Ja se si trukohen ndeshjet në Itali

Jul 7, 2012 | 14:35

Hetimet avancojnë nga Prokuroria, por tani mendohet edhe për riciklim parash.

Përdoren numra të huaj telefoni dhe deri kërcënime e vrasje.

Dyzet e një numra telefoni nga Roma në Hungari, nga Seria A deri në atë të Dytë në Zvicër dhe një listë e gjatë kontaktesh. Një botë e mbushur me informacion dhe një biznes i madh. Hetimi i Prokurorisë së Kremonës ende nuk është ndalur në lidhje me shitjen e ndeshjeve në Itali. Në qendër të këtij skandali është vënë Hristian Ilievski, i cili ka qenë në krye të këtij rrjeti që trukonte ndeshje në kampionatet italiane. Në mes këtyre telefonatave, ka edhe nga ato me Zamperinin, i cili sipas hetuesve ishte edhe kontakti i Ilievskit për Serinë A. Ka gjithashtu edhe telefonata me Karobion, që sot është i arrestuar dhe ishte përgjegjësi për Serinë B. Hetuesit thonë se ka pasur kontakte të shumta edhe me grupe të tjera, që dyshohen se trukojnë ndeshje në kampionate të huaja, duke filluar nga kompanitë e basteve aziatike. Ilievski ka qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me grupin e tij në Singapor, i cili drejtohej nga Tan Set Eng, por në të njëjtën kohë bisedonte edhe me hungarezët, me të cilët ka pasur një takim “nderi” në ndeshjen Inter-Barcelona. Flitet se në këtë takim është arritur edhe akordi për të punuar në grup, në mënyrë që të mos kishte shumë konkurrencë për ndeshjet e Seria A. Shembulli më i mirë është ai ndeshjes mes Leçes dhe Lacios në javën e fundit të sezonit të shkuar, që sipas hetuesve është trukuar në bashkëpunim nga aziatikët dhe hungarezët. Ndërkohë që janë zbardhur edhe disa prej letrave që Interpoli i ka nisur Policisë italiane në lidhje me një vrasje, që mund të ketë ndodhur për shkak të mafies së basteve të paligjshme. Hetuesit, që pritet ta mbyllin shpejt çështjen e ndeshjeve të trukuara nga Bari në sezonin 2010-2011, kanë zbuluar se një pjesë e mirë e këtyre takimeve janë paracaktuar me ndihmën e disa lojtarëve të tërhequr e aktualë, me ndihmën e drejtuesve të Leçes, por mbi të gjitha, hetuesit janë të bindur se për këtë gjë ka ndihmuar edhe krimi i organizuar.

© Panorama.al

Te lidhura