TIRANE- Situata e zjarreve vazhdon të jetë problematike në të gjithë vendin, ku ndërhyrja nga ajri në disa zona është e domosdoshme. Nga nesër do të mbërrijne në Shqipëri, për të nisur menjëherë nga puna dy avion nga Italia. Lajmi është dhënë nga ambasada italiane në Shqipëri nëpërmjet një njoftimi për shtyp.
“Në përgjigje të kërkesave urgjente të Qeverisë Shqiptare, edhe këtë vit Departamenti i Mbrojtjes Civile Italiane ndihmon autoritetet shqiptare në shuarjen e zjarreve në pyje, të cilët nga muaji gusht kanë prekur, me pasoja të rënda mjedisore, zona të ndryshme të Shqipërisë”.
Nga nesër, dy avionët, Cander do të nisin misionet e tyre të shuarjes së zjarreve, në bashkëpunim me Mbrojtjen Civile Shqiptare.
Ndërkaqë, avioni i tipit Cander, i dërguar nga Republika Turke, vazhdoi operacionet nga ajri mbi Parkun Kombëtar të Bozdovecit, në rrethin e Korçës, duke mundësuar fikjen e plotë të tij.
Helikopteri i tipit Cugar, nga Republika Sllovene, ka kryer gjatë gjithë ditës opercionet në Malin e Dajtit. Edhe gjatë ditës së nesërme operacionet nga ajri do të vijojnë në zonën verilindore. Sipas MB-së në janë mbi 700 efektivë të Forcave të Armatosura, në të gjithë territorin e vendit, të mbështuera nga forcat zjarrëfikëse dhe ato të Shërbimit Pyjor.
Sipas informacionit të fundit nga ministria e Brendshme në të gjithë vendin janë 23 vatra zjarri.
Qarku Berat. Ka 1 vatra zjarri aktive. Në fshatin Tozhar, komuna Tërpan. Vatra e zjarrit është në majë të malit, në kullotë. Vatra e zjarrit në Therepel, në komunën Bogovë, Skrapari u fik.
Qarku Dibër: Ka 5 vatra zjarri aktive. Vazhdon djegia në Parkut Kombëtar Lurë, në vendin e quajtur “Liqeni i Bruçit”. Një vatër e re u shfaq gjatë ditës së sotme në Parkun Kombëtar. Zjarri në Kacni, në vendin e quajtur “Kulemath” dhe ajo në Zallë-Gjoçaj, të komunës Derjan vazhdojnë dhe janë nën kontroll. Zjarri në “Vargmalin e Balgjajt”, ka kaluar në drejtim të malit të Bulqizës.
Qarku Elbasan: Ka 1 vatër zjarri aktive. Vatra e zjarrit filloi pasditen e sotme në Shmil, të Elbasanit, pa rrezik. Vatrat në rrethin e Gramshit janë fikur.
Qarku Kukës: Ka 3 vatra zjarri aktive. Në afërsi të fshatit Kok-Dedë, komuna Fierzë, Pukë është shfaqur një vatër e re zjarri me zhvillim intensiv. Janë marrë të gjitha masat nga komuna, forcat pyjore për të mbrojtur zonën. Në ndihmë kanë shkuar edhe 30 efektivë të FA-ve. Vatra në Rrethin e Bardhë, komuna Margegaj mbetet problematike. Vatra në Bjeshkët e Bardhocit, komuna Tërthore është vënë pjesërisht nënkontroll.
Qarku Tiranë. Ka 1 vatër zjarri aktive, atë në Malin e Dajtit, ku situata po mbahet nën kontroll. Helikopteri operoi në afërsi të antenave.
Ndërsa vatra e zjarrit në afërsi të objekteve të rëndësisë së veçantë në fshatin Linxë, komuna Dajt është vënë nën kontroll me ndihmën e helikopterit që operoi nga ajri dhe 1 mjet zjarrfikës të stacionit të Tiranës dhe 1 mjet zjarrfikës i FA dhe në orët e vona të pasdites u shua.
Qarku Shkodër: Ka aktive 8 vatra zjarri. Në Rrethin Pukë kemi 5 vatra zjarri: në afërsi të fshatit Kokdodë, komuna Fierzë, Pukë është shfaqur një vatër e re zjarri me zhvillim intensiv. Vatra të tjera zjarri: në fshatin Iballë, Komuna Iballë; fshati Orosh, Komuna Qafë Mali; fshati Mzi, Komuna Fierzë; fshati Dardhë, Komuna Blerim dhe Fushë Laj, Komuna Gjegjan.
Në Rrethin Shkodër: 3 vatra aktive: Rreth orës 11 në zonën e Thethit, komuna Shalë u shfaq një vatër e re. Në rrethin Malësisë së Madhe kemi 2 vatra në terrene të vështira: në komunën Këlmend dhe në fshatin Vukël, të cilat janë nën kontroll.
Zjarri në Fushë të Zezë, komuna Kastrat u fik.
Qarku Lezhë. Ka aktive 3 vatra zjarri. Vatra në rrethin e Mirditës në fshatin Arrëz, komuna Kaçinar është izoluar dhe nën kontroll. Vatra në malet e fshatit Arrën, komuna Arrën, Kukës është izoluar, ndërsa ajo në fshatin Gryk Orosh, Lgjin, komuna Orosh, është nën kontroll.
Qarku Vlorë. Ka 1 vatër zjarri aktive. Vatra e zjarrit në Karaburun, vijon që prej dy ditësh. Po punohet për izolimin e tij.
Qarku Korçë. Nuk ka vatra aktive zjarri. Zjarri në Parkun Kombëtar të Bozdovecit u fik.
Vatrat e e zjarrit në malin e Elbit, komuna Hoçisht, në fshatin Stratobërdë, komuna Vithkuq dhe në fshatin Floq, komuna Mollaj, janë të izoluar totalisht.
© Panorama.al











