Profesoresha Nevila Nika tha se vilajetet shqiptare ishin të fundit që u shkëputën nga Perandoria Osmane.
Teksa foli për shpalljen e pavarësisë, Nika u shpreh ndër të tjera se ne kemi qenë një nga popujt më të shtypur.
“Ishim një nga popujt që na u ndalua edhe gjuha amëtare. Përpjekjet e atyre burrave dhe grave në fund të shekullit 19 dhe fillimin e shekullit të 20, shënojnë atë mundin e madh që i parapriu momentit të shpalljes së Pavarësisë”, tha Nevila Nika në emisionin “Open” në News24.
Ajo tha se fatmirësisht kanë shpëtuar dokumente që na tregojnë se çfarë ka ndodhur. “Nxitimi për të shpallur dhe për të ngritur flamurin do të jetë nxitimi i mbrëmjes së 28 nëntorit. Këta burra lëvizën në të gjithë kryeqendrat e Europës që ccuan fjalën se do të shpallej Pavarësia. fatmirësisht kemi dokumentet që na tregojnë se si u bë organizimi, nga çdo krahinë u dërguan përfaqësuesit në Vlorë”, tha Nika.
Ajo tha se në dokument janë 40 firmëtarë, është një fletë e grisur nga një bllok, ku shikojmë që dikush ka bërë një firmë më të madhe, pra ka zënë më shumë vend.
Akti është fotografuar nga Marubi, që ishte fotografi Mbretëror. “Ne nuk kemi aktin origjinal, por e kemi në xham, ata që kanë shkuar atje kanë vënë firmën, sepse janë hedhur dyshime se ishte vënë shenja e gishtit, por kjo nuk është e vërtetë”, tha Nika.
Profesoresha tha se nuk kemi fotografi të asaj dite nga Vlora, megjithëse që Vlora ka pasur fotografin e vet.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al