Ivanoviç tërbohet, fyen shqiptarët e ndërkombëtarët

Aug 11, 2011 | 13:16

Serbët kanë nisur zhbllokimin e pjesshëm të barrikadave të tyre në rrugët veriore të Kosovës, ndërsa anëtarë të Këshillit Nacional serb nuk harrojnë dot zemërimin ndaj refuzimit të kreut të KFOR-it, Erhard Buhler, për t’u takuar me ta. Raportimet e mediave se Buhler kur të largohet nga Kosova do të marrë me vete edhe një nuse shqiptare, kanë nxitur kryetarin e Këshillit nacional serb, Milan Ivanoviç, të nxjerrë vrerin kundër tij dhe përfaqësuesve të tjerë të komunitetit ndërkombëtar që kanë mbështetur Kosovën në konfliktin me Serbinë. “Lidhja emotive e shefit të KFOR-it me një shqiptare e diskrediton atë si bashkëbiseduesin e parë të bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me krizën në veriun e Kosovës”, shkruan “Pres”. Kryetari i Këshillit Nacional serb të veriut të Kosovës, Ivanoviç, tha për “Pres” se “Shqiptarët te ndërkombëtarët lobojnë ose me para, ose me femra. Kjo është taktika e tyre. Buhler shihet ashiqare që nuk është miqësor me serbët, ndërsa këtu flitet se babai i ka shërbyer në njësitet gjermane në vitin 1941”, tha Ivanoviç. Ai akuzoi se “Pothuaj të gjithëve njerëzve të fortë u janë siguruar vende në këshillat drejtues të kompanive të profitit të lartë. Kështu e kanë siguruar Madelin Ollbrajt, të ndjerin Riçard Hollbruk, Uezli Klark… Ndaj, nuk është çudi se të gjithë ata njerëz kanë luftuar për interesat e shqiptarëve më shumë se shtetet e tyre”. Fyerjet e tij shkojnë më tej, ai thotë se “Marti Ahtisari ka marrë para nga mafia shqiptare” dhe se emri i tij (nobelist për paqen) “ndërlidhet me dërgimin e vajzave si dhuratë ‘bonus'”.

© Panorama.al

Te lidhura