
Mjekët ligjorë: Emigrantja që punonte në një lokal nate, u përplas qëllimisht me makinë dy ditë më parë.
L’Aquila, 30-vjeçares Mariana Marku i copëtuan këmbën e njërën dorë.
Gjendet e masakruar në Itali gruaja shqiptare 30 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur në anë të rrugës “Cese di Avezzano” në L’Aquila, ku viktima është gjetur e masakruar, gjysmë e gjymtuar në lëndinën e një pylli.
Shtetasja shqiptare e vrarë, e cila ishte e gjymtuar në njërën këmbë dhe krah, u identifikua nga vëllai i saj disa orë pasi ishte gjetur pa jetë nga policia. Mediat italiane shkruanin dje se viktima është Mariana Marku, nga Trashani i Lezhës, nënë e një djali 11-vjeçar. Ajo ishte denoncuar mëngjesin e djeshëm tek karabinierët e zonës së Aquilas, nga vëllai i saj, me të cilin jetonte pas divorcit, i cili kishte njoftuar policinë se e motra nuk ishte kthyer në shtëpi prej dy ditësh. Gjithashtu ajo nuk u përgjigjej telefonatave të tij dhe ky fakt e kishte shqetësuar. Menjëherë kanë nisur kërkimet nga ana e policisë, derisa është bërë e mundur gjetja e saj, e pajetë dhe gjysmë e gjymtuar. Sipas mediave italiane, të cilat i referohen Policisë, 30-vjeçarja ishte masakruar. Njërin krah dhe njërën këmbë i kishte të gjymtuara, ndërsa kishte shenja dhune të fortë edhe në pjesë të tjera të trupit, por kryesisht në kokë e fytyrë. Nisur nga denoncimi i bërë mëngjesin e djeshëm, policia ka lajmëruar menjëherë vëllain e saj, i cili ka arritur ta identifikojë menjëherë të motrën. Mariana Marku me djalin e saj të vogël, 11 vjeç, jetonte me vëllain e saj dhe gruan e tij, pasi ishte divorcuar nga i shoqi prej disa vitesh. Ajo punonte në një lokal nate Civitela Roveto dhe dyshohet se mbrëmjen kur është vrarë, ka qenë duke u kthyer në shtëpi, pasi kishte mbyllur orarin e punës.
HETIMI

Pas gjetjes së trupit të masakruar të emigrantes shqiptare, Policia italiane ngriti pistat e para të hetimit. Hetimet lidheshin kryesisht me ndonjë krim të mundshëm pasioni, por edhe ndonjë konflikt që ajo mund të kishte pasur në lokalin e natës ku punonte, me ndonjë klient apo koleg. Për këtë arsye, Policia italiane mori fillimisht në pyetje vëllain e saj, pronarin e klubit ku ajo punonte, si dhe disa kolege të 30-vjeçares Mariana Marku. Por nga deklarimet e tyre rezultoi që Marku kohët e fundit nuk ka pasur asnjë lloj konflikti në punë, qoftë me pronarin, kolegët apo edhe me klientët. Ndërkaq, nga ekzaminimi paraprak i mjekëve ligjorë, doli në pah një tjetër pistë hetimore, nisur edhe nga disa prova të gjetura pranë vendit të ngjarjes. Mjekët ligjorë nga ekzaminimi paraprak supozuan se krimi mund të jetë kryer nga një ose disa hajdutë. Ekspertët konstatuan, veç plagëve të rënda në të gjithë trupin, gjymtimin e njërës këmbë dhe të krahut, edhe një ënjtje në stomak. Kjo e fundit, sipas mjekëve, ndodh në rastet e aksidenteve të rënda automobilistike. Duke lidhur dyshimet e mjekëve ligjorë me një makinë të djegur që u gjet fare pranë vendit ku u gjet kufoma e masakruar e Mariana Markut, hetuesit kanë dyshime të forta që 30-vjeçarja mund të jetë goditur qëllimisht me atë makinë që u gjet e djegur. Sipas tyre, rezulton që makina është vjedhur në Cerveteri të Romës dhe hajdutët kanë qenë duke nxituar për të fshehur mjetin e vjedhur. Megjithatë, sipas Policisë, duhet të kryhet edhe një autopsi më e hollësishme e kufomës, për të krijuar një siguri absolute për shkaqet e vdekjes dhe për të arritur në një përfundim të saktë. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e personave që kanë vjedhur makinën, kërkime që mund t’i çojnë edhe në zbulimin e autorëve të vrasjes së Mariana Markut.
EMIGRANTJA
Mariana Marku është emigrantja shqiptare, e cila u gjet e masakruar në lëndinën e një pylli në Itali. Ajo është 30 vjeçe, e divorcuar prej disa vitesh nga i shoqi dhe ka një djalë 11 vjeç, i cili jetonte me të. Prej vitesh ajo banon në të njëjtën shtëpi me të vëllain, në Bergamo të Italisë, bashkë me gruan e të vëllait dhe djalin e saj të mitur. Vitet e fundit ajo punonte në një klub nate, disa kilometra larg shtëpisë, nga ku po kthehej mbrëmjen kur u vra.
AUTOPSIA
Mjekët ligjorë që kanë kryer autopsinë paraprake të trupit të pajetë të shqiptares Mariana Marku, dyshojnë se vdekja e saj mund të ketë ardhur nga një goditje e qëllimshme dhe mjaft e fortë me makinë. Supozimet paraprake të ekspertëve që kryen ekzaminimin, vijnë nga plagët e rënda dhe vdekjeprurëse të saj dhe nga ënjtja e fortë në stomak, që ndodh përgjithësisht në rastet e përplasjeve të forta nga automjetet. Por ky version deri diku mbështetet edhe nga hetuesit, të cilët e lidhin ngjarjen me një makinë të djegur që u gjet pak metra larg vendngjarjes.











