
Izraeli po planifikon një sulm kundër zonave nukleare të Iranit brenda pak javësh, kështu kanë deklaruar ekspertë të sigurisë në Izrael. Zyrtarët britanikë kanë thënë se kryeministri Benjamin Netanjahu ka nisur një proces për mbështetjen e votuesve të tij mbi idenë e një sulmi ajror dhe ndërtimin e një situate për aksion ushtarak. Alon Ben-David, një korrespondent i mirinformuar ushtarak për “Channel 10 Neës” në Izrael, tha të hënën se vendi ishte më afër se kurrë opsionit të sulmit kundër Iranit. Ai tha se Netanjahu ishte i vendosur për të sulmuar Iranin përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane të 6 nëntorit, vetëm 11 javë larg. Liderët e Izraelit besojnë se Presidenti Obama, i “mbyllur” në një betejë të ngushtë elektorale me republikanin Mit Romnej, do të ishte i detyruar të mbështeste një sulm izraelit, edhe pse krerët e ushtrisë amerikane janë kundër tij, nga frika e humbjes së votuesve hebrenj në shtete të fuqishme si Florida. Tensionet janë rritur kur liderët iranianë testuan një ditë më parë arsenale të reja ushtarake përfshirë raketën “Fateh-110”, e cila shkatërron shënjestra brenda 180 miljeve, një distancë që përfshin edhe luftanijet amerikane në Gjirin Persik. Shërbimet sekrete perëndimore po shikojnë më vëmendje lëvizjet e regjimit në Teheran pasi figura të larta e kanë përshkruar Izraelin si “një kancer” që “duhet fshirë nga harta”. Të martën, Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad tha: “Nuk kam asnjë dyshim se aftësinë tona ushtarake mund t’i frenojnë planet e tyre”. Ndërsa Netanjahu i ka përshkruar ambiciet nukleare të shtetit islamik si “kërcënim nga jashtë”, që mund të përdoret për të shkatërruar shtetin hebraik. Shërbimet sekrete amerikane dhe britanike mendojnë se një sulm ushtarak mund të nxisë një konflikt vdekjeprurës në Lindjen e Mesme.











