Edhe pse Irani dhe Izraeli shpallën armëpushim pas shkëmbimit të fundit të sulmeve, tensionet mes dy vendeve mbeten të larta dhe situata konsiderohet e paqëndrueshme.
Burime të sigurisë në Izrael vlerësojnë se përballja me Iranin nuk ka përfunduar dhe se në të ardhmen priten “raunde” të reja përplasjesh.
“Jemi futur në një fazë përballjesh të përsëritura. Do të përballemi sërish me Iranin”, citohet të ketë thënë një burim për mediat izraelite.
Sipas këtyre vlerësimeve, shkëmbimi i fundit i sulmeve nuk pritet të jetë i fundit, ndërsa Izraeli synon të pengojë zhvillimin e armëve bërthamore dhe të dobësojë kapacitetet raketore të Iranit.
Përshkallëzimi nisi pasi Irani lëshoi raketa drejt veriut të Izraelit, në përgjigje të një sulmi izraelit në Bejrut. Më pas, Izraeli goditi objektiva në territorin iranian, duke synuar sisteme mbrojtjeje ajrore dhe instalime të tjera strategjike.
Pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara dhe thirrjeve për ndaljen e luftimeve, të dyja palët ranë dakord për një armëpushim.
Megjithatë, Irani paralajmëroi se çdo sulm i ri ndaj Libanit do të sjellë reagim të drejtpërdrejtë kundër Izraelit.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se çdo sulm i ri do të marrë përgjigje të fortë.
Ndërkohë, Teherani shpreh dyshime për mundësinë e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara. Zyrtarë iranianë theksojnë se mungesa e besimit mbetet pengesa kryesore.
“Nuk besojmë se SHBA është e sinqertë”, u shpreh një zyrtar i lartë iranian, duke shtuar se negociatat varen nga qëndrimi i Uashingtonit.
Sipas tij, Irani nuk do të tërhiqet nga programi bërthamor dhe nga mbështetja për aleatët në rajon, ndërsa theksoi se çdo marrëveshje duhet të garantojë interesat kombëtare të vendit.
Pavarësisht armëpushimit, zhvillimet e fundit tregojnë se përplasja mes Iranit dhe Izraelit mbetet e hapur dhe me rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm.
© Panorama.al












