Tejkalimi i afateve të lejuara nga ligji për shqyrtimin e një çështjeje penale, ka mundësuar anulimin e një akuze për ish-kryeministrin italian, Silvio Berluskoni. Ai nuk do të hetohet më për evazion fiskal. Të përfshirë në këtë çështje ishin edhe 11 persona të tjerë, por edhe ata u liruan nga akuzat. Prokuroria në Romë ka deklaruar se kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar se rrjeti gjigant televiziv, “Mediaset”, ka fshehur të ardhurat nga tatimet. Ndërkohë që kjo çështje u mbyll, ish-kryeministri Berluskoni po hetohet edhe për dy çështje të tjera që pas humbjes së imunitetit, kur dha dorëheqjen nga posti në nëntor: ai akuzohet se ka paguar një prostitutë nën moshë në festat e tij bunga-bunga dhe se ka publikuar një përgjim në mënyrë të paligjshme. Berluskoni, 75-vjeç, nuk ka pranuar asnjë nga akuzat kundër tij, duke i cilësuar ato një montim politik.











