Më poshtë po bëj një analizë të thjeshtë për Bashkinë e Tiranës, e cila u bë sebepi që edhe dy vjet të tjera politika shqiptare të mbetet me shumë gjasa në “ngërç” dhe të sorollatet në labirintet e politikës së vjetër, me mentalitet komunist e ballkanik, ku edhe shumë nga lojtarët me moshë të re mendojnë se “më i miri është ai që sillet më keq” dhe “më i zoti është më i paafti që sulmon të aftët”. Edhe për dy vjet të tjera, deri në 2013-n, gjasat janë që të vazhdojë e njëjta situatë si në dy vitet 2009-2011, por me formë dhe stil ndryshe… Nuk duket asnjë sinjal optimist që të ndodhë çudia dhe ky nuk është as pesimizëm dhe as skepticizëm; ndonëse pres me shumë vigjilencë të ndodhë ndryshe, nuk shikoj asnjë shenjë pozitive, madje më rezulton e kundërta kur gjithçka është fokusuar tek zgjedhja e Presidentit, duke e kthyer këtë institucion nga pjesë e zgjidhjes në pjesë të problemit…
“Ngërçi politik vazhdon”: Donkishoti ja lë vendin Shvejkut
“Kriza/ngërçi” me anë të “bojkotit dyvjeçar donkishotesk” do t’ja lërë vendin “krizës/ngërçit” tanimë “pa bojkot përmes luftës me stilin e Shvejkut”, ku palët do të përgjërohen për demokracinë dhe integrimin, por nuk do të merren dot vesh duke u përpjekur vetëm për t’u mbushur mendjen ndërkombëtarëve se fajin e ka pala kundërshtare. Zgjedhja e Presidentit për shkak të zgjedhjes nga ana e tij të prokurorit të Përgjithshëm dhe të shefit të Shërbimit Inteligjent (por jo vetëm), do t’i hedhë në mënyrë naive më shumë benzinë zjarrit. Bashkia e Tiranës do të lakohet në të gjitha rasat në median shqiptare dhe në takimet me ndërkombëtarët si argumenti më i fortë për të justifikuar krizën që do të vazhdojë të jetë prezente deri në vitin 2013; “perëndia u tregua e madhe duke i ofruar humbësit legal në çastin e fundit ‘vjedhjen’ e Bashkisë”. .. E gjithë “kriza/ngërçi politik” dhe të gjithë “krizat e tjera shoqëruese e të sajuara” do të vazhdojnë edhe në dy vitet në vijim dhe do të lidhen me “datën 14 maj 2011….”, “fitoren e ‘vjedhur’ me 10 vota, me KQZ ‘kanibale’, me Kolegjin Zgjedhor të ‘blerë nga studio Berisha’…” e të tjerë, e të tjerë…
Lufta e “maces me miun” duket se do bllokojë marrjen e statusit te vendit kandidat për në BE…
Tema tabu që PS fitoi apo nuk fitoi në Tiranë, tani është kthyer në temë të zakonshme, çdo ditë e më shumë pas daljes së Ramës nga zyra e Bashkisë. Pas pak ditësh, raporti i OSBE/ODHIR do të rihapë debatin e “nxehtë” për cilësinë e zgjedhjeve përmes të cilit secila palë do t’i japë të drejtë vetes duke i mëshuar pjesës që i pëlqen apo duke mohuar pjesën që nuk i pëlqen. Në shtator fillon pra “lufta e maces me miun”, se kush t’ia hedhë njëri-tjetrit në betejën politike për 12 pikat e BE dhe/ose reformën kushtetuese e zgjedhore; kjo lloj beteje duket do të bllokojë procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE dhe nuk do të prodhojë progres për sa i përket reformave, duke u përpjekur t’i tregojnë partnerëve ndërkombëtarë se përgjegjëse është pala kundërshtare dhe pa shumë shqetësim që, edhe këtë radhë, Shqipëria me shumë gjasa do të humbasë trenin europian.
E Majta mbetet e përçarë dhe rezulton humbëse në Bashkinë e Tiranës në 2011-n..
Në 2007-n e majta e bashkuar (PS bashkë me LSI) fitoi 1) kryetarin e Bashkisë, 2) Këshillin Bashkiak, 3) Njësitë bashkiake në raportin 9 me 2 dhe 4) këshillat minbashkiake në raportin 9 me 2. Në 2011-n, PS në krye të se majtës, më të përçarë se kurrë (PS në konflikt me LSI, e cila pas 2009 iu bashkua koalicionit të PD) 1), humbi “legalisht” (e debatueshme/e papranueshme nga opozita politikisht) kryetarin e Bashkisë; 2) Këshillin Bashkiak me 385 vota më pak; 3) Njësitë bashkiake nga 9 me 2 në favor të saj, në 7 me 4 në favor të së djathtës dhe 4) po në të njëjtën masë edhe këshillat minibashkiakë. Nëse e majta do të ishte shfaqur e bashkuar si në 2007-n në konkurrimin për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit 2011, atëherë 1) kandidati i majtë do të fitonte Bashkinë e Tiranës me 40376 vota (ose me 57.37 % kundrejt 41.04 % të kandidatit të PD) më shumë; dhe 2) me këtë rezultat 55 mandatet në Këshillin Bashkiak do të ishin shpërndarë në 32 mandate për të majtën e bashkuar dhe 23 mandate për të djathtën, duke fituar kështu e majta jo vetëm shumicën e qartë, por edhe kryetarin e Këshillit Bashkiak. Dhe PS nuk do të ishte futur në ngërçin “fitoi Rama me 10 vota apo jo..” duke e mbajtur kështu përsëri PS në krizë, të majtën të përçarë dhe vendin në ngërç e për rrjedhojë të humbur edhe momentin për fitimin e statusit të vendit kandidat për në BE. Për të reflektuar sinqerisht në funksion të suksesit në vitin 2013, duhet të fillojë sipas kësaj mënyre të kryhet analiza realiste e situatës në PS dhe në të majtën shqiptare, përndryshe shanset e humbjes në 2013-n janë shumë të larta…
PS me aleatë të “dobët”, kurse PD me aleatë të fuqishëm…
Një përfundim tjetër është se PS ka menduar më shumë për veten e saj sesa për të ndërtuar koalicion të fuqishëm e të suksesshëm; koalicioni Aleanca për të Ardhmen (AA) i drejtuar nga PS ka fituar 121 232 vota, nga të cilat 104 465 vota (ose 86 për qind të tyre) i ka fituar PS dhe vetëm rreth 16 500 vota (ose 14 për qind) aleatët. Vetëm PDS ka mundur të fitojë rreth 3000 vota, ndërkohë që të gjithë aleatët e tjerë mbeten të “dobët”. Edhe aleati i saj i ri nga e djathta PDK, rezulton i zvogëluar në 2011-n me rreth 30 për qind krahasuar me 2007-n. Kurse PD ka aplikuar një politikë më fleksibël ndaj aleatëve, duke i lënë më shumë terren atyre të rriten për vetë natyrën më të “decentralizuar/dispersive” të votave në zgjedhjet vendore. Koalicioni Aleanca për Qytetarin ka fituar 121 617 vota në 2011-n, nga të cilat PD ka fituar vetëm 77 142 vota (ose vetëm 63 për qind të votave, pra rreth 23 për qind më pak se PS) dhe aleatët e saj kryesore (të gjithë më të mëdhenj se aleatët e PS) kanë fituar si më poshtë: i) LSI ka fituar 21 213 vota (17 për qind të votave të koalicionit), ii) PDIU ka fituar 7217 vota (5.9 për qind të votave të koalicionit), iii) PR ka fituar 4460 vota (ose 3.7 për qind të votave dhe iv) PLL ka fituar 3170 vota (ose 2.6 për qind të votave të koalicionit). Vetëm këto katër aleatë kanë fituar (gjithsej 36 060 vota) më shumë se dyfishi i votave të fituara nga aleatët e PS (gjithsej 16 500 vota). Kjo taktikë është ndjekur qëllimisht për të motivuar më mirë aleatët dhe për të rritur kështu efikasitetin e tyre elektoral në zgjedhje ku votat shpërndahen dhe nuk mundet vetëm partia kryesore t’i mbledhë të gjitha.
PS ka përkeqësuar më “shumë” marrëdhëniet me aleatët tradicionale sesa PD me aleatët e saj …
Ndonëse PS ndodhet në opozitë, ajo i ka përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët tradicionale më “shumë” sesa PD me aleatët e saj, ndonëse ajo ndodhet që prej 6 vitesh në drejtimin e qeverisjes së vendit dhe normalisht edhe marrëdhëniet me aleatët duhet të ishin konsumuar. Dy parti “të rëndësishme” kanë bërë lëvizje me 180 gradë, për shkak të keqësimit të marrëdhënieve me partitë kryesore, përkatësisht LSI me PS dhe PDK me PD: i) LSI në 2007-n (me 18 615 vota ose 10.71 %) ka qenë në koalicion me PS dhe në 2011-n (me 21 213 vota ose 8.58%) është në koalicion me PD dhe ii) PDK në 2007-n (me 2363 vota ose 1.36 %) ka qenë në koalicion me PD dhe në 2011-n është në koalicion me PS (1777 vota ose 0.72 %), ndërkohë që një pjesëz e saj (afërsisht sa një e treta) e quajtur Lidhja Demokristiane, LDK (me 698 vota ose 0.28 %) është ndarë prej saj dhe ka mbetur në koalicion me PD. Por, LSI ka pasur një ndikim përcaktues në humbjen e PS, sepse është gati dhjetë herë më e madhe sesa PDK, aq më tepër që PDK ka pësuar një çarje duke formuar 2 parti demokristiane a) LDK, që ka fituar 698 vota dhe b) AAK që ka fituar 209 vota; ndërkohë që të dyja se bashku duke mbetur në koalicion me PD i kanë hequr PDK rreth 35 për qind të votave. Kurse LSI jo vetëm nuk është përçarë dhe as rrudhur, por është rritur në krahasim me vitin 2007 me rreth 3 vota ose 14 për qind.
Në vend të një përfundimi…
Nga kjo analizë e shpejtë për Bashkinë e Tiranës rezulton se arsyet e humbjes së PS në krye të së majtës së përçarë mbeten po ato të humbjes në zgjedhjet e vitit 2009, sepse PS jo vetëm nuk ka reflektuar, por edhe ka ndjekur një taktikë veprimesh jashtë dhe kundër sistemit politik me efekt negativ elektoral:
1) Arsyeja kryesore mbetet përçarja midis PS dhe LSI deri në atë masë sa LSI “detyrohet” të testojë pas koalicionit politik të 2009-s edhe koalicionin elektoral. Për shkak të përçarjes, PS pëson humbje në krahasim me 2007-n në të gjithë parametrat: i) kryetari i Bashkisë, iii) Këshill Bashkiak dhe iii) numër të kryetarëve dhe këshillave të minibashkive.
2) LSI mbetet një faktor vendimtar për caktimin e fitimtarit të zgjedhjeve, qofshin të përgjithshme, qofshin vendore. Koalicioni midis PD dhe LSI në 2011-n rezultoi i suksesshëm, sepse LSI (me 21 213 vota) jo vetëm nuk u rrudh, por u rrit me 14 për qind në krahasim me zgjedhjet e vitit 2007.
3) Një faktor i rëndësishëm shfaqet PDIU (e drejtuar nga një ishsocialist ), i cili duke qenë në koalicion me PD, rezulton forca e katërt në Tiranë me rreth 3 për qind. PDIU e “fortë” rrit shanset e fitores së PD në 2013-n.
4) Aleatët e PD rezultojnë më të suksesshëm sesa ato të PS dhe koalicioni AQ më efikas sesa koalicioni AA, sepse PD aplikoi një taktikë më fleksibël sesa PS, gjë që i motivoi me shumë të gjithë aleatët dhe i lejoi të rriten më shumë ato në funksion të rritjes së koalicionit; kjo taktikë rezultoi efikase, sidomos po të kemi parasysh dispersionin e votave që rezulton në zgjedhjet vendore dhe nevojën për aleatë të “fuqishëm” për t’i mbledhur ato.
5) Nëse PS nuk reflekton si për sa i përket koalicionit me LSI, por edhe të marrëdhënieve me të gjithë aleatët e saj tradicionale (deri tani Rama ka zgjidhur vetëm sesi ish-kryetari i G99 do të bëhet deputet në 2013-n) apo edhe aleatët e rinj të majtë apo të djathtë ka shumë gjasa që në 2013-n PS elektoralisht të ndodhet përsëri në opozitë.
6) Po ashtu, nëse PS nuk heq dorë sinqerisht nga alibitë e humbjes dhe nuk futet në mënyrë të sinqertë në një proces të kryerjes së reformave për integrimin e vendit, ka shumë gjasa që vendi të vazhdojë të ndodhet në krize/ngërç politik me pasoja negative për socialistët, shqiptarët dhe vendin dhe integrimin e tij në BE…
Në këtë shkrim për Bashkinë e Tiranës nuk janë marrë në shqyrtim arsyet që lidhen me funksionimin dhe performancën e PS dhe sidomos drejtimin e saj, të cilat përbëjnë një nga arsyet themelore të humbjeve të PS në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s, në zgjedhjet vendore të 2011-s dhe në menaxhimin e mundësive gjatë zgjedhjes së Presidentit në vitin 2007.
KASTRIOT ISLAMI
© Panorama.al











