
Apolonia dhe Tomori “kënaqen” me gola dhe kalojnë në “play-out” së bashku me Kamzën e De Vekis.
Skënderbeu kampion, e degdis Pogradecin në Kategorinë e Parë.
Skënderbeu kampion, Tomori, Kamza dhe Apolonia do luajnë edhe nga një ndeshje shtesë për të qëndruar mes elitareve, ndërsa Pogradeci i bashkëngjitet Dinamos në Kategorinë e Parë.
Dita e djeshme, e cila përkonte edhe me javën e fundit si në Kategorinë Superiore, edhe në të Parën, ka dhënë edhe verdiktet e këtij sezoni futbollistik, i cili nisi më 10-11 shtator të 2011-s. Kështu, është konfirmuar kampion Skënderbeu, por në dallim nga sezoni i shkuar, skuadra bardhekuqe vuajti deri në ndeshjen e fundit ndaj Pogradecit. Madje, kjo sfidë dhuroi sa gëzim nga njëra anë, dhe lot nga ana tjetër, sepse liqenorët pas vetëm një sezoni mes më të mirave, u detyruan të zbresin direkt në Kategorinë e Parë. Ishte pikërisht humbja me Skënderbeun (natyrisht korçarët assesi nuk mund të toleronin, pasi në të kundërt do humbnin titullin kampion në favor të durrsakëve) ajo që solli edhe rënien e Pogradecit, i cili u la “jetim” edhe nga kryebashkiaku Artan Shkëmbi në javët e fundit (u tërhoq nga drejtimi dhe vetëm shlyente detyrimet financiare). Ndërkohë, ashtu siç edhe pritej, në vend të dytë u rendit Teuta dhe pas saj Tirana, skuadra këto që kualifikohen për në Ligën e Europës (Tirana do të luajë në turin e dytë, pasi shkon si finaliste e kupës). Ndërkohë duhet thënë se në Ligën e Europës do të luajë edhe Flamurtari, për shkak se në finalen e kupës ka dalë një skuadër e renditur në tri vendet e para. Përveç Pogradecit, direkt në Kategori të Parë ka rënë që para një jave edhe Dinamo, ndërsa Tomori, Kamza dhe Apolonia do të luajnë nga një ndeshje “play-out” me skuadrat që janë renditur në vendet 3, 4 dhe 5 në Kategorinë e Parë: përkatësisht Lushnja, Besa dhe Besëlidhja. Përsa u përket ndeshjeve të luajtura dje, Shkumbini, ashtu siç edhe pritej, arriti që të merrte të paktën një pikë, aq sa i duhej për të qëndruar direkt në Superiore pas barazimit 4-4 në Shkodër. Ndërsa Teuta, edhe pse fitoi në Krujë, nuk shkoi më shumë sesa vendi i dytë në renditje. Tirana fitoi me Kamzën në një sfidë pa shumë interes, ashtu siç ishte edhe takimi i Vlorës mes Flamurtarit dhe Laçit, i mbyllur në barazim pa gola. Ndërkohë në Superiore është shpallur golashënues më i mirë Roland Dervishi i Shkumbinit me 20 gola dhe, si për çudi, ai është ndër goleadorët e vetëm, të paktën në dekadat e fundit, që merr këtë çmim duke qenë në një skuadër që ka luajtur deri në fund për mbijetesë. Për sa i përket Kategorisë së Parë, kampion është shpallur prej dy javësh Luftëtari i Gjirokastrës, ndërsa Kukësi ngjitet direkt në Superiore si skuadra e dytë në renditje. Në “play-off”, siç thamë, kalojnë Lushnja, Besa dhe Besëlidhja, teksa Himara dhe Gramozi do të luajnë nga një ndeshje “play-out” me skuadrat që do renditen në vend të dytë në Grupin A dhe B të Kategorisë së Dytë. Kanë rënë direkt nga kategoria Skrapari dhe Vlora. Ndërsa këtu golashënuesi më i mirë është shpallur Kreshnik Ivanaj i Burrelit, me 27 gola.
Verdiktet e kampionatit
Superiore
Skënderbeu, kampion i Superiores. Kualifikohet për në Ligën e Kampioneve (turi i dytë pre-eliminator)
Teuta kualifikohet për në Ligën e Europës (turi i parë pre-eliminator).
Tirana kualifikohet për në Ligën e Europës si finaliste e kupës dhe luan nga turi i dytë pre-eliminator.
Flamurtari kualifikohet për në Ligën e Europës (turi i parë pre-eliminator).
Dinamo dhe Pogradeci bien në Kategorinë e Parë.
Tomori, Kamza dhe Apolonia luajnë nga një ndeshje “play-out” me skuadrat që janë renditur në vendet 3, 4 dhe 5 në Kategorinë e Parë.
Roland Dervishi (Shkumbini), “Këpuca e Artë” e sezonit, me 20 gola
Kategoria 1
Luftëtari, kampion i Kategorisë së Parë
Kukësi ngjitet direkt në Superiore si skuadra e dytë në renditje.
Lushnja, Besa dhe Besëlidhja luajnë nga një ndeshje “play-off” me skuadrat e renditura në pozicionet 10, 11 dhe 12 në Superiore.
Skrapari dhe Vlora bien në Kategorinë e Dytë.
Himara dhe Gramozi luajnë nga një ndeshje “play-out” me skuadrat që do të renditen në vend të dytë në Grupin A dhe B të Kategorisë së Dytë.
Kreshnik Ivanaj (Burreli), “Këpuca e Artë” e sezonit, me 27 gola
Ndeshjet shtesë
Superiore/ “Play-out”
Tomori-Besëlidhja
Kamza-Besa
Apolonia-Lushnja
Kategoria 1/ “Play-out”
Himara-Tërbuni/ Sukthi
Gramozi-Partizani/Naftëtari
Estrada e golave kthen portierët në tabelë qitjeje
E kishin të pamundur që ta mbyllin këtë sezon pa u bërë sërish protagonistë me lojë dhe gola fiktivë, të cilët kishin një qëllim të vetëm: kreun e golashënuesve si në Superiore, edhe në Kategorinë të Parë. Kështu, në Fier në ndeshjen Apolonia-Tomori dhe në Shkodër në takimin Vllaznia-Shkumbini pati goleada. Duke qenë se beratasit e kishin të sigurt se nuk arrinin dot mbijetesën direkte, luajtën për Bakiun. Sulmuesi ishte në kuotën e 15 golave dhe shpresonte të kalonte Dervishin e Shkumbinit, ndaj shënoi “me zotësi” plot 4 gola në “teatrin” 6-5 në Fier. Por, janë “të zgjuar” edhe peqinasit, të cilët i dhanë shansin sulmuesit të tyre që të shënonte aq gola sa i mjaftonin që të mbante kryesimin. Dervishi shënoi tre të tillë dhe u shpall më në fund golashënuesi më i mirë i Superiores, çmimi që vlen plot 2 milionë lekë të vjetër.
Levi: Dua edhe Kupën e Shqipërisë
Stanislav Levi doli i emocionuar para mediave pas fitimit të titullit kampion. “Ka qenë një sezon mjaft i vështirë, i cili është konkretizuar në një ndeshje të tillë, e cila ishte po shumë e fortë për ne. Ajo që mund të them në këto momente është se sot (dje) në fushën e Pogradecit keni parë një ekip, i cili ka treguar se e ka fituar me meritë kampionatin shqiptar. Një gjë të tillë e kemi konkretizuar ndaj Pogradecit, që mendoj se luajti mirë dhe na vuri shpeshherë në vështirësi. Më duhet ta pranoj këtë, por fitorja është e jona dhe duhet ta festojmë të gjithë. Sakaq dua që të fitoj edhe Kupën e Shqipërisë”, ka thënë Levi.
Shkëmbi: “Ky titull, më i mirë se i vjetshmi”
Pa dyshim që kapiteni Bledi Shkëmbi është një nga protagonistët absolutë të suksesit te skuadra e Skënderbeut. Një lider i vërtetë në fushë dhe jashtë saj, Shkëmbi ka arritur edhe dje të jetë protagonist, duke shënuar golin e dytë. “Sigurisht që jam shumë i gëzuar për këtë sukses të arritur. Titullin e këtij sezoni futbollistik do ta quaja më të bukur se ai i një sezoni më parë, pasi kemi qenë në një garë mjaft të vështirë deri në javën e fundit me kundërshtarët tanë. Nuk e di, por besoj se penalltia që kam shënuar do të ma dalë edhe në ëndërr, pasi ishte në një moment mjaft delikat dhe loja ishte në barazim”, tha Shkëmbi.
Xhafaj: “Fantastike, por tani dua edhe Kupën”
Me dy gola të shënuar, Daniel Xhafaj ka meritë të padiskutueshme në fitimin e ndeshjes së djeshme ndaj Pogradecit. “Ndoshta nuk e kisha menduar se do të shënoja dy gola, por ja që i realizova dhe i shërbeva në mënyrën më të mirë ekipit tim. Sot (dje) kemi bërë një fitore dhe një ndeshje madhështore. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të vetëkënaqemi nga ky sukses, pasi përpara kemi edhe një tjetër takim, siç është ai ndaj Tiranës në finalen e kupës, që duhet ta fitojmë me çdo kusht, pasi ky sezon futbollistik duhet të mbyllet me fitoren e dy trofeve nga ana jonë, për të konfirmuar se meritojmë gjithçka”, tha Xhafaj.
Superiore/ Java 26-të
Bylisi-Dinamo 3-1
Pogradeci-Skënderbeu1-3
Apolonia-Tomori 6-5
Vllaznia-Shkumbini 4-4
Tirana-Kamza 1-0
Kastrioti-Teuta 1-2
Flamurtari-Laçi 0-0
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H GSH GP P
1. Skënderbeu 26 17 6 3 45 16 57
2. Teuta 26 17 5 4 33 18 56
3. Tirana 26 16 5 5 33 21 53
4. Flamurtari 26 13 7 6 39 20 46
5. Kastrioti 26 11 5 10 37 30 38
6. Bylisi 26 9 8 9 40 37 35
7. Vllaznia 26 10 5 11 39 33 35
8. Laçi 26 11 7 8 26 28 34
9. Shkumbini 26 8 7 11 37 44 33
10. Tomori 26 8 4 14 36 47 28
11. Kamza 26 7 6 13 22 32 27
13. Apolonia 26 5 6 15 27 46 21
12. Pogradeci 26 6 4 16 25 47 19
14. Dinamo 26 3 7 16 19 41 13
SHËNIM: Dinamo – 3 pikë, dënuar nga FIFA. Laçi – 6 pikë, Pogradeci – 3 pikë, dënuar nga Disiplina.
SHËNIM: Bylisi kalon Vllazninë për shkak të ndeshjeve direkte.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











