Italia “shkel” Spanjën, Gjermania mund Brazilin

Aug 11, 2011 | 13:40
Gjermani - Brazil 3-2

Italia ka mundur Kampionët e Botës në miqësoren e luksit të zhvilluar mbrëmë në Bari, ndërsa Gjermania ka ndalur edhe një herë tjetër Brazilin duke shënuar tre gola në portën e Hulio Sezar. Italianët i kanë dhënë një leksion futbolli në miqësore skuadrës Kampione të Botës dhe Europës, Spanjës. Italianët treguan gjatë gjithë ndeshjes një epërsi në fushë duke kontrolluar lojën. Të parët kaluan në avantazh vendasit me anë të Montolivos, në minutën e 11-të të pjesës së parë. Më pas spanjollët e barazuan rezultatin përmes penalltisë që ishte mjaft e dyshimtë, e që e shndërroi në gol Alonso në minutën e 37-të. Por para kësaj trajneri Visente del Boske bëri disa zëvendësime të mënjehershme duke parë se loja e skuadrës së tij nuk ishte ajo që ai kërkonte, ose më mirë ajo që u pa më së miri në Botëror. Pjesa e dytë pati me shumë raste shënimi për Italinë, por nuk mbeti pas edhe Spanja, e cila rrezikoi disa herë portën e Bufonit. Të dy trajnerët shfrytëzuan mundësinë të provojnë të gjithë lojtarët, ndërsa italianët shënuan golin e fitores përmes Akuilanit, duke i shkaktuar kështu kampionëve humbjen e parë pas fitimit të trofeut më prestigjioz në botë.
Ndërkaq, jo shumë larg nga Italia, në Gjermani, djemtë e Joakim Lëv prisnin Brazilin e Menezez. Këtu, në ndryshim nga sa ndodhi në Itali, golat u shënuan të gjithë në pjesën e dytë të lojës. Madje deri në minutën e 60-të skuadrat patëm shumë pak raste për shënim. Penalltia e Shvajnstaigerit hapi serinë e golave, e cila përfundoi me Nejmarin, i cili vetëm sa shkurtoi diferencën e golave të sigluar më pas nga Gotze dhe Shurrle. Për Brazilin shënoi edhe Robinjo. Ndërkaq, ra në sy loja e dobët e Patos, si dhe aktivizimi i disa lojtarëve të rinj, sidomos te Brazili.

Gjermani-Brazil 3-2

Shënues: Shvajnstaiger 61′ (p), Gotze 67′, Shurle 80’/ Robinjo 72′, Nejmar 90′
Kartonë: Ganso
Gjermani: Nojer, Trash, Humels (Boateng 88′), Badshtuber, Lahm, Shvainstaiger (Rofles 85′), Kros, Myler, Gotze (Kakau 88′), Podolski (Klose 46′), M.Gomez (Shurrle 46′). Trajner: Joakim Lëv
Brazili: Julio Sesar, D.Alves, Tiago Silva, Lusio, Andre Santos (Gustavo Luiz 86′), Ramires, Fernandinjo (Ganso 70′), De Souza Teles, Robinjo (Soares 86′), Nejmar, Pato (Fred 77′).
Trajner: Mano Menesez

Itali-Spanjë 2-1

Shënues: Montolivo 11′, Akuilani 84’/ Ksabi Alonso 37′ (p)
Kartonë: Akuilani, Baloteli/ Arbeloa
Italia: Bufon, Maxhio, Ranokia (Bonuçi 77′), Kielini, Krishito, De Rosi (Akuilani 66′), Pirlo, Montolivo (Noçerino 74′), Tiago Mota (Markizio 46′), G.Rosi (Pacini 60′), Kasano (Baloteli 59′). Trajner: Çezare Prandeli
Spanja: Kasijas (Valdes 46′), Iraola, Piké (Buskets 45′), Raul Albiol, Arbeloa, Martinez (Alkantara 46′), Ksabi Alonso, Iniesta (D.Vila 46′), Kazorla (Mata 80′), Torres (Lorente 15′), D.Silva. Trajner: Visente del Boske

Fitojnë Bjellorusia e Rumania, barazon Franca

Bjellorusia dhe Rumania kanë fituar minimalisht ndaj Bullgarisë dhe San Marinos. Kështu, bjellorusët mundën bullgarët falë një autogoli të Ilian Stojanov në minutën e 33-të të takimit, ndërsa rumunët fituan në San Marino falë golit të Nikolae Ovidiu Herea, të shënuar në minutën e 72-të. Përveç këtyre dy skuadrave, nga ekipet që bëjnë pjesë në grupin tonë kualifikues për në EURO 2012 po mbrëmë luajtën edhe Bosnja e Franca. Boshnjakët barazuan pa gola me Greqinë në fushën e tyre, ndërsa francezët barazuan 1-1 me Kilin, po në fushën e tyre. Për skuadrën e Lorent Blank shënoi Remi në minutën e 33-të të pjesës së parë, ndërs amë pas barazoi Nikolas Andres Kordova në minutën e 76-të të takimit. Duhet thënë se në ndryshim nga çfarë bëri trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, të gjithë homologët e tij në grupin ku bën pjesë Shqipëri bënë shumë ndryshime në skuadrat e tyre duke aktivizuar shumë lojtarë të rinj.

© Panorama.al

Te lidhura