Jaka: Bankat të rishikojnë marrëveshjet me biznesin

Jun 4, 2011 | 10:59
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka

Bankat duhet të rishikojnë marrëveshjet e kredive që kanë me biznesin, duke mirëkuptuar situatën e këtyre të fundit në kohën kur sapo është kaluar një krizë globale. Për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, kjo nuk është hera e parë që kërkohet diçka e tillë, pasi ka qenë pikërisht kjo dhomë që disa muaj më parë ka bërë të njëjtin propozim.Duke marrë shkas nga rasti i fundit i ekzekutimit të kolaterialit nga ana e bankës “Raiffeisen” kundrejt kompanisë së birrës “Nogra”, Jaka thekson se kjo nuk duhet të kthehet në fenomen dhe duhet të gjenden zgjidhje të tjera që ndihmojnë të dyja palët. Në një intervistë të dhënë për gazetën, Jaka detajon se javën tjetër pritet të mblidhet edhe Kryesia e Dhomës së Tregtisë, e cila do të diskutojë rreth një platforme që do t’i propozohet aktorëve ekonomikë për të gjetur zgjidhje rreth shqetësimeve që kanë palët.
Si e gjykoni rastin e birrës “Norga” dhe “Raiffeisen Bank”, me tepër si fenomen sesa si një rast konkret?
Është një rast që nuk mund të japësh një gjykim të prerë në favor të biznesit apo bankës në fjalë. Pasi këtu nuk po flasim për mbajtjen e njërit apo tjetrit krah.
Ky rast duhet të na shërbejë për ta trajtuar këtë si një fenomen që po bëhet problematik dhe ne si Dhomë Tregtie dhe Industrie e kemi trajtuar me forcë që prej gati dy vitesh, atëherë kur dhe kriza globale filloi të prekë dhe vendin tonë. Marrja e një vendimi të tillë ekstrem nga ana e bankës është me pasoja të rënda jo vetëm për biznesin, por më së shumti për ambientin social. Sipërmarrjet e mëdha në vendin tonë gjenerojnë pjesën më të madhe të të punësuarve, madje dhe me të ardhurat më të mëdha. Po ashtu është e vetëkuptueshme që bizneset për t’u ngritur dhe për të qenë të fuqishme, janë pjesë e kredimarrjes në banka, pasi vetëkuptohet që një sipërmarrje e madhe ka për qëllim të jetë gjatë në treg. Duhet kujtuar që “Raiffeisen Bank” është një ndër bankat më të mëdha në Shqipëri, por dhe si përfaqësues i bankës së kursimeve. Ka një numër të madh punonjësish dhe kreditorësh shqiptar dhe marrëdhënie partneriteti me sipërmarrësit. Besojmë që banka do të jetë e kujdesshme për të ruajtur reputacionin e saj në treg.
Sipas informacioneve të marra nga përfaqësuesit e birrës “Norga”, pretendohet që në operacionin e kryer ka qene dhe vetë drejtori i Përgjithshëm i “Raiffeisen Bank”, gjë e cila, nëse është e vërtetë, cënon rëndë marrëdhëniet e partneritetit ndërmjet kësaj banke dhe sipërmarrjes, duke lënë hapësira për hamendësime.
Një rast i tillë duhet parë me shume kujdes, që të mos kthehet në fenomen, pasi do të rrezikonte seriozisht raportin sipërmarrje-bankë dhe si rrjedhojë
do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit tonë.
A mendoni se ka zgjidhje të tjera për të tilla raste, përveç ekzekutimit direkt të kolateralit?
Industria bankare duhet të ketë parasysh situatën që po kalon e gjithë bota në raport me krizën ekonomike e për më tepër në ekonominë e vendit tonë. Në këto kushte, bankat duhet të jenë më të kujdesshme dhe bashkëpunuese me sipërmarrësit.
Nuk mund të pretendohet të shkohet në një masë të tillë ekstreme me ekzekutimin direkt të kolateralit. Duhet të ekzistojnë forma të tjera dhe ka të tilla para se të shkohet në një hap të tillë. As kredidhënësi në këtë rast nuk mund të pretendojë të marrë shumën që ka vënë në dispozicion të sipërmarrjes e më pas në një rast me ekstrem ky vendim mund të kthehet “nul” për ta. Nëse ndërpret punën e një kompanie në prodhim e sipër, do të krijohej një deficit i madh për kompaninë, duke krijuar handikape të mëdha. Edhe nëse janë ndjekur procedurat e duhura ligjore, mendoj që duhet të ekzistojë një bashkëpunim mes palëve, pasi ngërçi i njërës palë do të krijojë një efekt zinxhir. Aq më tepër në këto momente kur sipërmarrja jonë po synon gjithnjë e më tepër të jetë pjesë e një ekonomie globale, por kur ende kjo sipërmarrje është e brishtë. E po ashtu palët duhet të jenë më të kujdesshme jo vetëm për çfarë më lart citova, por kur dihet që një pjesë e vendeve europiane ende se kanë kapërcyer krizën globale. Ndaj tej interesit të ngushtë apo riskut të momentit duhet parë fenomeni në terma afatgjatë investues dhe sigurim të ardhurash.
Lidhur me marrëdhëniet biznes sektor bankar, si i shihni kontratat dhe kë favorizojnë?
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e ka ngritur shpeshherë fenomenin shqetësues të kreditimit në vendin tonë, duke përsëritur që kontratat e nënshkruara mbeten favorizuese për bankat. Kemi kërkuar me forcë që sipërmarrësit dhe bankat të ulen në tryeza të përbashkëta për të gjetur mënyrën e duhur që të funksionojnë. Investimet kërkojnë kreditim, sipërmarrja që të zhvillojë aktivitetin e vet ka nevojë për mbështetjen e bankave dhe është e mirë që të funksionojë çdo gjë me rregulla të qarta tregu bashkëpunues, por dhe vendimmarrës kur është nevoja, por jo preferencialë e ekstremë.
Dhoma e Tregtisë i ka mëshuar idesë së saj për rishqyrtimin dhe mundësinë e ristrukturimit dhe të riskandencimeve të disa kredive që biznese të ndryshme kanë marrë në disa banka tregtare (Rinegocim i kushteve të kredidhënies) apo rishikimin e përqindjes së normave të interesit si dhe zgjatja e afateve të shlyerjes. Mendoj është koha e duhur që të shqyrtohet mundësia e inicimit të një politike të re kreditimi, me përqindje të ulëta, e kreditimit edhe të disa sektorëve që kanë perspektivë zhvillimi, por janë të pambështetur.
Ju si Dhomë Tregtie, çfarë sugjeroni në të tilla raste?
E përmenda dhe pak më sipër se çfarë sugjerojmë. Madje ne kemi ardhur me një paketë të plotë për të vendosur marrëdhënie të re sipërmarrje private-sistem bankar. Duke marrë shkas nga ky rast, që urojmë të mos kthehet në fenomen, por dhe nga kërkesa jonë e përsëritur për t’u riparë raporti bankë -sipërmarrje, do të propozojmë një platformë të detajuar në kushtet e emergjencës. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë do të mbledhë javën tjetër kryesinë e saj, drejtuesit e komisioneve të këtij institucioni sipas sektorëve të biznesit, ekspertë të fushave të ndryshme për të dalë në një platformë konkrete propozuese më qëllim uljen në tryezë të të gjithë aktorëve ekonomikë dhe gjetjen e zgjidhjeve optimale dhe afatgjata.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura