CHRISTOPHER HILL
Durimi mund të jetë virtyt, por jo edhe domosdoshmëri kur bëhet fjalë për politikat e jashtme amerikane. Kijeni parasysh “luftën e gjatë”, konceptin e guximshëm të përqafuar disa vite më parë për të përshkruar betejën e vazhdueshme kundër terrorizmit, progresin koprrac që mund të arrihet realisht dhe peshën e jashtëzakonshme financiare që ajo mund të shkaktojë për vite të tëra në vijim. Ky koncept ishte, po ashtu, një pranim real politik i pengesave që mund të priteshin në mes të rrugës (“një goditje e fortë”, siç e kishte thënë njëherësh sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld). Mbi të gjitha, termi ishte një përpjekje për të komunikuar me amerikanët, të mësuar të zhvillojnë luftë me shpejtësi dhe vendosmëri (dhe insistojnë për to që nga Vietnami), të mësuar me sakrificën afatgjate dhe përkushtimin e domosdoshëm për ta fituar një luftë të mbijetesës. Ithtarët e tij po ashtu e kuptuan se lufta nuk duhej kufizuar në armë, por do të duhej të ishte një përpjekje e mbështetur, në të cilën do të përfshihej, siç thonë ata, “e gjithë qeveria”, me agjencitë civile që marshojnë prapa objekteve ushtarake – apo paramilitare. Sado e frikshme që përpjekja mund të ishte, mbrojtësit kanë siguruar një konsensus të qëndrueshëm politik për mbështetjen e saj. Mbi të gjitha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin sulmuar. Sot, ky konsensus është i ngatërruar ndërsa politikanët amerikanë luftojnë me një buxhet federal që po shndërrohet në një luftë të gjatë – me vetë ata si viktima të saj. Fushëbetejat në këtë luftë sugjerojnë se ka pak pajtim në mesin e elitës politike për çfarëdo shpenzimi, e lëre më për një luftë të gjatë me përkushtimet e mëtutjeshme. Si rezultat i kësaj, supozimet themelore po vihen në pikëpyetje në çdo anë. Ç’është e vërteta, lufta aktuale e buxhetit duket se po rihapë ndasitë e vjetra lidhur me këndvështrimin e Amerikës për vetveten dhe botën. Rezultati është larg të qenit i qartë, por edhe izolacionizmi, një pafuqi amerikane shumëvjeçare, duket se po bën një rikthim. Izolacionizmi është një refren më se i njohur në politikat e jashtme amerikane në mesin e atyre elementeve të djathta që e konsiderojnë SHBAnë si tepër të mirë për botën, atyre majtiste që e shohin Amerikën si një forcë destruktive globale. Por kësaj radhe, si mbase asnjëherë më parë, një impuls dypartiak izolacionist po lind për shkak të buxhetit. Kriza fiskale amerikane është e thellë dhe kësaj radhe nuk flitet vetëm për shifra. Siç sugjerojnë emocionet sot në Ëashington, neveria për rritjen e taksave buron diku shumë më thellë sesa në shqetësimin rreth ndikimit të tyre në performancën aktuale ekonomike dhe rritjen e vendeve të punës. Pjesërisht, ajo paraqet një këndvështrim fundamental – disa do të thoshin fundamentalist – se taksat janë për qeverinë si ajo që një shishe “Wiskey” është për një alkoolist. Qeveria, siç na ka thënë Ronald Reagan, është problemi, jo zgjidhja. Ky mesazh është një lajm i keq për diplomacinë amerikane. Lidhja ndërmjet jogatishmërisë së politikanëve për të financuar programet e brendshme dhe përkushtimit të rrezikshëm për “një lufte të gjatë” mund t’i shmang ata që janë në qarqet e politikave të jashtme të SHBA-së, por jo edhe ata në pjesën e mbetur të shtetit. Anketat e opinionit publik sugjerojnë se amerikanët duan t’i vazhdojnë shumicën e programeve “diskrete” të brendshme – shkollat, spitalet, infrastrukturat transportuese, parqet rekreative, etj. – të cilat tash janë në listën e shpenzimeve të fryra në negociatat buxhetore. Në vendet rurale si El Paso County, në fushat lindore të Colorados, një vend bukur larg epiqendrës së debatit të buxhetit federal, shkurtimet e shpenzimeve janë përditshmëri. Shkollat po ua rrisin madhësitë klasave, po i shkurtojnë projektet e mirëmbajtjes dhe po i kufizojnë shërbimet e bartjes me autobusë. Këto shkurtime kanë pasur ndikim shumë real dhe të menjëhershëm te banorët e El Paso County. Por a mund të pritet vërtet që ata, si dhe amerikanët e tjerë që po i humbin shërbimet jetike, të shohin rritje përkundër të gjitha këtyre dhe mbështetjes për të financuar ndërtimin e shkollave të reja në Afganistan? Jo vetëm që shkollat publike të Amerikës po fillojnë të duken si të nivelit të dytë, por ashtu është infrastruktura e tyre, e cila për një kohë të gjatë ka qenë burim i krenarisë kombëtare. Sa udhëtarë këtyre ditëve mund të mos e vërejnë dallimin ndërmjet aeroporteve të reja dhe efikase të Azisë dhe antikiteteve gjithnjë e më të vjetruara dhe joefikase në disa qytete të mëdha të SHBAsë? Lufta e buxhetit nuk po prodhon ndonjë konsensus në përmirësimin e infrastrukturës amerikane, por po fillon ta prodhojë një këndvështrim se Afganistani dhe Pakistani po shndërrohen në bërthamën e interesave kombëtare amerikane. Pse, pyeten njerëzit, shkollat dhe rrugët në Afganistan dhe në Irak janë më të rëndësishme se sa ato në Colorado dhe California? Në një rast në vitin 2008, ushtria amerikane mbuloi koston e transportimit të një tigri në kopshtin zoologjik të Bagdadit. Kur ishte hera e fundit që Qeveria amerikane bëri një gjë të tillë për ndonjë kopsht zoologjik në SHBA (jashtë Uashingtonit, natyrisht)? Varësisht nga mënyra se si ky debat do ta formësojë veten, ashtu do të pasojnë edhe ndikimet në mënyrën sesi Amerika do ta paraqesë veten në këtë botë. Por do të ndikojë po ashtu edhe mënyra se si bota do reagojë ndaj eksportit me rritjen më të shpejtë të Amerikës – dhënien e këshillave. Shtetet marrin këshilla nga të tjerët për shumë arsye. Ndonjëherë ato respektojnë urtësinë e këshilltarëve dhe ndonjëherë njohuritë. Ose në disa raste mund t’u druajnë pasojave të mosmarrjes së këshillave. Ose, siç është rasti në shumë transaksione diplomatike amerikane, pranimi i këshillave mund të hapë rrugën për marrëdhënie më të ngushta dhe ndihma shtesë. Me pak fjalë, diplomacia – dhe veçanërisht diplomacia amerikane – të shumtën e rasteve ka të bëjë me para. Por çfarë nëse nuk ka para për të ofruar? Çfarë nëse amerikanët, të ngujuar në shkurtimet buxhetore të fqinjëve, refuzojnë të ofrojnë fonde madje edhe për “luftën e gjatë”? Në atë pikë, zyrtarët e lartë amerikanë mund të shkojnë në një shtet, të ofrojnë këshilla, dhe të zbulojnë se në fakt askush nuk lodhet t’i dëgjojë.
*Ish-ndihmëssekretar amerikan Shteti për Azinë Lindore, ishte ambasador amerikan në Irak, në Korenë Jugore, në Maqedoni dhe Poloni, si dhe i dërguar special i SHBA-ve në Kosovë, negociator në marrëveshjen paqësore të Dejtonit për Bosnjën dhe kryenegociator për Korenë Veriore nga vitet 2005 deri në 2009-n. Ai tani është dekan i shkollës “Korbel” për studime ndërkombëtare, në Universitetin e Denverit.











