Kostoja më e ulët për divorcet brenda Bashkimit Europian rezulton të jetë në Francë. Të paktën për italianët, që nuk e kanë shumë larg këtë vend. Mijëra çifte çdo vit kanë zgjedhur për të kryer praktikën moderne (divorcin) në Francë, për shkak të kostos së ulët dhe jo vetëm. Vendi ka edhe procesin më të shpejtë të kryerjes së kësaj praktike. Sipas prestigjiozes franceze “Le Parisien”, rezultojnë mijëra çifte italiane që shkojnë në Francë dhe marrin një shtëpi me qira; dhe kaq mjafton që ata të kryejnë brenda pak orëve procedurën e divorcit. Që prej 10 vjetësh, falë rregullave komunitare, procedurat e ndarjes së një çifti të martuar mund të kryhen në çdo vend të Bashkimit Europian, pas një seance në një gjykatë çfarëdo të njërit prej vendeve anëtare të BE-së.











