Shqipëri kudo. Ka plot si këto në Angli, Francë kudo. Pakicat intolerante po shtohen në gjithë Europën. Pakica intolerante që kërkojnë të imponojnë mendimet e tyre me çdo lloj forme. Për një pjesë prej këtyre kam bërë këtë libër.”
Sakaq, ai shton se libri nuk e cenon bashkëjetesën fetare, përkundrazi është kontingjenti fanatik sipas tij që e cenon atë.
“Jo, pse e cenoj. Nuk e cenoj. Bashkëjetesa cenohet nga ata që kufizojnë liritë e të tjerëve. Nuk ke të drejtë të mendosh që unë jam një maskara, meqë nuk besoj te ajo që beson ti. Jemi në shoqëri të barabartë ku secili zgjedh të mos besojë dhe të besojë. Kjo pakicë që flas, mendon se njerëz si unë dhe si ty nesër nuk duhet të kenë ca të drejta.
Është një pakicë këtu në Shqipëri, islamikësh i quaj unë, të zëvendësojnë Kushtetutën këtu me ligj islamik, duan që gjithë gratë këtu të vishen me detyrim, vajzat e vogëla që lyhen që shkojnë në party të ndëshkohen. Është një shoqëri që nuk e pranoj dhe prandaj e shkruajta. Nuk kam bërë thirrje për revolucion, as për të shkuar për të pushtuar Maqedoninë. Është një roman.”
© Panorama.al












