Italia/ Prandeli: Greva të mos bëhej vetëm për nacionalizëm

Aug 30, 2011 | 13:02

“Autogol”. Kështu e ka përkufizuar moszhvillimin e javës së parë të Serisë A trajneri i përfaqësueses italiane, Çezare Prandeli. “Ka qenë një autogol nga të gjithë. Shpresova deri në momentin e fundit që kampionati të fillonte. Por gjërat shkuan ndryshe. Tani të gjitha palët duhet të tregohen më të përgjegjshme dhe të mos kërcënojnë njëra-tjetrën sa për të dhënë spektakël”. Shtyrja e kampionatit italian e dëmton Kombëtaren azurre, pasi futbollistët e grumbulluar nuk kanë zhvilluar ende një ndeshje të vërtetë. “Për mua problemi kryesor është se lojtarët që kam grumbulluar nuk e di nëse mund të luajnë 90 minuta. Shtatori është historikisht një muaj i vështirë për futbollin italian. Tani do më duhet të punoj shumë mbi formën fizike të skuadrës. Për mendimin tim, ne italianët mendojmë për kombëtaren vetëm dy ditë përpara ndeshjes. Sepse, gjatë sezonit, secili mendon për punët e veta”, tha tekniku. Duke parë atë që po ndodhin ditët e fundit, sipas Prandelit, ekziston rreziku që përfaqësuesja e Italisë ta marrë me lehtësi ndeshjen ndaj Ishujve Faroe.

© Panorama.al

Te lidhura