Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Lieberman, nisi dje një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë, ku fillimisht ai u takua me homologun shqiptar Edmond Haxhinasto. Në daljen e përbashkët për shtyp, numri dy i qeverisë së Izraelit u shpreh se ka ardhur në Shqipëri me qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën ekonomike. Ai shoqërohet në Shqipëri nga 17 biznesmenë izraelitë. “Unë kam sjellë me vete përfaqësuesit e biznesit të 17 kompanive izraelite, me qëllim që nesër ato të dëgjojnë dhe mësojnë nga partnerët e tyre shqiptarë për mundësitë dhe nismat e shumta që ekzistojnë dhe që janë të nevojshme për këtë qëllim në të ardhmen. Dhe në këtë drejtim, ashtu siç u përmend me të drejtë edhe nga ministri shqiptar, ne kemi mundësi që të intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik në fushën e energjisë, bujqësisë, turizmit dhe në fusha të tjera dhe për këtë është e nevojshme që ne të punojmë për të kompletuar kuadrin e nevojshëm ligjor, me qëllim që të krijojmë klimën e nevojshme për një gjë të tillë”, u shpreh Lieberman. Nga ana e tij, ministri shqiptar Haxhinasto u shpreh se të dyja palët kanë ndarë qëndrime të njëjta në lidhje me politikën e jashtme. “Kemi ndarë qëndrime të njëjta për sa i takon bashkëpunimit në kuadër të organizatave shumëpalëshe dhe kemi rënë dakord për të mbështetur kandidaturat e secilit vend në të gjitha ato forume ku ne kandidojmë. Gjithashtu, në takim kemi ndarë pikëpamjet tona për sa i takon zhvillimeve më të rëndësishme në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe veçanërisht në Rajonin e Ballkanit. Kemi gjetur mirëkuptim në trajtimin e këtyre çështjeve për pozicionet respektive të secilës palë”, tha Haxhinasto. Nga ana tjetër, i pyetur për Kosovën, numri një i politikës së jashtme të Izraelit pranoi që vendi i tij e ka ende të vështirë të pranojë shtetin e pavarur të Kosovës. “Lidhur me njohjen e Kosovës nga shteti i Izraelit, kjo është një çështje e ndjeshme për shumë arsye, prandaj shkurt do të thosha që ne do ta njohim atë pasi të jetë njohur në fillim nga Spanja, Greqia, Qipro, pra më lejoni të theksoj edhe një here që kjo është një çështje shumë e ndjeshme, për me tepër në rajonin tonë shpërthyes, por gjithsesi unë mendoj se këto probleme mund të zgjidhen në mënyrë paqësore. Ballkani dikur ishte vendi i konfrontimeve, i gjakderdhjes, ndërsa sot është bërë një vend me paqe, ku vendet bashkëpunojnë ndërmjet njeri-tjetrit”, tha ai.











