Jacques Ranciere: “Zgjedhjet nuk janë demokracia”

May 6, 2012 | 12:52

Jacques RANCIERE është filozof francez, profesor emerit i filozofisë dhe estetikës në Universitetin Paris 8 dhe disa universitete amerikane. Kohët e fundit, botimet “ZENIT” në Tiranë kanë botuar prej tij librin “Mosmarrëveshja. Politikë dhe filozofi”, traktati më i rëndësishëm ku parashtrohet konceptimi i tij filozofik për politikën dhe demokracinë.

Flet filozofi francez dhe profesori emerit i filozofisë.

“Zgjedhja presidenciale është forma më e skajshme e konfiskimit të pushtetit të popullit”

Sot Franca zgjedh Presidentin e ri të vendit, emri i të cilit do të jetë Nikolas Sarkozi apo Fraçois Hollande, dy fituesit e garës së parë të 22 prillit. Sondazhet kanë parashikuar fitoren e socialistit Hollande në zgjedhjet e lira e demokratike. Por, sipas një filozofi të njohur francez, zgjedhjet në Francë, Europë apo kudo, nuk kanë lidhje me demokracinë. Pak para zgjedhjeve, filozofi e profesori i njohur, Jacques Ranciere, dha një intervistë në të përjavshmen franceze “Le Nouvel Observateur”.

Zgjedhjet presidenciale paraqiten përgjithësisht si pika kulmore e jetës demokratike franceze. Ju nuk mendoni kështu. Pse?
Si në parimin, ashtu dhe në origjinën e vet historike, përfaqësimi është e kundërta e demokracisë. Demokracia bazohet në idenë e kompetencës së barabartë të të gjithëve, dhe mënyra normale e zgjedhjes në të është ajo përmes shortit, ashtu siç praktikohej në Athinën e lashtë, me qëllim që pushteti të mos akaparohej pikërisht nga ata që e dëshironin atë. Ndërkohë që përfaqësimi, nga ana e vet, është parim oligarkik: ata që i bashkëngjiten përmes kësaj mënyre ushtrimit të pushtetit përfaqësojnë jo një popullsi, por statutin dhe kompetencat e tyre, që u japin autoritet mbi këtë popullsi: lindjen, origjinat, pasurinë, dijen apo të tjera.
Sistemi ynë elektoral është një kompromis historik mes pushtetit oligarkik dhe pushtetit të të gjithëve: përfaqësuesit e fuqive ekzistuese janë shndërruar në përfaqësues të popullit, por ndërkohë dhe anasjelltas, populli demokratik ia delegon pushtetin e tij një klase politike, e cila pandehet se zotëron njohje të veçantë të çështjeve të përbashkëta dhe të “zejes” së ushtrimit të pushtetit. Llojet e ndryshme të zgjedhjeve dhe rrethanat bëjnë që balanca të luhatet më shumë në njërën anë ose në tjetrën.
Veçanërisht, zgjedhja e Presidentit si mishërim i drejtpërdrejtë i popullit u shpik në Francë më 1848-n kundër popullit të barrikadave dhe të klubeve politike popullore dhe u rishpik nga De Gaulle-i për t’i dhënë një “prijës” një populli të gjykuar ca si shumë të lëvizshëm. Kështu që kjo zgjedhje jo vetëm që nuk është kurrsesi kurorëzim i jetës demokratike, por është madje pika kulmore e shpronësimit elektoral të pushteti popullor në emër dhe përfitim të një klase politikanësh, të cilët, të ndarë në fraksione kundërshtare, e ndajnë secili sipas radhës pushtetin e “kompetentëve”.
François Hollande premton se do të jetë një President “normal”, Nicolas Sarkozy premton se “do t’ia kthejë fjalën popullit”. A nuk mendoni se gjeste të tilla tregojnë se kandidatët duan të riparojnë mangësitë e sistemit përfaqësues?

Hollande e Sarkozy

Në Republikën V, këtë aktualen tonën, Presidenti “normal” është gjithsesi një president që grumbullon një numër anormal pushtetesh. Hollande do të jetë ndoshta një president modest. Por do të jetë prapëseprapë mishërimi suprem i një pushteti të popullit, pushtet i legjitimuar që të zbatojë programe të përcaktuara nga një grup i vogël ekspertësh “kompetentë”, si dhe nga një Internacionale bankierësh dhe krerësh shtetesh që përfaqësojnë interesat dhe botëkuptimin e fuqive sunduese financiare. Sa për Nicolas Sarkozy-në, deklarata e tij është vërtet komike: qysh në parim, funksioni presidencial është ai që e bën fjalën e popullit të kotë, përderisa populli mjafton të zgjedhë në heshtje një herë në pesë vjet atë që do të flasë gjatë kësaj kohe në vend të tij.
Edhe fushatën e Jean-Luc Melenchon-it (kandidati i Patisë së Majtë, në të majtë të PS-së – shën i përkth.) në të njëjtën “tavë” e vini?
Operacioni Melenchon konsiston në zënien e një pozicioni margjinal, i cili lidhet, por pa e kundërshtuar, me logjikën e sistemit: atë të një partie që është jashtë edhe brenda njëherësh. Për një kohë të gjatë i tillë ishte pozicioni i Partisë Komuniste. Le Front National (ekstremi i djathtë – shën i përkth.) e pati zaptuar atë ndërkohë dhe Melenchon-i përpiqet tani t’ia rimarrë. Mirëpo, në rastin e Partisë Komuniste Franceze, ky pozicion mbështetej në një sistem të tërë efektiv kundërpushtetesh, i cili i lejonte asaj të kishte një axhendë politike të pavarur nga datat elektorale.
Te Melenchon-i, ashtu si te Le Pen-i, kemi të bëjmë thjesht me shfrytëzimin e këtij pozicioni ndërkohë vakant brenda kuadrit të lojës elektorale të opinioneve. Sinqerisht nuk mendoj se duhet pritur ndonjë gjë e madhe. Një fushatë mirëfilli e majtë do të duhej të konsistonte para së gjithash në denoncimin e vetë funksionit presidencial si të tillë. Dhe e majta radikale nënkupton për më tepër edhe krijimin e një hapësire autonome, me institucione dhe forma diskutimi, debati e aksioni që nuk varen nga axhenda zyrtare.
Komentuesit politikë i përafrojnë rëndom Jean-Luc Melenchon-in dhe Marine Le Pen-in, duke i akuzuar së bashku për populizëm. A ju duket i themeltë ky paralelizëm?
Nocioni i populizmit është bërë për të përzier të gjitha format e politikës që i kundërvihen pushtetit të kompetentëve të vetëshpallur të tillë, dhe për t’i përmbledhur tërë këto forma në një imazh të vetëm: atë të një populli të prapambetur e injorant, madje të mbushur me mllefe, urrejtje dhe brutalitet. Evokohen kështu shpesh pogromet, demonstrimet e mëdha naziste apo psikologjia e turmave e Gustave Le Bon-it, për ta identifikuar pushtetin e popullit me shpërthimin e shfrenuar të një lukunie raciste dhe ksenofobe. Mirëpo, ku i shohim sot masat e inatosura të shkatërrojnë dyqanet e magrebinëve apo të lëshohen në ndonjë gjueti zezakësh. Nëse ka një ksenofobi në Francë sot, ajo nuk vjen nga populli, por nga shteti dhe majat e tij, teksa punon më këmbëngulje për t’i vënë të huajt në situatë prekariteti. Kemi të bëjmë me racizëm që vjen nga lart.
Atëherë zgjedhjet e përgjithshme që ritmojnë jetën e shoqërive moderne nuk kanë asnjë përmasë demokratike?
Zgjedhjet me votim të përgjithshëm janë një kompromis mes parimit oligarkik dhe atij demokratik. Regjimet tona oligarkike kanë, sidoqoftë, nevojë për një lloj justifikimi barazitar. Sado minimal të jetë, kjo njohje e pushtetit të të gjithëve bën që nganjëherë votimi të shpjerë në vendime që bien ndesh me logjikën e kompetentëve.
Në 2005-n, për shembull, Traktati kushtetues europian u lexua, komentua dhe analizua gjerësisht: një kulturë e tërë juridike, spontane dhe e bashkëndarë mes përdorueseve u përhap nëpër internet, inkompetentët dëftuan një lloj kompetence dhe teksti, përmes votimit popullor, u hodh poshtë. Por, të gjithë e pamë se ç’ndodhi më pas! Si përfundim, Traktati prapëseprapë u ratifikua pa iu nënshtruar gjykimit të popullit, në emër të argumentit se: Europa është çështje për njerëzit kompetentë, fati i së cilës nuk mund t’i lihet në dorë rastësive të votimit të përgjithshëm.
Cila do të mund të ishte atëherë një hapësirë e mundshme për “politikën”, në kuptimin që ju i jepni kësaj fjale?
Akti politik themelor është manifestimi i pushtetit të atyre që nuk kanë asnjë titull apo tagër për ta ushtruar pushtetin. Këto kohët e fundit, dhe pas “pranverave” arabe, lëvizja e “Të indinjuarve” dhe okupimi i Wall Street-it ishin shembujt më interesantë në këtë kuptim. Lëvizje të tilla rikujtuan edhe një herë se demokracia është e gjallë atëherë kur ajo shpik format e saj të mëvetësishme të shprehjes dhe kur mbledh materialisht një popull që nuk është më i ndarë në opinione, grupe shoqërore apo korporata, por që është populli i të tërëve dhe i kujtdo. Këtu qëndron dallimi mes administrimit – që organizon raportet shoqërore ku secili është në vendin e vet – dhe politikës – e cila rikonfiguron vetë shpërndarjen e vendeve.
Për këtë arsye, akti politik shoqërohet përherë me okupimin e një hapësire, e cila zhvendoset nga funksioni i vet shoqëror, për t’u shndërruar në vend politik: dje ishte universiteti apo uzina, sot është rruga, parku, apo sheshi para një ndërtese publike apo kulti. Sigurisht, lëvizje të tilla nuk arritën deri aty sa t’i jepnin kësaj autonomie popullore format e nevojshme politike të afta për jetëgjatësi: forma jetese, organizimi dhe mendimi të shkëputura nga rendi sundues. Mirëpo, ringjizja e besimit në një aftësi të tillë është diçka që kërkon kohë.
Ju vetë do të votoni?
Nuk jam nga ata që thonë se zgjedhjet janë thjesht dhe vetëm simulakër dhe se nuk duhet votuar kurrë. Ka rrethana ku riafirmimi i këtij pushteti, sado “formal”, mund të ketë kuptim. Por, zgjedhja presidenciale është forma më e skajshme e konfiskimit të pushtetit të popullit në emër të vetë atij. Pastaj, unë i përkas një brezi të ardhur në politikë në kohën e Guy Mollet (Kryeministër socialist më 1957-n që urdhëroi shtypjen dhe represionin në Algjeri – shën. i përkth.) dhe për të cilin historia e së majtës ka qenë ajo e një tradhtie të përhershme. Kështu që jo, nuk besoj se do shkoj të votoj.

(Përktheu nga frëngjishtja:
Orgest Azizi)

Francë: Sot zgjidhet Presidenti i ri
Pas një heshtjeje zgjedhore 24-orëshe, sot francezët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur Presidentin e tyre për pesë vitet e ardhshme. I favorizuar, sipas sondazheve, është François Hollande, me një diferencë prej 6 përqindësh avantazh kundrejt Presidentit aktual, konservatorit Nicolas Sarkozy (53.5 për qind me 46.5 për qind). Kjo është faza e dytë e votimit presidencial, pas atij të 22 prillit, ku morën pjesë 10 kandidatë. Edhe pse sondazhet tregojnë fitues Hollande, Sarkozy është shprehur se mund t’i fitojë zgjedhjet dhe të jetë sërish President i Francës. Në të kundërt, ai ka pranuar se do të tërhiqet nga politika. Mbështetja për Sarkozy ka rënë gjatë muajve të fundit për shkak të krizës ekonomike që e ka çuar Francën drejt rritjes së papunësisë dhe uljes së vlerësimit në renditjen e besueshmërisë në tregje.

© Panorama.al

Te lidhura