Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, ka paralajmëruar se “në mungesë të një konsensusi ndërkombëtar për ambiciet bërthamore të Teheranit, Izraeli mund të vendosë që të sulmojë në mënyrë të njëanshme vendin në pranverë”. Në një intervistë në “Washington Post”, ai shprehu shqetësim të thellë për degradimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe superfuqisë tjetër të rajonit, Iranit. Deklarata e Panetës erdhi dy ditë pasi dy zyrtarë të lartë izraelitë u përpoqën që me deklaratat e tyre të nxisin komunitetin ndërkombëtar kundër Iranit. Kreu i Shërbimeve Sekrete izraelite, Avi Koçavi, tha se Irani ka uranium të mjaftueshëm për të prodhuar katër bomba bërthamore. Ndërsa zv.kryeministri Moshe Yaalon ka hedhur idenë e një sulmi blic ushtarak për të shkatërruar impiantet bërthamore iraniane.











