Italia, ‘rrezik’ i ri në eurozonë, masa kursimi si në Greqi

Jul 14, 2011 | 12:33

Eurozona po i trembet shumë efektit zinxhir të krizës greke dhe ka nisur paralajmërimet edhe për vendet e tjera që rrezikojnë moskthimin e borxhit sipas parashikimeve, duke vënë në shënjestrën e radhës Italinë.Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka bërë thirrje Italisë që të nisë një program shkurtimesh për të mos kaluar në një situatë emergjente borxhi. Kostot e huamarrjes së Italisë u ngritën në nivelin e tyre më të lartë në më shumë se një dekadë, duke shkaktuar dyshime të reja në lidhje me aftësinë e zonës euro për sistemuar veten. Kriza e borxhit të eurozonës mori një kthesë të re dje, pasi “kontaminoi” Italinë, aktualisht ekonomia e tretë më e madhe e bllokut të monedhës euro, e cila do të ishte shumë e madhe për t’u shpëtuar, duke marrë parasysh situatën aktuale luftarake që ka brenda eurozonës, në përpjekjet kolosale për të mbrojtur euron. Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, u përpoq të qetësonte frikën se Italia mund të përfshihet në një krizë të plotë, në shkallë të gjerë financiare, dhe i kërkoi opozitës ta kalonte qetësisht në Parlament planin për masat e ashpra të kursimit, të cilat do të kapin shifrën 40 miliardë euro. “Për ne, për Italinë, ky sigurisht nuk është një moment i lehtë”, tha Berluskoni në një deklaratë, e cila pasoi një mëngjes kaotik në tregjet financiare, ku bonot italiane shënuan një nivel 6 për qind më lartë, më i larti i tyre në dhjetë vitet e fundit. Me Italinë që qëndron mbi obligacionet 1.6 trilionë eurosh të qeverisë, çdo rritje e kostove të huamarrjes shkëput ashpërsisht përpjekjet për të ulur borxhin, që tani është sa 120 për qind e GDP-së (produktit të brendshëm bruto) të këtij vendi. Por Italia nuk është e vetme. Bashkë me të kërcënohen edhe Irlanda, Spanja e Portugalia. Agjencia e vlerësimit të kreditimit, “Moody’s”, e cila pak ditë më parë u kritikua nga Komisioni Europian për vlerësimin e ulët për borxhin e Portugalisë, ka rrëzuar në të njëjtin nivel, “pa vlerë”, edhe aftësinë e Irlandës për të lartë borxhin me kredi.  Sipas “Moody’s”, vlerësimi i tyre është bazuar në studimet dhe mundësitë e rritjes ekonomike të Irlandës, e cila ka nevojë për një hua të dytë për të dalë në tregjet ndërkombëtare.
Lidhja me Greqinë
Sipas analistëve, qëndrimi më i mirë që mund të marrë eurozona për të krijuar një parzmore mbrojtëse për ekonominë e Italisë, do të ishte marrja e hapave deçizive për të ofruar një paketë të dytë ndihme për Greqinë. Sa më shumë të zgjatet diskutimi i paketës së re për Greqinë, aq më shumë pasiguri do të krijohet në tregje dhe aq më tepër rrezik ka për një reaksion zinxhir për vendet e eurozonës me borxhe të mëdha. Nëse vonojnë 17 vendet e eurozonës për të marrë këtë vendim, atëherë ka dy zgjidhje: ose ngushtimi i eurozonës, ose shpërbërja e saj. Të hënën në mbrëmje ministrat e eurozonës debatuan gjatë dhe nuk arritën të gjejnë një gjuhë të përbashkët për paketën e dytë ndaj Greqisë.
Kryeministri i Luksemburgut, Zhan-Klod Xhunker, dhe ministri italian i Financave, Xhulio Tremonti, kanë bërë thirrje për një eurobond me garanci të përbashkëta, por Gjermania deri tani e ka përjashtuar këtë opsion.

40 miliarde euro
është paketa e kursimit që duhet të miratojë Parlamenti italian. 120 për qind e GDP-së është borxhi që ka aktualisht ky vend, me ekonominë e tretë më të madhe në Eurozonë

© Panorama.al

Te lidhura